Pesë makina të braktisura prej muajsh vijojnë të zënë hapësirat e parkimit në rrugën “Bargjini” në Tiranë, ndërsa banorët e zonës thonë se, pavarësisht denoncimeve të përsëritura, institucionet nuk kanë marrë masa për largimin e tyre.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania, duke sjellë edhe pamje të mjeteve që, sipas tij, kanë mbetur të parkuara në të njëjtin vend për periudha të gjata. Ai thotë se dy prej makinave ndodhen aty prej rreth dy vitesh, ndërsa tre të tjerat prej afërsisht gjashtë muajsh.
Sipas denoncuesit, këto mjete nuk u përkasin banorëve të lagjes, por janë lënë aty nga persona të tjerë dhe nuk janë larguar më.
“Jam një banor i rrugës Bargjini, Tiranë, dhe na zë frika të dalim me makinë se nuk gjejmë vende parkimi”, shprehet qytetari, duke shtuar se banorët kanë njoftuar disa herë Bashkinë e Tiranës, Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit.
Ai tregon se nga institucionet u është kërkuar të raportojnë rastet përmes aplikacionit “Tirana Ime”, por sipas tij, edhe pas rreth tre muajsh nga aplikimi, nuk ka pasur zgjidhje konkrete.
“Vetëm këtu te ne s’ka zonë rezidente për makina”, shprehet më tej qytetari, duke ngritur shqetësimin për mungesën e hapësirave të parkimit në një nga zonat e Tiranës.
Në kushtet kur hapësirat e parkimit janë të kufizuara dhe mjetet e braktisura vijojnë të zënë vende për muaj apo vite, qytetari shprehet i revoltuar: “Ka ngelur vetëm t’u vëmë flakën makinave”.
JOQ Albania sjell këtë denoncim për të ngritur shqetësimin e banorëve dhe për të kërkuar një përgjigje nga institucionet përkatëse: Përse këto mjete vijojnë të qëndrojnë në të njëjtin vend, pavarësisht denoncimeve të banorëve? View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

