Një qytetare nga Tirana denoncon një problem që, sipas saj, është kthyer në një situatë të përditshme për banorët e një pallati pranë një fushe tenisi në zonën e Shallvares.
Në videon e dërguar në redaksinë e JOQ Albania, ajo tregon një automjet tip Mercedes-Benz, me targa AA 121 GE, të parkuar në hyrje të garazhit, duke penguar hyrje-daljen e automjeteve.
Sipas denoncueses, garazhi kryesor shërben për rreth 25 vende parkimi dhe sa herë një automjet lihet në hyrje, pronarët e këtyre garazheve mbeten të bllokuar dhe nuk mund të hyjnë apo të dalin me makinat e tyre.
“Pothuajse përditë na parkohen makina para garazhit. 25 qytetarë që kanë garazhet e tyre nuk mund të futen dhe as të dalin dot”, shprehet ajo.
Denoncuesja thotë se në raste të tilla ka telefonuar Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake. Sipas saj, në disa raste ka ardhur një punonjës policie, ka vendosur një gjobë prej 30 mijë lekësh të vjetra dhe është larguar, ndërsa automjeti ka vijuar të qëndrojë aty për disa orë.
“Polici vjen, i vë 30 mijë lekë gjobë dhe ikën. Makinat ndërkohë rrinë 4 orë aty”, tregon qytetarja.
Ajo thotë gjithashtu se, pas kontaktimit me Policinë Bashkiake, merr një përgjigje automatike, por problemi sipas saj nuk zgjidhet.
“Çfarë duhet të bëjë një qytetar që paguan taksat, blen garazhin, nuk shkel ligjin dhe kur vjen puna haset përditë me të njëjtën gjë?”, pyet ajo.
Denoncuesja kërkon ndërhyrjen e institucioneve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, pasi vendosja e gjobave, sipas saj, nuk po e pengon përsëritjen e të njëjtës problematikë. View this post on Instagram A post shared by JOQ Albania (@joqalbania)

