Nga ketchup-i te granola, fruktoza gjendet kudo, por ekspertët paralajmërojnë se konsumimi i tepërt i saj mund të çojë në sëmundje të ndryshme kronike. Ne të gjithë e dimë se sheqeri nuk është i mirë për shëndetin, por një numër gjithnjë e më i madh studimesh shkencore po tregon se një lloj i veçantë sheqeri po na çon me shpejtësi drejt problemeve kronike shëndetësore.Lexo edhe:Numri i bajameve që duhet të hani çdo ditë për të përmirësuar shëndetin e zorrëve Fruktoza është një përbërje e atomeve të karbonit, hidrogjenit dhe oksigjenit që formojnë sheqerin, mund të tingëllojë si pjesa më “natyrale”, pasi gjendet te frutat, por kërkimet e reja e identifikojnë atë si një nga faktorët më problematikë në ushqimin tonë. Në qershor, shkencëtarët nga Monell Chemical Senses Center në Filadelfia krahasuan reagimin e trurit ndaj fruktozës me atë ndaj glukozës. Studimi tregoi se, megjithëse të dyja përmbajnë të njëjtin numër kalorish, truri reagon ndryshe ndaj tyre përmes rrugëve të veçanta të komunikimit mes zorrëve dhe trurit. Sipas studiuesve, kjo mund të na bëjë më të irrituar, më të uritur dhe më të prirur ndaj sëmundjeve. Në Mbretërinë e Bashkuar konsumohet një sasi e madhe fruktoze në formën e sheqerit të zakonshëm të tavolinës, i cili përbëhet nga 50 për qind fruktozë dhe 50 për qind glukozë. Fruktoza gjendet gjithashtu në pijet e gazuara, granola, ketchup dhe koset e ëmbëlsuara. Shqetësimi më i madh lidhet me shurupin e misrit me përmbajtje të lartë fruktoze (HFCS), një ëmbëlsues i lëngshëm i prodhuar nga niseshteja e misrit, i përdorur gjerësisht në ushqimet dhe pijet e përpunuara për të ulur kostot e prodhimit. Edhe pse përdoret më pak në Mbretërinë e Bashkuar sesa në Shtetet e Bashkuara, në tregun britanik përdoret një shtesë e ngjashme e quajtur shurup glukozë-fruktozë. Çfarë mendojnë ekspertët? Robert Lustig, profesor emeritus i pediatrisë në degën e endokrinologjisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, dhe autor i librit Metabolical: The Lure and Lies of Processed Food, është një nga ekspertët më të njohur në këtë fushë. “Për njëqind vjet na është thënë se problemi është ‘sheqeri’, por nuk është e vërtetë që të gjithë sheqernat janë njësoj të dëmshëm,” thotë ai. “Shumë njerëz mendojnë se, meqë frutat përmbajnë fruktozë, atëherë fruktoza duhet të jetë e padëmshme.” Sipas profesor Lustig, pikërisht fruktoza po na çon drejt dhjamosjes së mëlçisë, diabetit të tipit 2 dhe madje edhe demencës. Çfarë i bën fruktoza organizmit? Sipas profesor Lustig, fruktoza shteron “bateritë” me të cilat funksionojnë qelizat e trupit, dhe konsumimi i tepërt i saj lidhet me shumë prej sëmundjeve kronike të ditëve të sotme. “Bëhesh më i irrituar dhe më i uritur. Shfaq mjegullim të mendjes, harresë, depresion, rënie të aftësive njohëse dhe madje demencë.” Por dëmet nuk kufizohen vetëm te truri. “Mëlçia dobësohet dhe nuk arrin të prodhojë proteinat që i nevojiten për të kryer funksionet e saj,” thotë ai. “Fruktoza shkakton gjithashtu rezistencë ndaj insulinës. Duke qenë se mëlçia e shndërron fruktozën në yndyrë, rritet rreziku për sëmundjen e mëlçisë së dhjamosur. Kur pankreasi nuk prodhon mjaftueshëm insulinë për të përballuar këtë rezistencë, shtohet rreziku për diabet të tipit 2. Vazhdimi për një kohë të gjatë i një diete të pasur me fruktozë rrit gjithashtu rrezikun për infarkt në zemër dhe disa