Të paktën 19 persona raportohet se janë vrarë në një sulm ajror të ushtrisë venezueliane ndaj një kampi të organizatës së armatosur kolumbiane ELN, pranë kufirit me Kolumbinë. Sulmi i pretenduar ndodhi të premten në Buena Vista del Meta, në shtetin Apure të Venezuelës. Lajmi është bërë i ditur nga ish-deputeti venezuelian Juan Francisco Garcia Escalona, i cili koordinon aktivitetin e organizatës për të drejtat e njeriut Fundaredes në këtë rajon. Sipas tij, organizata ka marrë dëshmi për një operacion ushtarak në zonë. Informacionet paraprake bëjnë me dije se nëntë trupa janë transportuar drejt San Fernando de Apure, kryeqytetit të shtetit, për t’iu nënshtruar ekspertizave mjeko-ligjore. Ndërkohë, 10 trupa të tjerë raportohet se kanë mbetur në vendin e ngjarjes. Po ashtu, një numër i papërcaktuar personash të plagosur dyshohet se kanë kaluar kufirin drejt Kolumbisë. Banorë të Puerto Paez kanë dhënë gjithashtu emra dhe të dhëna identifikuese që pretendohet se janë gjetur në vendin e sulmit, raportoi media kolumbiane Blu Radio. Megjithatë, identitetet e viktimave nuk janë konfirmuar zyrtarisht. Venezuela1
Për bombardimin ka reaguar edhe aktivistja venezueliane për të drejtat e njeriut dhe ekspertja e çështjeve ushtarake, Rocio San Miguel, e cila ka referuar raportimet për sulmin në një postim në rrjetin social X.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh dhe përplasjesh të raportuara në disa zona të rajonit kufitar të Venezuelës. Sipas Garcia Escalona, banorët dhe komunitetet indigjene kanë raportuar luftime në Los Pijiguaos, në perëndim të shtetit Bolivar, si dhe pranë Paso del Burro, përgjatë zonës kufitare të lumit Meta-Orinoko.
Ai i ka lidhur këto përplasje me konfliktet për kontrollin e territoreve ku zhvillohen aktivitete të nxjerrjes së mineraleve, përfshirë boksitin dhe koltanin. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: kampi sum venezuela

