Edi Rama Rama ka shpallur uljen e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte të shportës ushqimore, por pranon se tregtarët mund të mos e pasqyrojnë plotësisht këtë ndryshim në çmime... Në podkastin e tij “Flasim”, Edi Rama iu rikthye Paketës Fiskale 2027, duke u ndalur te ulja e TVSH-së për 54 produkte ushqimore. Kryeministri deklaroi se Parlamenti, me propozim të qeverisë, ka vendosur ta ulë këtë taksë nga 20% në 6%, me synimin që qytetarët të paguajnë më pak për ushqimet bazë.
Por gjatë të njëjtit diskutim, Rama pranoi edhe problemin kryesor të kësaj mase: ulja e taksës nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve në raftet e supermarketeve. Në fakt, këtu qëndron dallimi mes vendimit fiskal dhe efektit real në xhepat e qytetarëve.
Nëse një produkt kushton 120 lekë, nga të cilat 20 lekë përbëjnë TVSH-në, ulja e normës nga 20% në 6% do ta çonte çmimin në 106 lekë, në rast se tregtari ruan të pandryshuar çmimin pa TVSH. Pra, konsumatori do të kursente 14 lekë, ose rreth 11.7% të çmimit fillestar.
Por nëse tregtari e mban çmimin 120 lekë, diferenca nuk përfn te konsumatori. Ajo mbetet në çmimin e shitjes pa TVSH, duke rritur të ardhurat e tregtarit për njësi, përpara llogaritjes së kostove dhe detyrimeve të tjera.
Pikërisht këtë mundësi pranoi edhe Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të rrjeteve të marketeve.
“Kapitalizmi është kafshë e egër, nuk bëhet kapitalizmi lepur”, deklaroi kryeministri, duke pranuar se bizneset mund të synojnë ruajtjen e fitimeve edhe pas lehtësimit fiskal.
Mirëpo ulja e TVSH-së është një vendim i qeverisë, ndërsa çmimin përfundimtar e përcakton tregtari. Për këtë arsye, rezultati i masës nuk mund të matet vetëm me ndryshimin e normës tatimore në ligj.
Rama njoftoi se qeveria do të shtojë kontrollet dhe u kërkoi qytetarëve të përdorin “Pasqyrën Dixhitale të Çmimeve”, ku bizneset pjesëmarrëse raportojnë çmimet e 224 produkteve.
Ky instrument u jep konsumatorëve mundësinë të krahasojnë çmimet mes pikave të shitjes. Por krahasimi nuk është i njëjtë me kontrollin e zbatimit të uljes së TVSH-së.
Për të vërtetuar se masa ka funksionuar, duhen krahasuar çmimet e të njëjtave produkte përpara dhe pas hyrjes në fuqi të normës së re. Duhet gjithashtu të përcaktohet nëse kontrollet do të verifikojnë vetëm zbatimin e normës tatimore apo edhe ndryshimin e çmimit përfundimtar.
Nga podkasti, Rama nuk dha një afat për këto verifikime dhe as një metodologji për matjen e përfitimit të konsumatorëve.
“Kapitalizmi është kafshë e egër, nuk bëhet kapitalizmi lepur. Ju do e shikoni që kjo do sjellë impakt të menjëhershëm në momentin kur ju do keni një TVSH më të ulët. Shpesh herë nuk e kuptoj, gjyshja ime që nuk kishte shumë shkollë, por që lexonte libra çdo pasdite thoshte një shprehje ‘fqinj i lumtur, shtëpi e lumtur’. Që do të thotë se ti mund të pasurohesh dhe të kesh shumë gjëra, por nëse ai që është afër teje nuk arrin dot të nxjerrë fundin e muajit, duhet të mendosh edhe për të në kontributet që jep, sepse pastaj do vij te ty. Një shoqëri që zhvillohet dhe në një zhvillim kapitalist, si në Shqipërinë e këtyre viteve, që zhvillimi fillon e merr një ritëm të ri, krijon vetvetiu hendeqe me ata që mbeten pas. Prandaj duhet ndërhyrja e Qeverisë.
Kështu që më mirë që këta njerëzit që e kanë më të vështirë sesa të tjerët që të ngrenë atë shportën me ushqime ta marrin më lirë sesa ç’do të ishte fitimi maksimal, sesa ajo shporta t’u bëhet një barrë aq e madhe sa një ditë të vijnë në xhamat e magazinës time. Unë e kuptoj shumë mirë këtë pjesë dhe e di që me predikime nuk zbutet kapitalizmi, por gjyshja ime kishte edhe diçka tjetër. Ajo besonte se ka edhe një botë tjetër, ku ka një biletë për të shkuar në ferr, në parajsë apo purgator. Ajo kur isha i vogël ma shpjegonte si kinema”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për hendekun mes shtresave shoqërore, duke argumentuar se qeveria duhet të ndërhyjë për të ndihmuar familjet që kanë vështirësi të përballojnë shportën ushqimore.
Por ulja e TVSH-së nuk bën dallim mes konsumatorëve sipas të ardhurave. Të njëjtën normë prej 6% e paguan si familja me të ardhura të ulëta, ashtu edhe konsumatori me të ardhura të larta, kur blejnë të njëjtin produkt.
Për këtë arsye, efekti social i masës varet nga dy elemente të matshme: sa ulen realisht çmimet dhe sa shpenzojnë familjet për produktet që përfitojnë nga norma e reduktuar.
Qeveria ka vendosur uljen e TVSH-së për 54 produkte dhe ka prezantuar një instrument krahasimi për 224 produkte. Këto janë dy masa të ndryshme, me funksione të ndryshme.
Tani mbetet të dokumentohet sa nga ulja prej 14 pikë përqindjeje e TVSH-së do të reflektohet në çmimet e ushqimeve. Pa këtë krahasim, vendimi fiskal mund të konstatohet në ligj, por përfitimi i qytetarëve nuk mund të përcaktohet vetëm nga deklaratat e qeverisë. /Pamfleti/ rama cmime produkte Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Euro vijon nën kufirin e 100 lekëve, me sa blihen dhe shiten monedhat e huaja sot 22 Nëntor 2026, 07:5707:57Ekonomi Një SMS, një klikim, një llogari bankare në rrezik; si po veprojnë mashtruesit online 22 Nëntor 2026, 07:2407:24Ekonomi Si do të ndahet 'torta' e buxhetit mes institucioneve? Nga SPAK e SHISH te Policia, Garda dhe gjykatat 21 Nëntor 2026, 19:1319:13Ekonomi FMN i prish llogaritë Ramës: Buxhetit 2027 i mungojnë 8,8 miliardë lekë për të përmbushur rekomandimet! 21 Nëntor 2026, 14:0014:00Ekonomi Kursi i këmbimit 21 nëntor, me sa shiten dhe blihen sot euro dhe dollari 21 Nëntor 2026, 07:1807:18Ekonomi FMN kritikon paketën fiskale 2027: Ndihma të shkojë direkt te familjet në nevojë 20 Nëntor 2026, 20:5720:57Ekonomi

