Përplasjet brenda Partisë Socialiste vijojnë të shoqërohen me mesazhe të forta në rrjetet sociale. Elisa Spiropali ka publikuar një fotografi me veshje ushtarake, të cilën e ka shoqëruar me një mesazh që duket si një kundërpërgjigje ndaj zhvillimeve të fundit politike brenda mazhorancës. “Thanë puçi dështoi, por unë sapo kam nisur…”, shkruan Spiropali në postimin e saj. Postimi vjen pas disa përplasjeve mes saj dhe Ramës në mbledhjet e grupit parlamentar socialist pak kohë më parë, si dhe në një periudhë kur marrëdhëniet mes kryeministrit dhe Erion Veliajt janë shndërruar në një konflikt të hapur publik. Tensionet mes Ramës dhe Spiropalit janë “ndezur” gjatë muajve të fundit, veçanërisht pas largimit të kësaj të fundit nga posti i ministres së Jashtme. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së më 28 mars, Rama iu drejtua ashpër Spiropalit, duke i kërkuar të mos ndërhynte në diskutim. “Ti mos e hap gojën fare fare”, mësohet t’i ketë thënë kryeministri. Një tjetër përplasje u raportua më 27 prill, kur gjatë një mbledhjeje të grupit socialist, Rama i kërkoi Spiropalit të mos krijonte tensione brenda partisë. Sipas burimeve të publikuara nga mediat, kryeministri i kishte thënë: “O me ne, o përballë nesh”, ndërsa Spiropali e kishte pyetur nëse kishte autoritet për ta përjashtuar nga grupi.
Pas këtyre episodeve, Spiropali ka zgjedhur disa herë të reagojë përmes postimeve në rrjetet sociale, me mesazhe që janë interpretuar si kritika ndaj mënyrës së drejtimit të partisë dhe zhvillimeve brenda saj.
Në të njëjtën kohë, një tjetër konflikt i rëndësishëm brenda së majtës është ai mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Kryebashkiaku Veliaj, pas transferimit të burgun e Fierit, ka akuzuar Ramën për presion ndaj tij dhe ka mohuar pretendimet se kishte organizuar protesta kundër qeverisë. Në një prej mesazheve të publikuara, Veliaj shkruante: “Vërtetë kam më pak liri se kryeministri, por kam shumë herë më tepër dinjitet se ai”. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, nga ana e tij, ka mohuar pretendimet se i kishte kërkuar Veliajt dorëheqjen. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

