Seriali i famshëm turk “Lugina e Ujqërve” (“Kurtlar Vadisi Pusu”), që dikur boshatiste rrugët e qyteteve në orarin e transmetimit dhe ishte shumë i ndjekur edhe në Shqipëri, është rikthyer në qendër të vëmendjes për një arsye krejt tjetër.
Autoritetet turke po shqyrtojnë disa episode të serialit në kuadër të hetimit të rihapur për vdekjen e ish-pjesëtarit të Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës së Turqisë (MIT), Kaşif Kozinoğlu, i cili humbi jetën në burgun e Silivrit më 12 nëntor 2011.
Në dosje ka tërhequr vëmendjen personazhi Kazım Kaşifoğlu, një figurë e lidhur me botën e inteligjencës, për të cilin prej vitesh është pretenduar se ka ngjashmëri me Kozinoğlu-n.
Një nga detajet që po shqyrtohet lidhet me kohën e transmetimit të episodeve. Më 10 nëntor 2011, vetëm dy ditë para vdekjes së Kozinoğlu-t, u transmetua një episod ku Kaşifoğlu shfaqej i mbajtur në një qeli, ku dhunohej dhe kërcënohej.
Por ngjashmëritë nuk përfjnë këtu.
Në episodin 139, të transmetuar rreth një muaj pas vdekjes së Kozinoğlu-t, personazhi Kaşifoğlu shfaqet pasi ka bërë ushtrime fizike dhe ankohet për rritjen e pulsit. Më pas, ai hyn në dush, ku personazhi “Kara” e vret duke i injektuar ajër me shiringë.
Pikërisht këto skena kanë bërë që seriali të përfshihet në hetimin e ri. Prokuroria turke ka vendosur që disa pjesë të “Kurtlar Vadisi Pusu” të shqyrtohen nga një grup ekspertësh, përfshirë edhe pretendime për mesazhe të fshehta, propagandë dhe elemente të tjera të dyshuara në disa episode.
Në kuadër të hetimit, skenaristët Raci Şaşmaz, Bahadır Özdener dhe Cüneyt Aysan janë thirrur për të dhënë dëshmi si persona në dijeni të çështjes. Ata kanë dhënë deklarimet e tyre në Prokurorinë e Silivrit më 14 shtator.
Ndërkohë, hetimi për vdekjen e Kozinoğlu-t është rihapur pas më shumë se një dekade. Më 12 shtator, varri i tij në Ümraniye u hap dhe ekspertët morën mostra kockash, dheu dhe materiale të tjera për ekzaminim mjeko-ligjor, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes dhe nëse ka pasur ndërhyrje nga persona të tretë.
Kozinoğlu vdiq në burg në vitin 2011, ndërsa hetimi i parë për vdekjen e tij ishte mbyllur në vitin 2012. Dosja është rihapur në vitin 2026 dhe tashmë hetimet janë zgjeruar edhe te disa elemente të serialit.
Megjithatë, deri tani nuk ka një përfundim zyrtar se “Lugina e Ujqërve” ka pasur dijeni paraprake për vdekjen e Kozinoğlu-t apo se skenat e serialit kanë lidhje direkte me të. Këto janë pikërisht çështjet që autoritetet turke po përpiqen të verifikojnë.

