Lajme Zone
'Lufta në Iran mund të zgjasë edhe 6 muaj', ish-shefi i Pentagonit paralajmëron Trump: Rrezikojmë një tjetër 'konflikt pa fund' në Lindjen e Mesme
BotëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

'Lufta në Iran mund të zgjasë edhe 6 muaj', ish-shefi i Pentagonit paralajmëron Trump: Rrezikojmë një tjetër 'konflikt pa fund' në Lindjen e Mesme

Leon Panetta thotë se SHBA dhe Irani ndodhen në një ngërç të rrezikshëm, ndërsa paralajmëron se kaosi në Pentagon po dërgon një sinjal dobësie ndaj Kinës, Rusisë, Koresë së Veriut dhe kundërshtarëve të tjerë të Uashingtonit.

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta, paralajmëron se lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ka shumë gjasa të zgjasë edhe të paktën gjashtë muaj të tjerë, duke rrezikuar të kthehet në një tjetër konflikt të gjatë dhe pa fund në Lindjen e Mesme. Në një intervistë për The Guardian, Panetta tha se konflikti i nisur nga presidenti Donald Trump më shumë se gjashtë muaj më parë ka hyrë në një ngërç, nga i cili asnjëra palë nuk duket se ka një rrugë të qartë daljeje. LEXO edhe...Europa po tërheq tonelata ari nga Amerika! Pse tani, si zhvendosen shufrat e floririt dhe çfarë fshihet pas lëvizjes së bankave qendrore? “Nuk është sekret që Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë bllokuar në një ngërç të tmerrshëm, ku ka shumë pak mundësi për t'i dhënë fund kësaj lufte Mendoj se ka shumë gjasa që kjo luftë të vazhdojë edhe gjashtë muaj të tjerë pa u zgjidhur”, u shpreh ai Panetta, i cili drejtoi Pentagonin nga viti 2011 deri në 2013 dhe më parë CIA-n gjatë administratës së Barack Obamës, i bëri këto komente vetëm pak ditë pas dorëheqjes së papritur të sekretarit të Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll. Dorëheqja erdhi mes raportimeve për tensione me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me një seri shkarkimesh në drejtimin e ushtrisë. Sipas Panettës, ushtarët amerikanë po dërgohen në luftë në një moment kur në Pentagon ka trazira në strukturën drejtuese. “Ushtarët tanë po shkojnë në luftë në një kohë kur në Pentagon ka trazira të mëdha në zinxhirin komandues, gjë që krijon ndjesinë se askush nuk është në krye. Shqetësimi im më i madh është se jetojmë në një botë shumë të rrezikshme. Kërcënimet kryesore vijnë nga Kina, Rusia, Koreja e Veriut, terrorizmi dhe po, edhe nga Irani. Ajo që më shqetëson është se po u dërgojmë kundërshtarëve tanë një mesazh dobësie. Ndërsa ata vazhdojnë të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, e shohin SHBA-në si të dobët. Ky është një mesazh shumë i rrezikshëm”, deklaroi ish-shefi i Pentagonit. Pentagoni hodhi poshtë kritikat e Panettës. Zëdhënësi kryesor Sean Parnell deklaroi se Departamenti i Mbrojtjes po funksionon normalisht nën drejtimin e Pete Hegseth dhe se pretendimet për kaos janë të pabazuara dhe fyese për personelin ushtarak. Panetta rikujtoi se që në muajin mars kishte paralajmëruar se Trump ishte i bllokuar mes dy zgjedhjeve të vështira: të zgjeronte luftën për të eliminuar ndikimin e Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit ose të tërhiqej duke shpallur fitore, edhe pse konflikti nuk do të ishte zgjidhur. Sipas tij, presidenti amerikan ndodhet ende në të njëjtën pozitë. “Ai e ka futur veten në një kurth”, tha Panetta. Ish-drejtori i CIA-s tha se Trump ka vetëm tre rrugë përpara. Opsioni i parë është të tërhiqet dhe të pranojë se lufta ka dështuar, një skenar që Panetta nuk beson se presidenti amerikan është i gatshëm ta pranojë. Opsioni i dytë është vazhdimi i ngërçit aktual, me sulme të herëpashershme nga të dyja palët, ndërsa secila përpiqet të shmangë një përshkallëzim edhe më të madh. Në këtë skenar nuk do të ketë as negociata dhe as dorëzim, por një konflikt të zgjatur që, sipas tij, do të kthehej pikërisht në atë që të gjithë kanë frikë: një tjetër luftë pa fund në Lindjen e Mesme. Opsioni i tretë, sipas Panettës, është që SHBA të marrë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, duke i hequr Iranit mjetin kryesor të presionit ndaj Perëndimit. “Presidenti ose duhet të bëjë atë që është e nevojshme për të hapur Ngushticën e Hormuzit, ose do të vazhdojë të pretendojë se po fiton një ngërç, kur në fakt nuk është kështu”, tha ai. I pyetur nëse lufta mund të fitohet nga SHBA, Panetta u përgjigj se kjo është e mundur vetëm nëse objektivi kryesor bëhet rihapja e Ngushticës së Hormuzit. Ai akuzoi gjithashtu Trumpin se ka dëmtuar besueshmërinë e tij duke deklaruar vazhdimisht se një marrëveshje me Iranin është afër dhe se Hormuzi është i hapur. “Pyetja e vërtetë është nëse ai do të marrë një vendim për ta realizuar këtë. Për shumë arsye, ai ndodhet në situatën më të keqe të mundshme. Jo vetëm që nuk ka më besueshmëri, por edhe kërcënimet e tij po injorohen plotësisht”, tha Panetta. Ish-sekretari i Mbrojtjes u ndal edhe te klima politike në SHBA, duke thënë se shumë amerikanë kanë humbur besimin te aftësia e Trumpit për të menaxhuar luftën. Ai iu referua sondazheve të fundit, sipas të cilave shumica e amerikanëve besojnë se konflikti me Iranin ishte një gabim dhe kundërshtojnë vazhdimin e tij. Panetta shprehu shqetësim edhe për mënyrën se si po trajtohen trupat amerikane. Ai përmendi aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, e cila këtë javë mbërriti në Tajlandë pas një dislokimi rekord prej më shumë se 260 ditësh në mbështetje të operacioneve kundër Iranit, pa hyrë asnjëherë në port. Gjatë misionit pati raportime për përkeqësim të kushteve të jetesës dhe probleme të shëndetit mendor në bord. “Nuk mund t'i mbash njerëzit pafundësisht në një zonë lufte pa pasur një plan rotacioni”, tha ai. Sipas Panettës, problemi nuk është vetëm ecuria e luftës, por edhe fakti se po krijohet mungesë besimi te mënyra se si ushtria amerikane mbështet ushtarët që rrezikojnë jetën në front. Ndërkohë, nënpresidenti amerikan JD Vance ka shmangur përdorimin e termit “luftë” për konfliktin me Iranin. I pyetur nëse përplasja do të ketë përfunduar deri në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, në nëntor, ai u përgjigj se nuk e di dhe se për këtë “duhet të pyesni iranianët”. U.D/ReportTv.al Leon Panetta CIA Pentagon lufta ne lindjen e mesme donald trump Komento Komente Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni? Të drejtë 74.8% Të gabuar 20.9% Nuk e di 4.3% Vota total: 4911 Sondazhi i ditës: Qeveria bllokon pagat e magjistratëve pasi KLGJ e KLP i rritën vetë, si e vlerësoni?