Një qytetar ka përcjellë në redaksinë tonë një mesazh, përmes të cilit ngre shqetësimin për gjendjen e pastërtisë në malin e Tomorrit.
Duke ironizuar Bashkinë Skrapar për mungesën e kujdesit ndaj kësaj zone, qytetari thotë se mbeturinat janë hedhur në çdo cep.
“Shumë faleminderit Bashkisë Skrapar që e mban kaq pastër malin e Tomorrit. Për pastërti si kjo nuk ke ku gjen!”, shkruan qytetari me ironi, duke vënë në dukje se në disa pjesë të malit pastrimi nuk është kryer që prej muajit gusht.
Sipas tij, mbeturinat kanë mbetur aty prej muajsh dhe nuk është ndërhyrë për pastrimin e tyre. Përmes këtij mesazhi, ai kërkon që shqetësimi të bëhet publik, me shpresën se kjo do të shërbejë si një thirrje për institucionet përgjegjëse që të reagojnë.
Mali i Tomorrit është një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore dhe turistike të zonës së Skraparit, ndaj mirëmbajtja dhe pastërtia e tij kërkojnë vëmendje të vazhdueshme.
Qytetari shpreson që apeli i tij të mos mbetet vetëm një mesazh, por të pasohet nga ndërhyrje konkrete për pastrimin e zonave të lëna pas dore.