lloje kanceri.” Si veprojnë ndryshe fruktoza dhe glukoza? Trupi ynë ka nevojë për glukozën për të mbijetuar. Ajo është një karbohidrat i thjeshtë që shërben si burim universal energjie. Qelizat e shpërbëjnë glukozën për të prodhuar ATP (adenozinë trifosfat), molekulën që furnizon energjinë e nevojshme për rritjen, lëvizjen dhe riprodhimin. “Çdo qelizë bimore ose shtazore mund ta përdorë glukozën për energji,” shpjegon profesor Lustig. “Nga ana tjetër, nuk ka asnjë qelizë shtazore që ta përdorë fruktozën për ndonjë funksion të domosdoshëm. Mëlçia mund të metabolizojë një sasi të vogël fruktoze, njësoj siç përpunon një sasi të vogël alkooli. Por, ashtu si alkooli ka kalori pa qenë ushqim, edhe fruktoza nuk është ushqim në kuptimin funksional. Madje ajo na shtyn të hamë më shumë.” Kjo ndodh sepse fruktoza ndikon ndryshe në oreks. Ndryshe nga glukoza, e cila dërgon sinjale në qendrat e ngopjes në tru për të ulur urinë, fruktoza e anashkalon këtë mekanizëm, duke bërë që të vazhdojmë të ndihemi të uritur. A do të thotë kjo se duhet të heqim dorë nga frutat? Jo. “Ka një ndryshim të madh mes një portokalli dhe një çokollate,” thotë profesor Lustig. Sipas tij, arsyeja është mënyra se si përthithet fruktoza. Frutat përmbajnë fibër, e cila vepron si një lloj mbrojtjeje. “Fibra krijon një barrierë në zorrë dhe pengon përthithjen e fruktozës. Për këtë arsye, frutat nuk e rrisin nivelin e glukozës në gjak apo insulinës, përkundrazi ndihmojnë shëndetin e mëlçisë dhe ushqejnë mikrobiomën.” “Një çokollatë, nga ana tjetër, nuk përmban fibër dhe dëmton mëlçinë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për çokollatat, por edhe për salcat e sallatave, koset me shije dhe mishin e hamburgerëve.” Pse fruktoza krijon varësi? Profesor Lustig beson se ushqimet që përmbajnë fruktozë mund të krijojnë varësi në mënyrë të ngjashme me alkoolin, drogat rekreative apo sjellje të tjera që aktivizojnë sistemin e shpërblimit në tru. “Fruktoza arrin në nucleus accumbens, qendrën e shpërblimit në tru, e cila më pas çliron dopaminë,” shpjegon ai. “Efektet mund të krahasohen me ato të heroinës, kokainës apo lojërave të fatit. Truri thotë: ‘Kjo ndihet mirë, dua më shumë.’ Dëshira biokimike për ta konsumuar bëhet më e fortë sesa dëshira për të ndaluar. Nuk është më vetëm një preferencë; njerëzit fillojnë të ndiejnë se ‘kanë nevojë’ për fruktozë.” Ai pranon se situata në Mbretërinë e Bashkuar nuk është aq e rëndë sa në SHBA, ku shurupi i misrit me përmbajtje të lartë fruktoze përdoret shumë më gjerësisht, por shton se problemi mbetet i pranishëm. “Ai e bëri sheqerin më të lirë për të konkurruar në treg, ndaj kompanitë ushqimore në mbarë botën mund të përdorin sasi më të mëdha.” “Ne e dimë se fruktoza po dëmton shëndetin, komunitetin dhe shoqërinë tonë, por deri tani kemi qenë kryesisht të pafuqishëm për të bërë diçka. Konsumimi i sheqerit lidhet me shumë sëmundje kronike dhe industria ushqimore nuk ka interes ta ndryshojë këtë, sepse sheqeri është burim i madh fitimi.” Çfarë mund të bëjmë për të zvogëluar dëmet nga fruktoza? Disa specialistë rekomandojnë suplemente ose mënyra të veçanta të kombinimit të ushqimeve, por profesor Lustig është skeptik. “Nuk ka asnjë pilulë që e zgjidh këtë problem,” thotë ai. “Suplementet nuk i zhbëjnë efektet e fruktozës. E vetmja mënyrë është të ndalojmë konsumimin e tepërt të saj.”/TheTelegraph

