Lajme Zone
LIVE TV- Kuvend/ Diskutime për pagat e magjistratëve! PS propozon rritje sa 2% e pagës së Presidentit! Bardhi: Puç kushtetues, votojmë kundër! Rama në seancë
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

LIVE TV- Kuvend/ Diskutime për pagat e magjistratëve! PS propozon rritje sa 2% e pagës së Presidentit! Bardhi: Puç kushtetues, votojmë kundër! Rama në seancë

Në Kuvend ka nisur diskutimi i projektligjit të PS-së për pagat e magjistratëve. Drafti i PS parashikon rritje me rreth 8 500 lekë të pagës referuese, ndërsa magjistratët kërkojnë një rritje rreth 9 herë më të lartë, të miratuar edhe nga KLGJ e KLP. “Koeficienti 0.38 është rezultat i një vlerësimi të balancuar. Ai korrigjon efektin e ngrirjes së konstatuar nga gjykata, siguron një trajtim financia

Në Kuvend ka nisur diskutimi i projektligjit të PS-së për pagat e magjistratëve. Drafti i PS parashikon rritje me rreth 8 500 lekë të pagës referuese, ndërsa magjistratët kërkojnë një rritje rreth 9 herë më të lartë, të miratuar edhe nga KLGJ e KLP. “Koeficienti 0.38 është rezultat i një vlerësimi të balancuar. Ai korrigjon efektin e ngrirjes së konstatuar nga gjykata, siguron një trajtim financiar në përputhje me rëndësinë dhe kufizimet e funksionit dhe, në të njëjtën kohë, ruan përballueshmërinë e detyrimit për financat publike. Efektet financiare të formulës do të njihen nga data 1 prill 2023. Detyrimet që krijohen për periudhën nga 1 prilli 2023 deri në 31 korrik të vitit 2026 do të mund të shlyhen gradualisht, por jo më vonë sesa dy vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji", tha Aulona Bylykbashi. LEXO edhe...Pagat e magjistratëve/ Bylykbashi: Qeveria ka shkelur vendimin e Kushtetueses! Çështja do shkojë sërish në Kushtetuese, s'ka zgjidhje tjetër Partia Demokratike e kundërshton draftin, të cilin Gazment Bardhi e cilësoi një “puç kushtetues”, dhe ka paralajmëruar votën kundër. Në sallë ka mbërritur edhe kryeministri Edi Rama. “Projektligji që po diskutojmë sot ka të bëjë me shtetin shqiptar, me sistemin institucional dhe Kushtetues të Shqipërisë. Ju keni vendosur jo të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni rendin kushtetues në vend. Keni vendosur të vazhdoni një puç kushtetues të nisur që në vitin 2017 lidhur me këtë çështje", tha mes të tjerash Bardhi. Opozita kërkoi më herët tërheqjen e projektligjit për konsultime të mëtejshme me institucionet e drejtësisë, por kërkesa u rrëzua me 79 vota kundër. Lajmi në përditësim.... Ora 22:00 Manja: Mazhoranca kurrë nuk i ka ulur pagat e magjistratëve, përballjet në Kushtetuese kanë qenë vetëm për masën e rritjes! Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, është shprehur se mazhoranca nuk i ka ulur kurrë pagat e magjistratëve, por sipas tij, ‘përplasjet’ në Gjykatën Kushtetuese kanë qenë vetëm për masën e rritjes së pagave të gjyqtarëve e prokurorëve.Teksa e cilësoi të rëndësishme pavarësinë financiare të sistemit të Drejtësisë, Manja tha gjithashtu se e rëndësishme është edhe menaxhimi i financave publike për Kuvendin.“Nisma të tilla që prekin buxhetin e shtetit kërkojnë mendimin e Këshillit të Ministrave. Ka një pretendim këtu se nisma që do votojmë këtu është tërësisht e ndryshme nga varianti fillestar i depozituar nga nismëtarët. Jo të nderuar kolegë. Kjo që ju bëni këtu se ju qan shpirti për pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, është politikë. Është e vërtetë se pas miratimit në vitin 2016 kemi shkuar disa herë në Kushtetuese, por asnjëherë nuk kemi shkuar si një përplasje mes legjislativit e gjyqërorit, por për masën e rritjes së pagave e prokurorëve. Mazhoranca nuk ka bërë ulje të pagave për magjistratët. Pavarësia financiare e sistemit të Drejtësisë është e rëndësishme, por edhe përgjegjësia e menaxhimit të financave publike është shumë e rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë”, tha mes të tjerash Manja. Share Ora 21:44 Pagat e magjistratëve/ Bylykbashi: Qeveria ka shkelur vendimin e Kushtetueses! Çështja do shkojë sërish në Kushtetuese, s'ka zgjidhje tjetër Deputeti i Partisë Demokratike e cilësoi debatin mes Qeverisë dhe institucioneve të Drejtësisë për pagat e magjistratëve, si një debat aspak fisnik, në një moment që sipas tij një pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë në krizë të thellë ekonomie.Megjithëatë ai theksoi se Qeveria po shkel vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, teksa shtoi se kjo përplasje do të çojë në ‘ndarjen e pushteteve’, pasi sipas tij do të fitohet nga magjistratët.