Mali i Zi në udhëkryq: Përplasja Spajiç-Vuçiç dhe çështja shqiptare Përplasja me Beogradin është kthyer në betejë për drejtimin europian të Podgoricës, ndërsa çështja e shqiptarëve dhe polemika për Ulqinin hapin një front të ri. Përplasja mes kryeministrit malazez Milojko Spajiç dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç nuk është një konflikt i papritur personal. Ajo është rezultat i një ndryshimi gradual në kursin politik të Podgoricës dhe i një marrëdhënieje që ka kaluar nga afërsia dhe mirëkuptimi te rivaliteti i hapur për të ardhmen e Malit të Zi.
Spajić erdhi në pushtet në tetor 2023 si një figurë më e pranueshme për kampin pro-serb sesa shumë prej paraardhësve të tij. Profili i tij politik, nuk ishte ndërtuar mbi një përplasje të drejtpërdrejtë me Beogradin dhe ai shihej si dikush që mund të ndërtonte ura me elektoratin serb dhe me Kishën Ortodokse Serbe.
Por shumë shpejt u bë e qartë se pragmatizmi i tij nuk nënkuptonte varësi politike nga Serbia.
Kjo është pika ku duhet kërkuar thelbi i konfliktit. Spajiç po përpiqet të bëjë diçka që për Beogradin është shumë më e rëndësishme sesa duket.
Ai synon të ruajë lidhjet kulturore, ekonomike dhe njerëzore me Serbinë, ndërsa njëkohësisht ta nxjerrë politikën shtetërore malazeze nga orbita e saj politike. Objektivi i tij është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe qeveria e tij e ka vendosur integrimin europian në qendër të axhendës.
Për Beogradin, ky është një zhvillim problematik. Mali i Zi është një vend i vogël, por me peshë të jashtëzakonshme simbolike për Serbinë. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së tij identifikohet si serbe, lidhjet me Kishën Ortodokse Serbe janë të forta dhe marrëdhëniet shoqërore e familjare me Serbinë janë të thella.
Prandaj, humbja e ndikimit politik mbi Podgoricën nuk perceptohet thjesht si humbje e një vendi fqinj, por si dobësim i një prej hapësirave tradicionale të ndikimit serb në Ballkan.
Pika e parë e madhe e fërkimit ishte qëndrimi i Malit të Zi ndaj rezolutës së OKB-së për Srebrenicën, në maj 2024.
Podgorica e mbështeti rezolutën që njeh gjenocidin e Srebrenicës, duke u rreshtuar me qëndrimin europian. Beogradi dhe forcat pro-serbe në Mal të Zi e kundërshtuan ashpër. Për Vuçiç, ky ishte një sinjal se qeveria e Spajiçit nuk do të ndiqte automatikisht pozicionet e Serbisë.
Përplasja u bë edhe më e drejtpërdrejtë në maj të këtij vitit, kur Vuçiç njoftoi se nuk do të merrte pjesë në festimet e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi. Arsyeja ishte se nuk dëshironte të festonte atë që e konsideronte si “ndarjen” e Malit të Zi nga Serbia.
Podgorica reagoi duke e akuzuar presidentin serb për retorikë nacionaliste dhe për minimizim të sovranitetit malazez. Ky episod ishte shumë më tepër se një bojkot ceremonial. Ai nxori në pah një konflikt të vjetër mbi vetë kuptimin e pavarësisë së Malit të Zi.
Për Beogradin, ndarja e vitit 2006 mbetet një humbje historike; për Podgoricën, sovraniteti është një fakt i pakthyeshëm që nuk mund të vihet në diskutim nga Serbia. Ndërkohë, Spajiç ka zgjedhur ta lidhë të ardhmen e vendit me Bashkimin Evropian. Mali i Zi është anëtar i NATO-s, njeh Kosovën dhe është rreshtuar me politikën europiane ndaj Rusisë.
Ndërkohë Serbia, ruan një politikë shumë më të ekuilibruar mes BE-së, Rusisë dhe Kinës. Kjo diferencë strategjike është bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u fshehur pas retorikës së marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Por përplasjet më të mëdha nisën në fillim të këtij muaji. Vuçiç e akuzoi Podgoricën se kërkonte “marrëdhëniet më të këqija të mundshme” me Serbinë dhe se po përpiqej të “riedukonte” serbët e Malit të Zi. Për Spajiç, kjo ishte një ndërhyrje e papranueshme në çështjet e brendshme të një shteti sovran.
