Një gjykatë në shtetin e Nju Meksikos ka urdhëruar të mërkurën kompaninë Meta të paguajë 25 miliardë dollarë për mashtrimin e përdoruesve lidhur me praktikat e saj të mbrojtjes së të dhënave personale. Sipas The New York Times, kjo është një nga gjobat më të mëdha të vendosura ndonjëherë ndaj një gjiganti të teknologjisë.
Nju Meksiko ngriti padi kundër Metës në vitin 2021, pas skandalit që përfshinte kompaninë e konsulencës politike Cambridge Analytica. Autoritetet e shtetit pretendojnë se Meta i kishte mashtruar përdoruesit përmes deklaratave publike lidhur me mbrojtjen e të dhënave të tyre personale.
Në shtator, pas një gjyqi dyjavor, një juri në Gjykatën e Qarkut në Santa Fe vendosi kundër Metës, duke konstatuar se kompania kishte kryer 43 milionë shkelje të ligjeve të Nju Meksikos për mbrojtjen e konsumatorëve. Çdo shkelje parashikon një gjobë deri në 5.000 dollarë.
Kujtojmë se në gusht, një vendim gjyqësor përcaktoi se Meta duhet të paguajë 16 miliardë dollarë për 29 shtete, për çështjen që lidhet me varësinë e fëmijëve nga Facebook dhe Instagram.
Vendimi përbën një goditje për Metën, kompaninë që zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, e cila është përballur me një sërë humbjesh gjyqësore lidhur me dëmet që platformat e saj të rrjeteve sociale u kanë shkaktuar përdoruesve.
Nju Meksiko është shndërruar në një nga shtetet kryesore në përballjen ligjore me Metën, duke fituar deri më tani disa çështje kundër kompanisë.
Në gusht, një gjykatë në këtë shtet urdhëroi Metën të paguante 567 milionë dollarë dëmshpërblim, pasi juria konstatoi se kompania kishte lejuar që përdoruesit e rinj të pësonin dëme. Kjo shumë iu shtua një gjobe prej 375 milionë dollarësh, të vendosur në mars në kuadër të së njëjtës çështje.
Në të dyja rastet, Nju Meksiko e akuzoi Metën për shkelje të ligjeve shtetërore për mbrojtjen e konsumatorëve. Këto ligje janë shndërruar në një mjet të rëndësishëm ligjor për ngritjen e padive kundër kompanive të teknologjisë, të cilat më parë kanë përfituar nga mbrojtjet ligjore që lidhen me lirinë e shprehjes. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