“Debati për pagat e gjyqtarëve është një debat aspak fisnik, në një moment që në shesh ka njerëz që nuk u del pensioni, nuk u dalin pagat dhe nuk mbyllin dot muajin. Kur na dëgjojnë, shkulin qimet e kokës. Por gjithësesi ky nuk është një diskutim populist. Ka disa që thonë ku do i gjejmë paratë për pagat e magjistratëve. Mjafton që të kursejmë masakrën e buxhetit publik që po i bëni përditë me modelin korruptiv që keni dhe ka para jo për magjistratët, por për t’ja rritur pagën të gjithë atyre që shërbejnë në administratë. S’ka njeri që nuk e di se çfarë vjedhje gjigande me milionë euro keni bërë ju me këto koncesione e PPP. Modeli KAYO Yeffet është kulmi. Këta kanë ardhur me projekt gjigant për të grabitur shqiptarët me breza. Janë interesa miliarda.Që ta kesh këtë gjë, duhet të kapësh pushtetet. Sot s’ka gjyqtarë, janë mbi 200 mijë çështje që rrijnë nëpër gjykatë. Janë më shumë se gjysmë milioni në çështje gjyqësore. Pra ¼ e popullsisë. Kjo është drejtësia që prodhoi në dhjetë vite Reforma në Drejtësi. Ajo që ju sot doni të votoni është në shkelje flagrante të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë përballje, që nuk është një konflikt kushtetues, por një krizë kushtetuese e qëllimshme e shkaktuar nga Rama. Por këtë krizë do e fitojnë gjyqtarët e prokurorët. Në këtë krizë do definojë diçka shumë e rëndësishme, ndarja e pushteteve, kontrolli e balanca. Unë preferoj të keqen më të vogël, mbështes gjyqtarët e prokurorët. Ka ardhur koha të zhbëjmë këtë kontroll totalitar mbi çdo aspekt të jetës së këtij vendi. Të krijojmë ishujt e pavarësisë. Çështja do shkojë sërish në Kushtetuese, s'keni zgjidhje tjetër”, tha mes të tjerash Bylykbashi. Share Ora 21:36 Pagat e magjistratëve/ Gogu: Ndryshimi bëhet vetëm me ligj, askush nuk mund t’ia caktojë vetes! Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi në Kuvend se përcaktimi i pagave të magjistratëve është kompetencë e ligjvënësit dhe se askush nuk mund t'ia caktojë vetes. Ai pranoi se afati i 31 korrikut për ndryshimet ligjore ka kaluar.Sipas Gogut, formula e propozuar rrit koeficientin e pagës dhe ruan mekanizmin e indeksimit. Ai theksoi se Kuvendi duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë, duke mbajtur njëkohësisht përgjegjësi për përdorimin e parave të qytetarëve.“Sot Kuvendi i Shqipërisë ka dy detyra, nuk ka një, ka dy detyra. Nga njëra anë duhet të mbrojë pavarësinë e sistemit të drejtësisë, gjyqësorit, dhe nga ana tjetër duhet të mbrojë çdo qindarkë të qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë për atë drejtësi. Afatin e 31 korrikut e kemi thënë në komision që ka kaluar. Prandaj kjo shumicë ka ardhur sot të mbushë atë boshllëk që ka krijuar kalimi i atij afati. Nuk ka ardhur ta komentojë, nuk ka ardhur ta anatemojë, nuk ka ardhur ta mallkojë, ka ardhur ta mbushë atë boshllëk. Dhe sot ka një ligj përpara këtij Kuvendi, të paraprirë dhe të udhëhequr nga një pyetje, nga pyetja e duhur: Kush vendos për pagat e gjyqtarëve? Dhe nuk e ka shpikur pyetjen. E ka marrë tamam nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili zbërthen parimin kushtetues dhe shkruan: detyrimi i Kuvendit të miratojë ndryshimet ligjore të nevojshme. Jo i qeverisë, jo i këshillave, jo i ministrit të Drejtësisë, detyrimi i këtij Kuvendi.“Paga e gjyqtarit kalon vetëm nga një derë. Paga e magjistratit kalon vetëm nga një derë. Paga e doktorit kalon vetëm nga një derë. Paga e infermierit kalon vetëm nga një derë. Paga e zjarrfikësit kalon vetëm nga një derë. Dhe ajo derë është ligji. Ligji. Ky është parimi që ka ndjekur kjo shumicë sot me atë projekt që ka ardhur dhe rregulli bazë që ka ndërtuar gjithë arkitekturën e pagave në këtë republikë është: askush nuk duhet të ketë diskrecionin t’ia caktojë vetes pagën e vet. Sepse kur dikush i cakton vetes pagën e vet, nuk është më një rregull i përgjithshëm, por është një përjashtim. Buxheti i shtetit nuk është ai dollapi me shumë sirtarë ku secili pushtet apo secili institucion ka sirtarin e vet. Ka vetëm një arkë dhe ajo arkë është e qytetarit shqiptar. Nuk është arka as e ministrave, as e qeverisë, as e gjyqtarëve apo e doktorëve. Është arka e qytetarëve shqiptarë, që e ruan ky Kuvend dhe e ruani ju, të nderuar kolegë", tha Gogu. Share Ora 21:24 Pagat e magjistratëve/ Bardhi: Drafti i PS, “puç kushtetues”! Shkel vendimin e Kushtetueses, vota jonë kundër Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi në Kuvend projektligjin e PS-së për pagat e magjistratëve, duke e cilësuar një “puç kushtetues”. Sipas tij, mazhoranca po shpërfill për herë të tretë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe po cenon garancitë financiare të gjyqtarëve e prokurorëve. Bardhi tha se formula e propozuar nuk përmbush standardet e vendosura nga Kushtetuesja dhe konfirmoi votën kundër të PD-së.