Lajme Zone
PolitikëBalkanWeb

“Marta Kos i ka kërkuar Ramës në takime private të mos mbrojë Ballukun”, Almer Toska: PS ka rënë në 30% në sondazhe! Kryeministri me 27% pëlqim


Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, ka kritikuar ashpër qeverinë dhe mënyrën se si po trajtohet çështja e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se SPAK ndodhet në nivelet më të ulëta të besueshmërisë për shkak të perceptimit se po ndikohet nga kryeministri Edi Rama.

Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë”, ka kritikuar ashpër qeverinë dhe mënyrën se si po trajtohet çështja e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, duke deklaruar se SPAK ndodhet në nivelet më të ulëta të besueshmërisë për shkak të perceptimit se po ndikohet nga kryeministri Edi Rama. Sipas Toskës, fakti që dosja e Ballukut nuk po përparon dhe se kryeministri ka dalë publikisht në mbrojtje të saj, përbën një sinjal negativ për ndërkombëtarët dhe dëshmon, sipas tij, se drejtësia nuk po vepron në mënyrë të pavarur. Ai theksoi se kjo situatë mund të ndikojë në raportet e ndërkombëtarëve për Shqipërinë dhe në procesin e integrimit europian. Toska deklaroi gjithashtu se komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, i ka përcjellë Ramës në takime private shqetësimin se nuk duhet të bëhet mburojë e Ballukut dhe se duhet të lejojë drejtësinë të funksionojë. Sipas tij, shqetësimi për pavarësinë e drejtësisë ndahet edhe nga vendet anëtare të BE-së. Ai kritikoi edhe gjendjen e të drejtave dhe lirive në Shqipëri, duke thënë se kufizimi i lirisë së shprehjes dhe kërcënimet me gjoba apo masa të tjera ndaj qytetarëve për reagimet në rrjetet sociale nuk përputhen me standardet europiane.

Në vijim, gazetari u ndal te krimi i organizuar, ekonomia dhe sistemi shëndetësor, duke akuzuar qeverinë se ka lënë qytetarët pa shërbimet e nevojshme, ndërsa fondet publike shkojnë për koncesione dhe gaz lotsjellës.

Në fund, Toska iu referua edhe sondazheve të fundit, sipas të cilave Partia Socialiste ka rënë në 30%, ndërsa Edi Rama në 27%. Ai tha se bëhet fjalë për sondazhe të institucioneve serioze në Shqipëri, pa specifikuar emrat e tyre.

Deklaratat e gazetarit Almer Toska në “Minuta e Parë”:

“SPAK-u sot është në nivelet më të ulëta të besueshmërisë, për shkak të ndikimit të Ramës në rastin Balluku. Rasti Balluku e çon Shqipërinë drejt një situate problematike në raport me BE-në. Fakti që po mbahet peng dhe kjo dosje nuk po ecën më tej, ndërsa Rama doli në mbrojtje të saj, është një tregues për ndërkombëtarët se drejtësia është e kapur. Ne jemi të vetëdijshëm se kush është Balluku dhe drejtësia nuk vepron. Kjo është një e dhënë për ndërkombëtarët, të cilët e shënojnë në raportet e tyre.

Duhet të themi të vërtetën se si është situata. Kapitujt që Shqipëria duhet të përmbushë për anëtarësimin në BE kanë të bëjnë me shkencën, bujqësinë, ekonominë etj. Rama synon anëtarësimin në vitin 2027. Shqipëria aspiron, por a i përmbushim ne këto kritere? Kemi mbyllur kapitullin për arsimin dhe shkencën. Shqiptarët e dinë nivelin arsimor në Shqipëri, i cili është thuajse zero, sipas raporteve që rendisin sistemet arsimore. A kemi kërkime shkencore në Shqipëri? Çfarë mund të bëjë Shqipëria kur nuk i plotëson këto kritere? Këtu kuptojmë se duan të na fusin me shkelma në BE. Është flagrante që drejtësia është e kapur dhe arsimi ka probleme. Sot po importojmë studentë nga India dhe Bangladeshi.

Marta Kos është e qartë. Në takimet private me Ramën ia ka shprehur hapur se nuk duhet të bëhet mburojë e Ballukut dhe duhet ta lërë drejtësinë të funksionojë. Marta Kos i ka vendosur një barrierë kryeministrit Rama për faktin se nuk po përmbush kapitullin e drejtësisë për anëtarësimin. Këtë shqetësim e kanë të gjitha vendet anëtare, jo vetëm Kos. Ata janë në mbështetje të protestës dhe zhvillimeve që ndodhin në Shqipëri.

Përkeqësimi i të drejtave dhe lirive nuk është sinjal se po shkojmë drejt BE-së, por drejt Rusisë. Si mund të jemi në BE kur Rama thotë se, nëse bëhet një status në rrjetet sociale kundër qeverisë, gjobitesh apo merresh nga antiterrori?! Liria e shprehjes është e garantuar në Kushtetutë. Këtë nuk e heq askush. Rama, duke renditur faktet që po themi këtu, tregon se nuk i përmbushim kushtet për anëtarësim.

A e përmbushim kriterin ekonomik për BE-në? Shqiptarët nuk jetojnë më mirë. Ata e dinë se gjatë qeverisjes së Ramës krimi i organizuar ka fituar terren dhe liria ka humbur terren.

Çfarë kriteresh përmbushim ne për anëtarësim? Në cilën fushë? Krimi më i madh që mund të ketë bërë një kryeministër si Rama është pandjeshmëria. I ka vdekur ndërgjegjja njerëzore. Këtë e tregon edhe me trajtimin e pacientëve të Onkologjikut, të cilëve nuk ka ndërmend t’u ofrojë shërbim në spitalet shtetërore dhe i ka dënuar me vdekje. I ka lënë në fatin e tyre, kur shteti duhet të kujdesej për ta, ndërsa paratë shkojnë për koncesione dhe gaz lotsjellës.

Sot, sipas sondazheve të fundit, PS-ja ka rënë në 30%, ndërsa Rama në 27%. Janë sondazhe të institucioneve serioze të sondimit në Shqipëri.” © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb