Tregtia e medikamenteve bujqësore e 7 kompanive që dominojnë tregun në Shqipëri u siguron fitime të mëdha. Sa herë që të mbjellat preken nga një sëmundje bujku vendoset në alert, ku për të shpëtuar prodhimin, atij i duhet të përdorë pompën me helme e cila kushton tepër shtrenjtë. Fermerët shumë herë denoncojnë cilësinë e këtyre ilaçeve bujqësore, ku për të njëjtën sëmundje atyre u duhet të përdorin pompën me pesticide të ndryshme.
Nëse shohim të dhënat e siguruara nga Top Channel, këto kompani u shesin fermerëve pesticide që prodhohen jashtë territorit të BE.
Në vendin tonë hyjnë pesticide nga Kina, India, Jordania dhe Kazakistani, shtete të cilat jo gjithmonë të garantojnë siguri. Saktësisht për vitin 2025 dhe 8 mujorin e parë të 2026, në doganën shqiptare janë futur 748 tonë helme kineze dhe indiane, në vlerën e 2.68 milionë eurove. Këto pesticide kushtojnë lirë për biznesmenët, por jo për fermerët të cilët i blejnë ato si të ishin preparate europiane.
“Pesticidet janë ato që i themi thikë me dy presa. Janë shumë të domosdoshme në rrethana të caktuara. Fermeri vetëm për pesticide nuk kursehet, kurse për plehra edhe kursehet sepse thotë sigurohen edhe nga toka. Pesticidet zënë diku tek 30% të kostove të prodhimit”, tha Ilir Kristo, eskpert i tokave bujqësore. Helmet bujqësore të vendeve të treta rrugën deri Shqipëri e gjejnë përmes ligjit. Për Komisionin e Regjistrimit të PMB-ve që ndodhet në Ministrinë e Bujqësisë, rëndësi ka që lënda aktive e pesticidet të jetë e regjistruar në Europë, por nga ana tjetër po ky komision anashkalon vetitë fiziko-kimike të cilat janë shumë herë më të ulëta se në ato preparate që prodhohen në BE. Kjo do të thotë se ilaçet kineze që rrisin frutat dhe perimet tona nuk i luftojnë sëmundjen siç duhet, për këtë arsye fermeri përballë dobësisë së pesticidit detyrohet të spërkasë disa herë prodhimin.
“Shpesh ai mund të ketë një emër të një produkti të njohur, por ai mund të jetë një produkt i cili nuk përdoret atje ku duhet”, tha Kisto. Është ministria e bujqësisë ajo që duhet të analizojë përmbytjen e pesticideve që importon kompania: Agro-Blend shpk, SHEGAJ-AGR, MELDI sh.p.k., ARLI INTERNACIONAL, AGROHELP SH.P.K, AGRO-ZANI, dhe INTERLOGJISTIC, pasi këto helme luajnë një rol vendimtarë për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e qytetarëve. Top Channel