“Projektligji që po diskutojmë sot nuk ka të bëjë as vetëm me gjyqësorin, as vetëm me legjislativin dhe as vetëm me ekzekutivin. Ka të bëjë me shtetin shqiptar, ka të bëjë me sistemin institucional dhe kushtetues të Republikës së Shqipërisë. Ju nuk keni vendosur të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni shtetin shqiptar, të sfidoni rendin kushtetues në vend. Shkurt, keni vendosur të vazhdoni një puç kushtetues të nisur që prej vitit 2017 lidhur me këtë çështje.”“Gjyqtarët dhe prokurorët nuk po kërkojnë rritjen e pagës së tyre. Nëse do të kërkonin një rritje të re të pagës, nuk do të kishin as mbështetjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. E vërteta është se prokurorët dhe gjyqtarët e Republikës po kërkojnë të marrin pagën që ky Kuvend ua përcaktoi në vitin 2016", tha Bardhi. Share Ora 21:15 Pagat e magjistratëve/ Bylykbashi prezanton draftin e PS: Rritje sa 2% e pagës së Presidentit Deputetja e PS-së, Aulona Bylykbashi, prezantoi në Kuvend projektligjin për pagat e magjistratëve, që parashikon rritjen e koeficientit nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit. Sipas saj, formula zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe është e përballueshme për buxhetin. Detyrimet e prapambetura, nga prilli 2023 deri në korrik 2026, parashikohet të shlyhen brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.“Koeficienti 0.38 është rezultat i një vlerësimi të balancuar. Ai korrigjon efektin e ngrirjes së konstatuar nga gjykata, siguron një trajtim financiar në përputhje me rëndësinë dhe kufizimet e funksionit dhe, në të njëjtën kohë, ruan përballueshmërinë e detyrimit për financat publike. Efektet financiare të formulës do të njihen nga data 1 prill 2023. Detyrimet që krijohen për periudhën nga 1 prilli 2023 deri në 31 korrik të vitit 2026 do të mund të shlyhen gradualisht, por jo më vonë sesa dy vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji.” Share Ora 20:04 Ministri Salla në Kuvend: Vijimi i anëtarësimit në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit, mbështetje për cilësinë dhe konkurrueshmërinë e vajit shqiptar Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot në Kuvend projektligjin për pranimin e ndryshimit të Marrëveshjes Ndërkombëtare për Vajin e Ullirit dhe Ullinjtë e Tavolinës, duke garantuar vijimësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Këshillin Ndërkombëtar të Ullirit (COI), ku Shqipëria është anëtare prej vitit 2009.Në fjalën e tij, Ministri Salla theksoi rëndësinë që ullishtaria dhe prodhimi i vajit të ullirit kanë për bujqësinë shqiptare, si një aktivitet tradicional dhe burim të ardhurash për fermerët dhe familjet e angazhuara në kultivimin, përpunimin dhe tregtimin e këtij produkti.“Në vitet e fundit ky sektor ka njohur zhvillim të qëndrueshëm. Është investuar në përmirësimin e teknologjisë së përpunimit, në kushtet e ruajtjes dhe të prodhimit, si dhe në rritjen e cilësisë së vajit të ullirit. Krahas rritjes së prodhimit, gjithnjë e më shumë vëmendja po drejtohet te cilësia, standardizimi dhe krijimi i mundësive më të mira për tregtimin e produkteve shqiptare”, u shpreh Salla.Projektligji parashikon pranimin e vendimit të Këshillit të Anëtarëve të COI-së për ndryshimin e nenit 36 të Marrëveshjes. Sipas ndryshimit të miratuar më 24 qershor 2024, Marrëveshja do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2026, me mundësi zgjatjeje për periudha të njëpasnjëshme, secila jo më e gjatë se pesë vjet.“Me miratimin e këtij projektligji sigurojmë vazhdimësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë organizatë dhe ruajmë aksesin e sektorit shqiptar në standardet, informacionin, ekspertizën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar që ajo ofron”, theksoi Ministri.Ministri Salla sqaroi se ndryshimi nuk krijon angazhime të reja ndërkombëtare dhe as kosto financiare shtesë për Buxhetin e Shtetit, përtej kontributit vjetor ekzistues të Shqipërisë si vend anëtar.“Synimi ynë është që fermerët dhe operatorët shqiptarë të përfitojnë gjithnjë e më shumë nga rritja e cilësisë dhe e vlerës së prodhimit të tyre dhe që vaji shqiptar i ullirit të jetë një produkt gjithnjë e më i njohur dhe konkurrues”, përfi Ministri Salla. Share Ora 19:48 ‘Balluku, 1.2 miliardë euro abuzim në vetëm 8 procedura tenderash’- Bardhi në Kuvend: SPAK ende s’po gjen kurajon të kërkojë heqjen e imunitetit të saj Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se pavarësisht rëndimit të akuzave penale ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, SPAK ende nuk po gjen kurajon për të kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, me qëllim arrestimin e saj.“Rastin e Ballukut e dimë të gjithë. 1.2 miliardë euro abuzim, vetëm në 8 procedura tenderi. 2 vila të fshehura të sekuestruara. 3 akuza të reja për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Dhe sot në ditën e shtatë të bërjes publike të këtyre fakteve, SPAK akoma nuk gjen kurajon të vijë në Parlament për të kërkuar heqjen e imunitetit për arrestimin e Ballukut. Korrupsioni, krimi e pandëshkueshmëria është kthyer në normalitet”, tha mes të tjerash Bardhi. Share Ora 19:19 Korreshi ironizon Qeverinë: Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te inteligjenca artificiale! Patronazhistët dinë nëse i kemi prerë thonjtë apo jo Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ironizuar Qeverinë, e cila synon një përhapje më të gjerë të inteligjencës artificiale në institucione.Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Korreshi tha me ironi se në fshat njerëzit janë akoma te parmenda, ndërkohë që Qeveria flet për inteligjencë artificiale.Komentet Korreshi i bëri teksa në Kuvend po diskutohej projektligji “Për ratifikimin e Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës”.Korreshi akuzoi gjithashtu Partinë Socialiste se përmes patronazhistëve, ka marrë ilegalisht çdo të dhënë të qytetarëve.“Ne nga fshati jemi akoma te parmenda, ju po na çoni te Inteligjenca artificiale. Unë kam parë që qendrat shëndetësore nuk kanë as poç, nuk ka shkuar as energjia elektrike. Si do bëj ajo infermierja apo doktoresha në këto qendra shëndetësore, për të hyrë te sistemi juaj. Me ça mrrokulle do hyjnë. Do dali në pazar të gjejë një kamer me inteligjencë artificiale? Kjo është inteligjenca juaj artificiale. E nisët me Diellën, morët ca lekë. Aktorja tha më hiqni surratin se më morët më qafë. Kjo është situata. Pastaj ju thoni do vëmë kamera nëpër shkolla, kamera këtu e atje. Ore i keni parë ndonjëherë sistemet sot si funksionojnë? Shkoni te Kadastra, 3 muaj nuk punonte ASHK se s’punonte mrrokulla. I morëm mrrokullat nga Lushnja në kurriz e i çuam në Fier. Ju keni sahatët në rrugë, po i shkel lopa, po i ha gomari, ju thoni Smart City. Mos na merrni edhe të dhënat e kalamajve, se s’ka patronazhistë tuajët që s’na dinë edhe numrin e këmbës, me çorape të grisura apo jo, i kemi prerë thonjtë apo jo. Që në mëngjes atë punë bëjnë”, tha mes të tjerash Korreshi. Share Ora 18:57 U përndoq nga protestuesit, Luarasi në Kuvend: Video mori miliona shikime në rrjetet sociale, në 730 komente kërkohej pushkatimi im ose varja në litar! Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, ka rikujtuar edhe njëherë përndjekjen që protestuesit i bënë disa ditë më parë, teksa ajo po shkonte në Kuvend.Duke e vënë theksin te algoritmi në rrjetet sociale, Luarasi tha se video e përndjekjes së saj nga protestuesit mori miliona shikime, teksa shtoi se kishte rreth 730 komente potencialisht të dhunshme.Luarasi tha se mes komenteve të dhunshme kishte nga ato që kërkonin dënimin e saj me burg, zhdukje, varjen e saj në litar, djegie apo pushkatim.“Të gjithë ju e keni parë se një javë më parë teksa po vija drejt seancës plenare, u përndoqa nga një grup që më ngjanin me pionerët e Enverit, që ulërinin fyerje që mendoj se nuk i meritoj. Kjo ishte një video që u pa nga miliona njerëz. Unë s’jam këtu për ta ritreguar, por jam këtu për të treguar atë që ndodhi pas videos. Sepse aty qëndron çështja që kjo konventë synon të rregulloj. Ajo që pasoi u monitorua në mënyrë të pavarur, publikim pas publikimi, në 5 ditë emri u përmend në 708 artikuj, në 64 media online, në 134 llogari të emërtuara. Shtrirja e përgjithshme 14.9 milionë. Shikimet 4.8 milionë. 