Përgjigjja e tij ishte tejet e drejtpërdrejtë. Spajiç e akuzoi Vuçiç se po merrte rolin e “zëdhënësit të Rusisë” dhe e sfidoi mbi standardet e dyfishta të politikës së jashtme serbe. Ai ngriti pyetjen se si Serbia mund të ruajë marrëdhënie të ngushta me Moskën, ndërkohë që është një burim i rëndësishëm i armëve dhe municioneve që përfjnë në Ukrainë.
Kjo ishte një kthesë e rëndësishme. Spajiç nuk po mbrohej më vetëm nga akuzat e Beogradit, por po e sulmonte Vuçiçin në një prej pikave më të ndjeshme të politikës së tij: kontradiktën mes marrëdhënieve me Rusinë dhe përpjekjes për të ruajtur njëkohësisht marrëdhënie të forta me Perëndimin.
Beogradi reagoi përmes figurave të larta politike. Kryetarja e parlamentit serb, Ana Brnabiç, deklaroi se Vuçiç e kishte ndihmuar Spajiçin të vinte në pushtet. Mesazhi ishte i qartë: Beogradi po i kujtonte kryeministrit malazez se, sipas tij, ai i detyrohej pjesërisht mbështetjes serbe për ngjitjen e tij politike.
Por kjo nuk ishte e vetmja goditje. Më 20 gusht, lideri pro-serb i opozitës malazeze Milan Knezheviç publikoi dokumente që sipas tij, tregonin se Spajiç kishte aplikuar në vitin 2023 për t’u përfshirë si rezervist në Forcat e Armatosura të Serbisë.
Knezheviç kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe e akuzoi për mashtrim të publikut. Spajiç i hodhi poshtë akuzat dhe e sulmoi Knezheviçin duke thënë se ishte e trishtueshme ta shihje një politikan që dikur e konsideronte të talentuar duke zbatuar, sipas tij, urdhrat e “shefit të tij jozyrtar në Beograd”.
Pavarësisht se pretendimet për statusin ushtarak të Spajiç kërkojnë verifikim institucional, përdorimi i tyre politik është domethënës. Kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s po sulmohet nga forcat pro-serbe pikërisht për lidhjet që dikur e bënin më të pranueshëm për Beogradin.
Këtu qëndron edhe paradoksi i kryeministrit aktual malazez. Ai nuk është bërë papritur “anti-serb”. Thjesht po përpiqet të jetë një politikan malazez që pranon lidhjet historike dhe kulturore me Serbinë, por refuzon që ato të kthehen në varësi politike.
Për Beogradin, kjo është më problematike sesa një politikan tradicionalisht pro-perëndimor. Sepse një Mal i Zi që ruan lidhjet me Serbinë, por ndërkohë ndjek një kurs të vendosur drejt BE-së, dobëson pikërisht modelin e ndikimit që Beogradi ka ndërtuar për vite me radhë.
Prandaj Spajiç foli dje për “veprime hibride” që synojnë destabilizimin e Malit të Zi në një moment vendimtar të integrimit europian. Konflikti nuk është më vetëm për Srebrenicën, Kosovën apo historinë. Është për pyetjen themelore se kush do ta përcaktojë drejtimin e Malit të Zi: Podgorica apo Beogradi.
Pse përfshiu Shqipërinë?
Por në këtë përplasje është hapur tashmë edhe një front tjetër: çështja shqiptare dhe marrëdhënia me Shqipërinë. Përfshirja e Shqipërisë është zhvillimi më i ri dhe më delikat i krizës. Spajiç nuk e përmendi publikisht Tiranën me emër, por gazeta “Vijesti”, duke iu referuar burimeve të veta, raportoi se Serbia dhe Shqipëria ishin dy vendet për të cilat ai po fliste kur paralajmëroi për veprime hibride të koordinuara.
Në rastin e Shqipërisë, konteksti lidhet kryesisht me çështjen shqiptare brenda Malit të Zi, veçanërisht me Ulqinin. Në fillim të gushtit, zëvendëskryeministri nga radhët e shqiptarëve Nik Gjeloshaj deklaroi se “Ulqini është qytet shqiptar”, duke shkaktuar reagime të forta politike.
Gjeloshaj e sqaroi më pas se nuk po fliste për përkatësi territoriale ndaj Shqipërisë, por për realitetin historik, kulturor dhe demografik të qytetit. Por polemika nuk u mbyll aty. Ajo u lidh menjëherë me një çështje edhe më të gjerë: peshën politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Në nëntor 2025, Gjeloshaj u kërkoi zyrtarisht ambasadorëve të vendeve të BE-së dhe partnerëve perëndimorë mbështetje për garantimin e vendeve të shqiptarëve në parlamentin malazez. Ai argumentonte në letër se shqiptarët përbëjnë rreth 5 për qind të popullsisë, por nuk kanë përfaqësim të garantuar parlamentar.
