Ka një kërkesë të pandryshuar në “Protestën e Flamingove” që brohoritet hapur dhe fort kundër establishmentit politik aktual, përkundër secilit protagonisti politik, kundër çdo gjëje që lidhet me politikën e pas viteve ’90 dhe madje deri edhe kundër personazheve që janë indiferente ndaj saj. Ashtu si ndodh rëndom në kohë të tilla, arsyeja mbytet nga emocioni dhe për fat të keq dhe gazetaria nuk e kalon dot këtë cak, ku dominojnë thirrjet “Ne” dhe “Ata”, për t’u kuptuar realisht situata ku ndodhemi dhe se çfarë mundësish ekzistojnë për të ndryshuar. E vërteta është se: kemi mundësi shumë të pakta. Pronat e marra padrejtësisht nuk do të kthehen më kurrë tek të Zotët (!); të persekutuarit e vërtetë nuk u kthehet më jeta e marrë; administrata e korruptuar që ka bërë batërdinë nuk t’i kthen më paratë dhe as shërbimin e duhur; makutët që bëjnë sot burgje nuk është se do i dorëzojnë ose do detyrohen t’i ‘dhurojnë’ zhvatjet; arsimi dhe shëndetësia nuk rregullohen dot ashtu si do të donim. Në rastin më të mirë, për këtë do duheshin dekada, po të niste sot ndryshimi. Korrupsioni nuk njihet më me këtë përcaktim, por thjesht normalitet (!). Ca më keq akoma, duket se edhe partitë politike në hapësirën shqiptare i vlerësojnë më së shumti anëtarët (lexo ata që katapultohen) bazuar në aftësinë për korrupsion sesa në bazë të shpërfaqjes së tyre dhe kritereve morale. Dhe, pasojë e kësaj është se pse ka kaq shumë të korruptuar dhe pse nuk performohet mirë sot, qoftë edhe nga Gjenerata Z që po kërkon ndryshimin në Bulevard! Në vetvete dhe në thellësi, të gjithë shqiptarët e dinë që ndryshimi ideal nuk mund të ndodhë në një shoqëri si jona, qoftë dhe me “Flamingot” dhe ata që do mund të vijnë pas tyre. Testi s’është tashmë sesa fiton PS dhe PD-ja apo partitë e vogla, por sa mund të heqin pak dorë ato parti nga një pjesë e së tyres që shoqëria të shohë e të gëzojë pak më shumë demokraci para vetes. LEXO EDHE:63 ditë protestë, qytetarët kundër reformës territoriale: Centralizim! Kërkojnë dorëheqjen e qeverisë: Ju jeni sorrat e korbat! Vendosin banderolë Si për ironi, partitë politike në Shqipëri gëzojnë shumë më pak respekt sesa nga koha e aplikimit të sistemit shumëpartiak. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), në anketimet e tij të përvitshme Kombëtare “Besimi në Institucione”, nxjerr të dhëna të qarta, të cilat e konfirmojnë se partitë gjenden në fund të besueshmërisë nga qytetarët shqiptarë, duke marrë shpesh më pak se 20% besim. Mbi 70% e të anketuarve në studimet e IDM-së dhe ISP-së (Institutit të Studimeve Politike) shprehen se institucionet publike dhe reformat kyçe udhëhiqen nga interesat e ngushta partiake dhe jo nga dobia publike. Përfundimi: Gati rreth 77% e qytetarëve shprehen pesimistë për të ardhmen. Shqiptarët e kanë të rrënjosur tashmë në vetëdije se partitë politike nuk munden ta ndryshojnë nivelin e korrupsionit, pasi vetë sistemi i administratës dhe prokurimeve publike shihet si i “kapur” nga partitë në pushtet. Në një studim empirik të saj, ISP-ja tregon se shqiptarët e anketuar e shohin jo vetëm se partitë nuk përfaqësojnë interesat e komunitetit të tyre, ashtu si PS dhe PD-ja bëjnë pakte politike dhe reforma, thjesht të shtyrë nën trysninë e ndërkombëtarëve, duke lënë jashtë kërkesat bazë të qytetarëve për lista krejt të hapura apo votim të lirë. Në një perceptim të lirë dhe, sidomos në ato që na afron “Protesta e Flamingove” qytetarët i këqyrin partitë si organizata të mbyllura (Kjo u pa në zgjedhjet e brendshme të PD-së dhe tashmë në BESA-ën e Ramës), tejet larg nga njerëzit, t’mbarsura me konflikte bajate dhe të një niveli të ulët të anëtarëve (Parlamenti është prova). PS-ja dhe PD-ja jo vetëm nuk e njohin