80 % e të gjithë kësaj ndodhi brenda 48 orëve. Nga këto 730 komente ndëshkuese, ose potencialisht të dhunshme, burg, zhdukje, varje, djegie, pushkatim”, tha mes të tjerash Luarasi. Share Ora 16:49 Zhupa: Kuvendi nuk është refektim i kërkesave të qytetarëve, por një institucion që reflekton vetëm dëshirat e Ramës Deputetja e PD Ina Zhupa tha gjatë fjalës së saj se Kuvendi është kthyer në një institucion që vepron në bazë të dëshirave të kryeministrit Edi Rama."Problemet reale të shqiptarëve janë vjedhja, korrupsioni, shpopullimi dhe injorimi. Rama nuk duhet të shqetësohet për algoritmin, problemi i tij duhet të jetë urrejtja e shqiptarëve dhe të japë dorëheqjen. Ju vazhuat me ‘Shqipërinë që duam’ dhe e bëtë 'Shqipërinë që duan oligarkët'. Tani keni shpikur pasqyrën, ne pasqyra na kujton shtrigën ku shikonte veten nëse ishte më mirë se Borëbardha. Pasqyra reflekton vetëm realitetin. Jemi katandisur keq e ju thoni hajdeni reklamojmë propagandën. Shqiptarët kanë bërë një protestë historike që Shqipëria të jetë një vend i jetueshëm. E keni shndërruar Shqipërinë si një plaçkë, ku thoni hajdeni ta ndajmë me këtë. Te Albanian Files gjeni projekte të Edi Ramës që nuk i dinë qytetarët dhe në Kuvend janë ndryshuar të paktën 6 ligje. Ligjet këtu bëhen sipas Ramës. Kuvendi nuk është refektim i kërkesave të qytetarëve, por një institucion që reflekton vetëm dëshirat e Edi Ramës. Të jeni të sigurt se fundi do të jetë i dhimbshëm”, tha Zhupa. Share Ora 16:44 Tabaku: Për të bërë biznes në Shqipëri ka rëndësi vetëm të njohësh Edi Ramën, asetet publike ndodhen sot nën sulm nga modeli ‘KAYO’ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se kompania ‘KAYO’ tregoi se në Shqipëri mënyra e vetme për të bërë biznes është të njohësh kryeministrin Edi Rama.Teksa tha se shumë familje sot janë në krizë ekonomike, Tabaku shtoi se asetet publike ‘ndodhen nën sulm nga modeli KAYO dhe modele të tjera të ngjashme.’“Dje ishte një ditë e trishtë për shqiptarët në të dy anët e kufirit. Sot ndodhemi në një moment që qytetarët shqiptarë kanë mbi 100 ditë që janë në protestë. Ata nuk janë dakord me mënyrën sesi po qeveriset vendi. Kur shqiptarët kaën ngritur zërin ndaj këtij sistemi, ndaj mënyrës sesi ndahen asetet publike, bëhet publik një skandal i radhës, ose një sekret publik i radhës, siç është ai i KAYO-s.KAYO tregoi se në Shqipëri nuk ka rëndësi sesa eksperiencë ke, sesi bën biznes, sesa ke investuar, por duhet të njohësh vetëm një njeri, Edi Ramën, për të bërë biznes, për të marrë një kontratë publike dhe për të ecur përpara. Asetet publike ndodhen sot nën sulm nga modeli KAYO dhe modele të tjera të ngjashme.Ndërkohë që një familje mezi numëron lekët për qiranë, për naftën, paratë e taksave përdoren sot plotë 34 milionë në mënyrë jo-transparente, duke shkuar vetëm në 4 kompani që sot pretendohet që po zhvillojnë industrinë tonë të mbrojtjes”, tha mes të tjerash Tabaku. Share Ora 16:32 65 mijë kërkesa për dëmet në Ukrainë, Gogu: Dëmet që njihen dhe dëmshperblehen sjellin drejtësi Ministri i Drejtësisë, Gogu, u kërkoi sot deputetëve në seancë plenare të ratifikojnë Konventën për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën. Me ratifikimin, Shqipëria bëhet shteti i dhjetë që e miraton këtë mekanizëm. Që ai të hyjë në fuqi duhen 25 shtete.Sipas ministrit, në Regjistrin e Dëmeve janë depozituar rreth 65.000 kërkesa, të cilat Komisioni do t'i shqyrtojë dhe do të caktojë kompensimin. "Një dëm që vetëm regjistrohet mbetet kujtesë. Një dëm që vlerësohet dhe dëmshpërblehet bëhet drejtësi", tha Gogu. Ai shtoi se Shqipëria do të ketë një kontribut financiar vjetor, i cili mund të kërkohet më pas nga Federata Ruse.Ministri komentoi edhe aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të shpallur dje në Hagë. Ai tha se vendimi u prit "me zhgënjim të thellë". Gogu theksoi se apeli është rruga e duhur për çdo kundërshtim dhe se lufta e UÇK-së "ishte luftë çlirimtare, e drejtë, e domosdoshme"."Ne nuk e mbështesim drejtësinë ndërkombëtare vetëm kur vendimet na pëlqejnë. Por as nuk heshtim kur na zhgënjejnë", u shpreh ai. Share Ora 12:28 Sulmuan me vezë policët, Berisha: Kërkoj lirimin e protestuesve! Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në seancën planare e nisi fjalën e tij për protestën që po mbahet para Kuvendit. Edhe pse nuk vuri në dukje që protestuesët sulmuan me vezë policët, kërkoi që t’i lirojnë të ndaluarit."Denonocoj dhunën policieske ndaj të rinjve, kërkoj lirimin e protestuesve dhe ndëshkimin e atyre që sollën dhunën. Hiqni dorë nga mbrojtja e tij (Ramës) se do ju marrë me vete në anijen e tij që po mbytet.E paimagjinueshme skandali në të cilin dalin Rama, Lubia, Nufi...A e kuptoni ç’u bëni shqiptarëve ju apo jo? I jepni paratë kompanisë së Edi Ramës. Blen automjetet, ku i blen dhe ku nuk i blen dhe shteti ia blen ato automjete me paratë tona.A ka akt më të shëmtuar se ky? A ka vjedhje më flagrante se kjo? A keni ju interesin më të vogël njerëzor apo jeni ushtarë të Yeffet-it dhe Padrinos? Si mund të heshtni ju para këtij fakti?Kontrabandën e legjitimuat dhe bëjnë punët e pista të kryepisit. Në qoftë se qeveria porosit punë të pista, kryepis është ai që porosit punët, dhe është kryeministri”, tha Berisha.Për dënimin e ish krerëve të UÇK, sipas Berishës janë Rama dhe Vuçiç.