Nga kontrolli i informacionit dhe dezinformimi, te polarizimi i shoqërisë: teknikat që përdor Rusia për të ndikuar në vendimmarrjen e kundërshtarëve, për të minuar besimin e tyre te institucionet dhe për t'u dobësuar aftësinë për të reaguar... Që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, lufta njohëse (kognitive) është kthyer në një nga temat kryesore të debatit ndërkombëtar. Megjithatë, në rastin e Rusisë, kjo strategji ka nisur shumë më herët.
Nëse kufizohemi te zhvillimet e marrëdhënieve ndërkombëtare të dekadave të fundit, gjurmët e saj duhen kërkuar të paktën përpara pushtimit të Gjeorgjisë në vitin 2008. Lufta njohëse, është një formë konflikti që nuk synon të godasë drejtpërdrejt njerëzit, infrastrukturën apo territorin përmes forcës ushtarake.
Fusha e saj kryesore e betejës është mendja e njeriut. Ajo mund të përkufizohet si përdorimi sistematik dhe i koordinuar i informacionit, dezinformimit, propagandës, manipulimit psikologjik, operacioneve kibernetike dhe ndikimit kulturor, me qëllim ndryshimin e perceptimeve, bindjeve, emocioneve dhe proceseve vendimmarrëse të individëve, grupeve, qeverive dhe shoqërive të tëra.
Synimi nuk është shkatërrimi fizik i kundërshtarit, por shtrembërimi i mënyrës se si ai e percepton realitetin. Në këtë mënyrë, kundërshtari nxitet të marrë vetë vendime që i shërbejnë palës sulmuese, e humbet besimin te institucionet e veta, përçahet nga brenda dhe heq dorë nga reagimi.
Në rastet më të skajshme, mund të përfjë edhe duke mbështetur interesat e palës kundërshtare. Ndryshe nga lufta psikologjike tradicionale, e cila përdorej kryesisht si mjet taktik gjatë një konflikti të armatosur, lufta njohëse është e përhershme, shtrihet në shumë fusha dhe zhvillohet nën pragun e një përplasjeje të hapur.
Ajo shfrytëzon mediat, rrjetet sociale dhe teknologjitë e reja, si inteligjenca artificiale dhe neuroshkenca, për të ndikuar gradualisht në mënyrën se si një shoqëri mendon, percepton dhe merr vendime.
Shtylla e parë: Kontrolli refleksiv
Federata Ruse ka një traditë të gjatë në përdorimin e luftës njohëse, e cila i ka rrënjët në periudhën e Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë u zhvillua koncepti i njohur si “kontrolli refleksiv”, pjesë e të ashtuquajturave “masa aktive” (aktivnye meropriyatiya).
Ky ishte termi që përdorte Bashkimi Sovjetik për një gamë operacionesh të fshehta, ndikimi politik dhe destabilizimi, të cilat mund të mohoheshin zyrtarisht. Ato përfshinin krijimin e organizatave fasadë, mbështetjen e lëvizjeve politike miqësore, nxitjen e trazirave të brendshme dhe përhapjen e dezinformimit.
Kontrolli refleksiv nuk nënkupton thjesht përhapjen e pikëpamjeve politike apo strategjike të palës që e përdor. Ai është një mekanizëm shumë më i sofistikuar. Në vend që t’ia imponojë kundërshtarit vullnetin me forcë, kjo strategji i përcjell atij informacione të përzgjedhura dhe të manipuluara, qofshin të vërteta, të rreme apo pjesërisht të vërteta, në mënyrë që ai, duke arsyetuar mbi bazën e tyre, të arrijë vetë në vendimin që dëshiron pala tjetër.
Nuk përdoret presioni i drejtpërdrejtë, por aftësia e kundërshtarit për të arsyetuar. Ai nxitet të zgjedhë atë që i shërben palës tjetër, duke qenë njëkohësisht i bindur se vendimin e ka marrë lirisht. Që të funksionojë, kontrolli refleksiv kërkon plotësimin e tri kushteve.
Së pari, duhet njohur mënyra se si mendon kundërshtari: doktrina e tij, paragjykimet, frikërat dhe mekanizmat e vendimmarrjes. Së dyti, duhet kontrolluar informacioni që ai merr, pra çfarë sheh, çfarë nuk sheh dhe në çfarë renditjeje i paraqiten faktet.
Së treti, duhet krijuar një pamje e rreme e realitetit, në të cilën vendimi i dëshiruar nga pala kundërshtare të duket si zgjedhja më logjike, më e sigurt ose e vetmja e mundshme. Kjo është një formë mashtrimi strategjik, pjesë e konceptit rus të maskirovkës, pra artit të fshehjes, kamuflimit dhe mashtrimit të kundërshtarit, por në një nivel shumë më të sofistikuar.
Në të kaluarën e afërt, kemi parë shembuj të qartë të kësaj mënyre veprimi, krijimin e kërcënimeve të rreme, përhapjen e skenarëve të përshkallëzimit për ta shtyrë Perëndimin të vetëfrenojë reagimin e tij, si dhe ndërtimin e narrativave që e paraqesin mosveprimin si zgjedhjen më të arsyeshme.
Me pak fjalë, sipas doktrinës ruse, fitorja nuk arrihet domosdoshmërisht duke shkatërruar ushtrinë kundërshtare, por duke e bindur atë se e ka humbur tashmë luftën ose se nuk ia vlen as të luftojë.
Shtylla e dytë: Kaosi informativ
Shtylla e dytë e luftës njohëse ruse është dominimi i hapësirës informative, i shoqëruar me relativizimin dhe mohimin e së vërtetës. Synimi është krijimi i një mjegulle të tillë informacioni, saqë publiku të mos jetë më në gjendje të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra.