Kërkesa e tyre është për të paktën 4 mandate të garantuara dhe një mekanizëm vetoje për çështjet që prekin drejtpërdrejt të drejtat e pakicës shqiptare. Kjo e vendos çështjen shqiptare në qendër të debatit mbi reformën e shtetit malazez dhe standardet europiane që duhet të përmbushë Podgorica.
Pra deklarata për Ulqinin, nuk mund të shihet e shkëputur nga beteja politike e shqiptarëve për përfaqësim dhe nga roli i tyre brenda qeverisë së Spajiç. Këtu Shqipëria hyn në ekuacion jo si një pretenduese territoriale, por si referenca natyrore e çështjes shqiptare në Mal të Zi. Tirana dhe Prishtina, janë ndër partnerët ku shqiptarët e Malit të Zi kërkojnë mbështetje politike dhe diplomatike për të drejtat e tyre. Në një shoqëri ku identiteti kombëtar mbetet jashtëzakonisht i ndjeshëm, kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.
Për kampin serb, çdo forcim i komponentit shqiptar mund të shihet si një tjetër sfidë ndaj ekuilibrit tradicional të Malit të Zi. Për shqiptarët, është thjesht kërkesë për përfaqësim proporcional dhe garantim të të drejtave të tyre.
Prandaj, përfshirja e Shqipërisë duhet trajtuar me kujdes. Nuk ka asnjë provë të dukshme për të thënë se Tirana po zhvillon një operacion destabilizues kundër Malit të Zi. Por është e qartë se çështja shqiptare, deklaratat për Ulqinin dhe kërkesat për përfaqësim politik kanë krijuar një front të ri në betejën për identitetin dhe drejtimin e vendit.
Në fund, të dyja përplasjet - me Serbinë dhe me faktorin shqiptar - takohen në të njëjtën pikë: pyetjen se çfarë shteti do të jetë Mali i Zi. Një shtet i përcaktuar gjithnjë e më shumë nga ndarjet etnike dhe ndikimet e fqinjëve, apo një shtet qytetar, europian dhe sovran, ku serbët, shqiptarët, malazezët dhe komunitetet e tjera ruajnë identitetet e tyre pa e kthyer atë identitet në pretendim ekskluziv mbi dominimin e shtetit?
Spajiç po përpiqet ta mbajë këtë ekuilibër ndërsa e shtyn Malin e Zi drejt BE-së. Por sa më shumë afrohet Podgorica me Brukselin, aq më shumë bëhen të dukshme edhe vijat e vjetra të konfliktit. Vuçiç e sfidon nga Beogradi; çështja shqiptare e sfidon nga brenda.
Dhe në mes qëndron një Mal i Zi që ende nuk e ka zgjidhur plotësisht se ku përfn identiteti kombëtar dhe ku fillon shteti./Përshtati "Pamfleti", nga "SRNA"mali i zi vucic perplasja spajiç çështja shqiptare 1 Komente T Tony 28 Gusht 2026, 12:56 Porblemi eshte dalja e ruso-serbo-sllaveve te dalin ne Adriatik e te krijojne nje Kaliningrad te dyte. Kjo ka qene enderr qe ne lashtesi. Kush e ka fajin? Fajin e kane vetem Iliro-Shqiptaret qe u grinden mes tyre me njeri tjetrin e tani te hane mut se edhe Sazanin e falen. Keto jane dy pikat me strategjike te shet Adriatiku qe dikur e oteronte teuta e shenjte madheshtore. Përgjigjjuni Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Rajoni dhe Bota Serbia: Vendi ku kriminelët shiten si ‘heronj’; Beogradi përgatit nderime për ‘Kasapin e Ballkanit’ 28 Gusht 2026, 12:3512:35Rajoni dhe Bota Ethet e Nilit Perëndimor përhapen në rajon, 6 viktima në Maqedoninë e Veriut; rriten rastet në Evropë 28 Gusht 2026, 12:1212:12Rajoni dhe Bota Telashe për Spanjën/ Ceuta në prag lufte, banorët bllokojnë ushqimet për emigrantët dhe i vënë flakën kampit 28 Gusht 2026, 10:5110:51Rajoni dhe Bota Piromani politik i Beogradit: Si po përpiqet Vuçiç t’i kthejë zjarret në vota 28 Gusht 2026, 09:0509:05Rajoni dhe Bota Normalizimi i ekstremit të djathtë në Europë 28 Gusht 2026, 08:1008:10Rajoni dhe Bota Trump i ndryshoi emrin, Kanadaja e kundërshton: Do të quhet Liqeni Ontario sot dhe përgjithmonë 28 Gusht 2026, 08:0408:04Rajoni dhe Bota

