Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe ish-drejtori i CIA-s, Leon Panetta, paralajmëron se konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të zgjasë edhe gjashtë muaj të tjerë, duke rrezikuar të shndërrohet në një tjetër luftë të zgjatur amerikane në Lindjen e Mesme. Në një intervistë për The Guardian, Panetta tha se SHBA-të dhe Irani ndodhen në një ngërç të rrezikshëm, me shumë pak mundësi për një përfundim të shpejtë të konfliktit. Sipas tij, lufta mund të përsëritë skenarët e Irakut dhe Afganistanit, të cilët i cilësoi si shembuj të luftërave të dështuara dhe të zgjatura.
“Ka shumë të ngjarë që kjo luftë të vazhdojë edhe për gjashtë muaj të tjerë pa u zgjidhur”, deklaroi Panetta.
Sipas ish-shefit të Pentagonit, presidenti Donald Trump është përballë një situate ku çdo alternativë mbart kosto të mëdha politike dhe ushtarake.
Panetta tha se Trump ka tre mundësi kryesore: të tërhiqet nga konflikti dhe të pranojë se lufta ka dështuar; të vazhdojë ngërçin aktual me sulme periodike nga të dyja palët; ose të ndërmarrë një veprim më agresiv për të siguruar kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, duke synuar eliminimin e një prej mjeteve kryesore të presionit të Iranit.
Sipas tij, presidenti amerikan “e ka mbyllur veten” në këtë situatë dhe po përballet me vështirësi për të gjetur një rrugëdalje.
Panetta e konsideron rihapjen e Ngushticës së Hormuzit si objektivin kryesor që do t’i jepte SHBA-ve një mundësi për ta përfunduar konfliktin me një rezultat të qartë.
Ai argumentoi se aftësia e Iranit për të mbyllur ose penguar trafikun në këtë rrugë ujore përbën një nga instrumentet më të fuqishme të Teheranit ndaj SHBA-ve dhe ekonomisë globale.
Sipas Panettas, lufta mund të konsiderohet e fitueshme për SHBA-të vetëm nëse Uashingtoni ndryshon në mënyrë dramatike strategjinë dhe e vendos rihapjen e ngushticës në qendër të objektivave të tij.
Panetta shprehu shqetësim edhe për situatën brenda Pentagonit, duke iu referuar dorëheqjes së papritur të sekretarit të Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, dhe raportimeve për tensione mes zyrtarëve të lartë të mbrojtjes.
Sipas tij, trupat amerikane po shkojnë në luftë në një periudhë kur ekzistojnë “trazira të jashtëzakonshme” në strukturën e komandës.
Panetta paralajmëroi se kjo mund t’u japë kundërshtarëve të SHBA-së përshtypjen se Uashingtoni është i dobët dhe se nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të zbatuar strategjinë e tij ushtarake.
Pentagoni i ka kundërshtuar këto vlerësime, duke deklaruar se institucioni po funksionon normalisht nën drejtimin e sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, i cilësoi pretendimet për një institucion “në rrëmujë” si të pabazuara.
Ish-sekretari i Mbrojtjes kritikoi gjithashtu deklaratat e përsëritura të Trumpit se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është pranë dhe se Ngushtica e Hormuzit është e hapur.
Sipas Panettas, këto deklarata kanë dëmtuar besueshmërinë e presidentit, veçanërisht nëse rezultatet në terren nuk përputhen me deklaratat e tij.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar ndërkohë se nuk e konsideron konfliktin aktual me Iranin si një “luftë” dhe ka pranuar se nuk e di nëse përplasjet do të përfjnë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, në nëntor. Top Channel

