Rikthehet në sezonin e ri emisioni “News24 Fundjavë”, me gazetaren Megi Latifi, ku këtë herë në fokus ishte një nga momentet më të vështira për fëmijët dhe prindërit; dita e parë në kopsht apo në shkollë. Lotët, ankthi dhe refuzimi për t’u ndarë nga prindi janë reagime të zakonshme te fëmijët, veçanërisht kur ata përballen për herë të parë me një ambient të ri. Specialistët e ftuar në emision shpjeguan se si duhet të menaxhohet kjo periudhë dhe çfarë roli kanë prindërit në përshtatjen e fëmijës. Psikologia e shkollës, Nereida Llaha, shpjegoi se te fëmijët që nuk kanë frekuentuar më parë çerdhen dhe nisin për herë të parë kopshtin, mund të shfaqet ankthi i ndarjes. Sipas saj, reagimi lidhet edhe me llojin e atashimit që fëmija ka krijuar me figurën kujdestare, zakonisht personin me të cilin ka kaluar pjesën më të madhe të kohës. “Kur vjen momenti kur duhet të shkëputet nga ky person që ka suportin, vuan atë ndjenjën e braktisjes”, tha Llaha. Lotët janë pjesë e përshtatjes
Edukatorja Floreta Milo theksoi se të qarët dhe kërkimi i prindërve janë reagime krejt normale pas shkëputjes nga familja. Fëmija përballet me një ambient të ri dhe emocionet e tij mund të shfaqen përmes të qarave apo kërkesës për të qëndruar pranë nënës dhe babait. Sipas saj, edukatorët bëjnë të pamundurën për t’i qetësuar fëmijët, ndërsa secili prej tyre ka ritmin e vet të përshtatjes. Milo këshilloi gjithashtu prindërit që të jenë të kujdesshëm me premtimet që u bëjnë fëmijëve. “Nëse i thonë që do të vijë në këtë orë, duhet ta mbajë premtimin”, u shpreh ajo, duke nënvizuar rëndësinë e krijimit të besimit mes fëmijës dhe prindit. Mësuesja Vera Zaho, e cila punon me nxënës të arsimit të ulët dhe të mesëm, u sugjeroi prindërve që t’u flasin fëmijëve që herët për kopshtin dhe shkollën si vende ku mund të mësojnë, të argëtohen dhe të krijojnë eksperienca të reja. “Besimi nuk krijohet në një ditë, duhet punë”, tha ajo. Ndërsa psikologia Llaha theksoi se mënyra se si prindi reagon ndaj të qarave të fëmijës është shumë e rëndësishme. Sipas saj, fakti që një fëmijë qan ditën e parë tregon lidhjen që ka krijuar me prindin dhe nuk është në vetvete shqetësues. Problemi qëndron te mënyra se si menaxhohet ky reagim. Ajo theksoi se prindërit duhet të shmangin qëndrimin pas derës së kopshtit apo shkollës dhe të shfaqin vetë ankth, pasi emocionet e tyre mund të ndikojnë te fëmija. Përshtatja mund të kërkojë kohë dhe, në disa raste, edhe disa javë apo muaj.
Një tjetër këshillë e psikologes ishte mënyra se si prindërit duhet t’u flasin fëmijëve për shkollën. “Fëmija kur shkon në shkollë, nuk po shkon në luftë”, tha Llaha, duke nënvizuar se fëmijës duhet t’i flitet për anën pozitive dhe argëtuese të kësaj eksperience, dhe jo t’i krijohet presioni se duhet patjetër të mësojë, të jetë i pari apo të përmbushë pritshmëritë e të rriturve. Sipas specialistëve, kalimi nga kopshti në shkollë duhet të bëhet gradualisht dhe me sa më shumë mbështetje nga prindërit, në mënyrë që fëmija ta përjetojë këtë ndryshim si një hap të natyrshëm dhe jo si një shkëputje të dhimbshme nga familja. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: femijet kopshti qarjet shkolla
