Dy punonjës policie kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti rrugor të regjistruar pasditen e 28 gushtit në Kamëz. Automjeti me të cilin udhëtonin efektivët u përplas me një tjetër automjet, ndërsa të dy policët u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Në lidhje me ngjarjen, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka dhënë detaje mbi rrethanat e aksidentit, duke mohuar zërat se efektivët kanë qenë duke ndjekur një automjet tjetër në momentin e përplasjes.
Sipas policisë, automjeti i patrullës ishte duke kryer shërbimin në zonë kur u godit nga një makinë që drejtohej nga një 26-vjeçar me inicialet R. T. Ky i fundit, teksa lëvizte nga qendra e Kamzës në drejtim të rrugës “Berisha”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke shkaktuar aksidentin.
Si pasojë e përplasjes, dy efektivët kanë pësuar dëmtime dhe janë transportuar në spital për trajtim mjekësor. Sipas autoriteteve, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, drejtuesi 26-vjeçar nuk ka pësuar dëmtime. Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Policia e Tiranës ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet se patrulla ishte përfshirë në një ndjekje policore para momentit të përplasjes, duke e cilësuar këtë informacion si të pavërtetë.