“Përgjegjës për atë që ndodhi janë Vuciç dhe argati i tij në Tiranë (Rama)”, tha ai Share Ora 12:06 Kumbaro: Shqipëria mirëpret Bordin e PISA-s për herë të parë në Tiranë Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se pas rezultateve të PISA 2025 ekipi i Ministrisë së Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore po vijojnë punën për analizimin e plotë të raportit të PISA-s, me qëllim kuptimin e rezultateve dhe nxjerrjen e përfundimeve të nevojshme, duke krahasuar rezultatet e Shqipërisë me ecurinë e saj ndër vite, me vendet e rajonit dhe me vende me realitete të ngjashme socio-kulturore e ekonomike, ndërsa do të merren në konsideratë edhe trendet globale.Ministrja Kumbaro bëri të ditur se në tetor mbledhja e bordit të PISA-s është vendosur të mbahet për herë të parë në Shqipëri.“Dhe një lajm për PISA-n, bordi i PISA ka vendosur që mbledhjen e tyre të ardhshme ta zhvillojnë te vendi me yll, në Shqipëri. Pra, në tetor, mirëpresim bordin e PISA-s të mblidhet në Tiranë”, deklaroi Kumbaro.Kumbaro gjithashtu sqaroi shënimin teknik për rezultatet e Shqipërisë në PISA, se është një shënim teknik, që kërkon kujdes në interpretimin e të dhënave dhe nuk është një deklarim pavlefshmërie i rezultateve.“OECD thotë se në skenarin e analizuar, 428 pikë përfaqëson kufirin e poshtëm të besueshëm të mesatares së rezultatit më të keq të mundshëm; Dhe po ashtu, 7.5% e devijimit standard është vlerësim i paragjykimit të mundshëm, jo një ulje prej 7.5% e rezultatit të Shqipërisë. Dhe kjo matematikë na thotë diçka troç: ylli pranë emrit të Shqipërisë nuk është një vulë pavlefshmërie; është një shënim kujdesi për interpretim, i vendosur me të njëjtën logjikë shkencore me të cilën OECD-ja shënon çdo kufizim teknik në çdo vend. OECD nuk i ka anuluar rezultatet e Shqipërisë, nuk e ka përjashtuar Shqipërinë nga PISA, dhe i ka publikuar këto rezultate bashkë me shënimin teknik që i shoqëron, njësoj siç bën për çdo vend tjetër që përballet me kufizime të ngjashme, siç ka bërë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të njëjtën arsye, apo siç ka bërë me Holandën, Zelandën e Re, Norvegjinë, Kanadanë etj., për arsye të tjera metodologjike”, tha Kumbaro.Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë fjalës së saj në Kuvend, tha se PISA është një ndër instrumentet që ndihmon në vlerësimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor, ndërsa theksoi se në qendër të këtij procesi është nxënësi. Share Ora 11:57 Rezultatet e PISA/ Boçi interpelancë me ministren e Arsimit: Pse s’morën pjesë shkollat rurale? Kumbaro: Është vlerësim ndërkombëtar, me rregulla të përcaktuara Gjatë interpelancës me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro për rezultatet e testimit PISA, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, tha se OECD ka evidentuar një fakt konkret, shkollat me më pas 21 nxënës nuk u kontaktuan për testimin“Zonja Ministre në çdo filim të vitit shkollor çdo prind ka shpresën që fëmija e tij do të mësoj shumë. Pas çdo rezultati të rëndësishëm siç është PISA, ka fëmijë, ëndrra dhe prindër dhe mësues që përkushtohen. Detyra jonë është që të kuptojmë gjendjen e tyre dhe të kërkojmë përgjegjësitë për ëndrrat e tyre. Vlerësimi ka vlerë kur ai përputhet me të vërtetën. Unë kam për detyrë që të vërtetën ta mbroj. OECD ka evidentuar një fakt konkret, shkollat me më pas 21 nxënës nuk u kontaktuan për testimin PISA dhe nuk morën pjesë, nuk u kontaktuan nga Ministria e Arsimit. Është një boshllëk strukturor. Shqipërisë i raportohet raportim i kufizuar. Kjo do të thotë diçka shumë konkrete që fëmijët në shkolla rurale, apo me vështirësi ekonomike nuk janë matur fare. Një pamje ata nxënës që kanë më shumë vëmendje. Duam të dimë sa shkolla dhe nxënës ngelën jashtë për çdo qark. Duam qartësi të plotë për rezultatet e Shqipërisë. Duam pasqyrën e plotë financiare sa u investua për PISA. Duam garanci konkrete se në vijim që kjo situatë të mos përsëritet”, tha Boçi.Ndërkohë Minsitrja e Arsmit Mirela Kumbaro nënvizoi se vlerësimi ndërkombëtar PISA zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga OECD.