Për këtë qëllim, burimet online mbushen me informacione të manipuluara përmes mediave shtetërore, blogjeve, rrjeteve sociale dhe, mbi të gjitha, rrjeteve të llogarive të automatizuara, të njohura si ferma boot-esh. Hapësira informative vërshohet me versione të shumta, kundërthënie, teori, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra.
Synimi është të krijohet konfuzion dhe të shfrytëzohet prirja relativiste e një pjese të mendimit perëndimor, që shpesh i trajton faktet si çështje interpretimi. Kjo metodë, njihet edhe si “firehose of falsehood” ose "orteku i pandërprerë i gënjeshtrave”.
Ajo ka të bëjë me përhapjen e një sasie të madhe informacioni, me shpejtësi, përmes të gjitha kanaleve të mundshme, pa u shqetësuar nëse versionet e ndryshme përputhen me njëri-tjetrin. Synimi nuk është të provohet se pala që përhap këto informacione ka të drejtë, por të bëhet aq e vështirë dhe e lodhshme përgënjeshtrimi i tyre, saqë njerëzit dhe institucionet të dekurajohen nga përpjekja për ta bërë këtë.
Kjo mënyrë veprimi, është veçanërisht efikase jo vetëm për shkak të relativizmit, por edhe për shkak të pluralizmit të demokracive perëndimore, ku liria e informimit vazhdon të jetë një parim themelor. Në këtë mjedis kaotik, edhe një fakt i provuar dhe i dokumentuar mund të vihet në dyshim dhe përfundimisht të zhduket mes zhurmës së krijuar nga mbingarkesa informative.
Shtylla e tretë: Përçarja e shoqërisë kundërshtare
Shtylla e tretë e luftës njohëse ruse, është nxitja e përçarjes dhe polarizimit brenda shtetit që synohet të goditet. Edhe në këtë rast, objektivi nuk është domosdoshmërisht imponimi i pikëpamjeve ruse, por krijimi i mosmarrëveshjeve ose thellimi i përçarjeve që lindin natyrshëm brenda një shoqërie demokratike.
Synimi është dobësimi i kohezionit shoqëror përmes mbjelljes së mosbesimit ndaj institucioneve, medias, politikës dhe aleancave ndërkombëtare. Kjo strategji, bëhet veçanërisht e efektshme kur shoqërohet me mbështetjen, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë përmes ndërmjetësve, të forcave dhe lëvizjeve politike që mund të kontribuojnë në dobësimin e mekanizmave qeverisës të një shteti.
Në këtë kontekst, së fundmi është zbuluar se një rrjet i fshehtë rus, është përpjekur të shfrytëzojë trazirat e muajit të kaluar në Francë. Përmes rrjeteve sociale, ai ka tentuar t’ia atribuojë protestat emigracionit të pakontrolluar dhe ta paraqesë qeverinë franceze si një organ që ka humbur kontrollin mbi situatën.
Shtylla e katërt: Doktrina e konfliktit të përhershëm
Shtylla e katërt, është koncepti rus i “konfliktit të përhershëm”, një qasje e trashëguar drejtpërdrejt nga periudha e Bashkimit Sovjetik. Sipas kësaj doktrine, kundërshtari është i përhershëm, konflikti nuk ndërpritet kurrë dhe paqja e vërtetë nuk ekziston.
Ndryshojnë vetëm intensiteti dhe mjetet me të cilat zhvillohet lufta. Në këtë kuadër, zhvillohet një formë e fshehtë e luftës politike, e cila përdor mjete dhe metoda klandestine për të siguruar informacione sekrete me interes strategjik, por edhe për të ndërmarrë veprime që synojnë të ndikojnë te kundërshtari dhe të dobësojnë pozitat e tij politike, ekonomike, shkencore, teknologjike dhe ushtarake.
Lufta njohëse zhvillohet pa ndërprerje, edhe në kohë paqeje, dhe vepron në një perspektivë afatgjatë. Ajo formëson perceptimet, dobëson vullnetin për rezistencë dhe përgatit terrenin psikologjik e politik për veprime të mëvonshme ushtarake, ekonomike ose diplomatike.
Rusia nuk e konsideron veten në paqe me Perëndimin vetëm sepse tanket nuk janë në lëvizje. Për Moskën, marrëdhënia me Perëndimin, është një gjendje e vazhdueshme konflikti me intensitet të ulët, që zhvillohet përmes operacioneve të ndikimit, dezinformimit, sabotazhit, presionit energjetik dhe manipulimit të perceptimeve.
Për këtë arsye, nga këndvështrimi i Moskës, heqja dorë nga lufta njohëse, do të ishte njësoj si çarmatosja e njëanshme në mes të luftës./Pamfleti nga “Il Giornale”lufta pa tanke ofensiva informative ruse perëndimi Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Opinion Fronti opozitar kërkon të rrëzojë Ramën, por kush e ka projektin për Tiranën? 13 Nëntor 2026, 14:4514:45Opinion Ah, sikur të bjerë shi në ditën e Evropës 13 Nëntor 2026, 14:4314:43Opinion Lufta e re e Evropës: Paniku si armë, pasiguria si front! 12 Nëntor 2026, 18:5718:57Opinion Ben Blushi: Me Blendi Fevziun për ‘Historitë e Çmendura të Tiranës’! 12 Nëntor 2026, 10:2410:24Opinion Gazi 6 miliardë dollarësh: Kush e zgjodhi kompaninë greke aktor? 12 Nëntor 2026, 07:2907:29Opinion Shqipëria e Ramës dhe Shqipëria reale: Anatomia e një krize 11 Nëntor 2026, 14:5214:52Opinion