llogaridhënien, por janë cinike me respektin ndaj meritokracisë, aq sa shpesh shqiptarët çuditen pse ky sistem mund të quhet demokratik. Protestat e qytetarëve kanë treguar se mund të artikulohen argumente politike pa këtë statusquo politike dhe tej flamujve të PD-së dhe PS-së dhe se bashkëpunimi i njerëzve e daravit propagandën e çfarë-do-lloji qoftë. Njerëzit në Bulevard po kërkojnë kthimin e dinjitetit dhe integritetin dhe jo atë që ushtron sot pesha e PS-së dhe PD-së në jetën e vendit. Kryeministri Rama reagoi dhe megjithëse e pranon cekazi, mësimi që ka marrë nga protesta është i madh, ashtu si qytetari shqiptar dhe shumë nga politikanët rreth tij. E megjithatë partitë politike teorikisht janë zëri i popullit dhe mënyra sesi ushtrohet demokracia në një shoqëri. Dhe ato nuk ekzistojnë se kërkohen prej politikanëve, porse shoqëritë moderne nuk mund të funksionojnë pa grupime që jo thjesht shprehin idetë dhe qytetarët, por me programet e tyre mëtojnë ti materializojnë me politika publike, me përgjegjësi vendimmarrje dhe me organizimin e zgjedhjeve normale, ku bëhet testi i atyre që pretendohen të bëhen prej tyre. Dikush duhet të ketë tagrin për menaxhimin e institucioneve. Dhe, ky është roli i vërtetë i partive politike. Edhe me një ngritje demokratike jo aq të përparuar dhe me mungesë literature sa sot, madje edhe pa eksperiencën dhe trajnimet e sotme, një pjesë e intelektualëve shqiptarë të viteve ’30 e bënë ndryshimin duke kërkuar që fillimisht t’i iluminonin shqiptarët. Nga idetë e tyre lindi “Neoshqiptarizmi” por edhe dëshira e një Shqipërie ndryshe, atë që përdhoset normalisht sot. Shumë vite më vonë, partitë e sotme politike në të gjithë hapësirën shqiptare kanë pushuar së ekzistuari si njësi njerëzit që mendojnë për idetë dhe janë zgjatime të liderit. PS, PD, PR, Partia e të Drejtave të Njeriut dhe një grup partizash të tjera në Shqipëri nuk njohin demokraci të brendshme dhe zgjedhje normale; VV dhe AAK deri para pak kohësh në Kosovë; BDI në Maqedoninë e Veriut janë shembuj të gjallë, mes shumë të tjerave syresh. Fenomeni që i bashkon të gjitha është se diskutimet e brendshme të ideve dhe përpjekjet për reformim janë të zëvendësuar nga disiplina dhe ashpërsia e 1(Njëshit), argumentet nga besnikëria, kurse anëtarësimi nga miratimi pa asnjë frenë i vendimeve të marra nga një rreth i ngushtë njerëzish (lexo grupi pranë kryetarit). Parimisht, një parti nuk duhet të ekzistojë për shkak të liderëve po atyre njerëzve që besojnë te idealet, anipse kjo është e harruar tashmë në Shqipëri, ashtu si ka humbur ideja e përfaqësimit politik. Gjithsesi, mallkimi është se: partitë duhen sepse vetëm me to kërkohet dhe bëhet ndryshimi, çka është i dëshiruari, pa e penguar integrimin e Shqipërisë në BE (me sa duket realitet në vitin 2030). E çka mbetur sot? Partitë politike nuk shihen më si “instrument i dobisë publike”, por thjesht si makineri elektorale që shpërndajnë vendet e punës në administratë dhe kontratat publike (prokurimet) për klientelën e tyre. “Flamingot” duhet të ndërgjegjësohen për këto të vërteta, që në demokraci janë si drita e diellit, të paktën për vende si tonat, të cilat ndryshimin e duan por nuk e sfidojnë dot me arsye dhe vullnet./Homo Albanicus P.J/SI.E./Shqiptarja.com TAG: PD PS protestat kunder qeverise Ben Andoni Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 3.3 / 5 (3 vlerësime) Faleminderit! Komento Komente Sondazhi i ditës:
31 Korrik, 15:00
Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë? 46 bashki (PS) 56.3% 100 bashki (PD) 16% 61 bashki (si sot) 27.7% Vota total: 2125 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 31 Korrik, 15:00 Reforma territoriale, cili opsion ju pëlqen më shumë?