“PISA nuk është një provim që Ministria e Arsimit e organizon sipas dëshirës së vet, ashtu siç nuk është as një listë shkollash që një zyrtar shqiptar mund ta shkurtojë apo ta zgjerojë sipas interesit politik të momentit. Është një vlerësim ndërkombëtar, me rregulla kampionimi të përcaktuara nga OECD-ja dhe nga konsorciumi ndërkombëtar që e drejton këtë proces në më shumë se 90 vende të botës, dhe këto rregulla zbatohen njësoj, pavarësisht se cila qeveri qëndron në pushtet kur zhvillohet testimi. Prandaj, kur dëgjoj të thuhet se dikush ka vendosur të përjashtojë shkolla nga ky proces, në mos qoftë dezinformim me dashakeqësi që s’dua ta besoj, e kuptoj menjëherë se po ngatërrohen dy gjëra thelbësisht të ndryshme: një procedurë statistikore ndërkombëtare, e vendosur shumë kohë para se testimi të fillojë, dhe një supozim politik për ndërhyrje të qëllimshme. Dhe më vjen shumë keq për banalizimin e këtij diskutimi, ku respektin për një testim të OECD – për të cilin tanimë po flet e gjithë bota, sepse të gjitha sistemet arsimore marrin mësimet e tyre nga këto rezultate – e nëpërkëmbni me dritshkurtësinë e allishverishteve tuaja politike a thua se bëhet fjalë për rezultatet e zgjedhjeve në godinën e SHQUP-it ku i plotësoni shifrat me rrumbullakosje sipas direktivave nga lart-poshtë”, theksoi Kumbaro.Kumbaro tha se për testimin e PISA, pjesëmarrja e nxënësve në shkollat e përzgjedhura ishte 97.37%, mbi standardin prej 80% që kërkohet nga OECD.“Standardi teknik i OECD-së kërkon që pjesëmarrja e shkollave në kampion të jetë të paktën 85%; Shqipëria arriti rreth 80%, dhe ky është fakt që nuk e kemi fshehur asnjë ditë është pjesë e vetë materialit teknik që shoqëron testimin. Por standardi tjetër, po aq i rëndësishëm, kërkon që brenda shkollave të përzgjedhura nga organizata dhe jo nga ne – pjesëmarrja e vetë nxënësve të jetë të paktën 80%; Shqipëria arriti 97,37%. Dhe kjo shifër e dytë, kolegë deputetë, është ajo që rrëzon vetë themelin e akuzës për manipulim: sepse nëse dikush do të kishte dashur të “përzgjidhte” cilët nxënës të dalin mirë në test, do ta kishte bërë pikërisht këtu, duke lënë jashtë testimit nxënës të caktuar brenda shkollave që tashmë ishin pjesë e kampionit. Kjo nuk ka ndodhur. Gati çdo nxënës i thirrur u paraqit, u testua, dhe rezultati i tij u regjistrua ashtu siç ishte. Sa i përket vetë shkollave që nuk hynë në kampion, edhe këtu kemi shifra dhe jo hamendësime: Është krijuar me dashakeqësi përshtypja se kjo qenka një histori “fshati rri jashtë, qyteti futet brenda”, nënvizoi Kumbaro."Nxënësit shqiptarë në testin ndërkombëtar PISA, u renditën me: 433 pikë në matematikë, 435 pikë në shkencë, së bashku me Malin e Zi, duke lënë pas nxënësit e Greqisë. E nëse krahasohemi me veten, me vitin 2022, Shqipëria arriti: +65 pikë në matematikë; +59 pikë në shkencë; +50 pikë në lexim”, u shpreh Kumbaro në interpelancën në Kuvend", tha Kumbaro. Share Ora 11:05 Tabaku: Shqipëria, vendi i vetëm ku gjyqtarët prej 2 muajsh s’paguhen Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkoi tërheqjen e ligjit për pagat e magjistrave, ndërsa shtoi se është shkelur procedura parlamentare. “Ligji për statusin e prokurorëve dhe magjistrave vjen këtu për herë të disatën në Kuvend. Kisha një kërkesë, një nga kërkesat e GJK kishte në momentin që ky ligj u kundërshtua, ishin një proces konsultimi. Ndaj në Komisionin e të Drejtave të Njeriut, ne kërkuam një dëgjesë me të gjithë krerët e institucioneve të drejtësisë. Të majtë dhe të djathtë e morëm me seriozitet. Ndërkohë Ligjet i mbyllën diskutimet, duke miratuar një vendim pa marrë kërkesën tonë. Shqipëria është vendi i vetëm ku ka ngelur 2 muaj pa paguar Kushtetuesen apo dy muaj pa paga gjyqtarët. Vendi i vetëm ku kryeministri dhe ministra sulmojnë prokurorë dhe gjyqtarë. Është vendi i vetëm që sistemin gjyqësor e përdor sa herë i duhet për politikën e ditës dhe nga ana tjetër i shkel me këmbë. Procesi parlamentar për miratimin e këtij ligji është shkelur. Rregullorja po ashtu. Nuk negociohet mbi kushtetutën dhe të drejtat e tyre.”, tha ajo. Share Ora 10:54 Pagat e magjistratëve/ Rrëzohet kërkesa e PD për tërheqjen e draftit të PS! Bardhi: Rrezikojmë të shkelim Kushtetutën! Balla: Hipokrizi Partia Demokratike i kërkoi Partisë Socialiste të tërheqë nga rendi i ditës draftin për formulën e re të pagave të magjistratëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se duhet të vijojnë konsultimet me institucionet e drejtësisë, pasi, në të kundërt, sipas tij, ligji rrezikon të miratohet sërish në shkelje të Kushtetutës.“Sot në Kuvend është një çështje shumë e rëndësishme për magjistratët, e mbartur prej 7 vitesh. Ka 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese që mazhoranca juaj ka refuzuar t’i zbatojë, ose më saktë, i ka shkelur. Gjatë kohës kur ne diskutonim në komisione, na kanë ardhur opinionet e institucioneve të drejtësisë. Versioni juaj nuk është konsultuar. Jeni para përgjegjësisë për ta tërhequr sot, sepse rrezikojmë të shkelim Kushtetutën. Duhet të marrim kohën e mjaftueshme që ky Kuvend të marrë një vendim për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare. Nuk mund t’i mbajmë të pasigurt në trajtimin financiar, sepse nuk do t’i shërbenin si duhet vendit. Ndaj tërhiqeni, të bëhet vlerësimi i projektligjit e më tej të veprojmë”, tha Bardhi.Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi hipokrite kërkesën e PD-së, e cila u rrëzua me 79 vota kundër. Balla tha se është lajm pozitiv që opozita del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke iu referuar kritikave dhe akuzave të saj të mëparshme ndaj drejtësisë.“Kuvendi, që nga viti 1998, ka një praktikë të konsoliduar sa i përket procedurës që ndjek në transpozimin e vendimeve të Kushtetueses. Këshilli i Legjislacionit e ka përfunduar detyrën e vet. Madje, Kushtetuesja duhet të marrë shembull nga Këshilli ynë i Legjislacionit. Më vjen mirë të dëgjoj që PD del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është lajm pozitiv, sepse tregon reflektim nga ato sharje dhe kërcënime që jemi mësuar t’i dëgjojmë shpesh. Sot jemi këtu për të votuar një projektligj. Vota jonë ndaj kërkesës së PD-së është kundër. Është kërkesë hipokrite. Më thanë që jemi vonuar dhe tani që e kemi sjellë, na thoni ta shtyjmë”, tha Balla. Share Ora 10:35 Sot Kuvend, protestuesit mblidhen para institucionit! Ulen në rrugë Protestuesit janë mbledhur para Parlamentit, teksa ka nisur seanca plenare.Disa prej tyre janë ulur në rrugë. Share Ora 09:34 Rrëzohet kërkesa e PD për komision hetimor për 'KAYO', Bardhi: Ka shpenzuar 34 mln € euro! Balla: Nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore Foto: Gazment Bardhi dhe Taulant BallaMazhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë “KAYO”. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë Konferencës së Kryetarëve ka deklaruar se kërkesa e demokratëve nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore.Sipas Ballës, nga pikëpamja përmbajtësore, kërkesa nuk individualizon një “çështje të veçantë”, siç kërkohet nga Kushtetuta, pasi objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë dhe përfshin një sërë çështjesh të ndryshme, pa përcaktuar qartë faktet konkrete që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar.Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se kompania KAYO ka shpenzuar rreth 34 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe kërkoi transparencë mbi mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve, kontratat dhe aktivitetin e kompanisë."Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi.E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta?! Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Bardhi.Sipas Bardhit ajo që kërkon PD-ja është të kenë informacion rreth kontratave të lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private“Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit. Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro?Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit”, përfi ai.Kërkesa e opozitës u diskutua në Konferencën e Kryetareve, pas pretendimeve të ngritur nga PD lidhur me aktivitetin e kompanisë, kjo edhe pas publikimit të audiopërgjimeve nga ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj, ku pretendohet për trafik armësh. Share Ora 09:11 Sot kalon për votim drafti i PS për pagat e magjistratëve, PD kërkesë: Të hiqet nga rendi i ditës, të konsultimet me sistemin e drejtësisë PD ka kërkuar të hiqet nga rendi i ditës propozimi i PS për pagat e magjistratëve. PD thotë se duhet të vijojë konsultimi me sistemin e drejtësisë, në një kohë kur magjistratët e kanë kundërshtuar propozimin e PS. Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë Share SI.E./ReportTv.al pagat e drejtesise Kuvend 17 shtator 2026 kuvend magjistratet gazment bardhi aulona bylykbashi PS PD qeveria opozita Komento Komente Rea: 17/09/2026 17:17 Pse flsmingot e dirigjuara nga PDja nuk sulmojnë Anti Shqiptarin Berisha? Jam dakort që hajdutst ti gjuajnë me vezë! Pse flamingot nuk sulmojnë organizatorlt 26 Majit 1996,Firmat piramidale,grushtin e Shtetit 1998,Gërdecin, 21 Janarin. Përgjigju Shqipëtari: 17/09/2026 15:24 Për S.Berishën nëqoftëse Beqir Balluku ishte atentator në vitet e largëta nuk vrau popullin si ty por TRADHËTARË,.Të diferencuar dhe këta të fundit ndërsa ti o kriminel vrave pa dallim.Shko në Tropojë i pa shoqëruar. Përgjigju Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 5.9% Të gabuar 89.1% Nuk e di 5% Vota total: 2575 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?