Dy vatra zjarri vijojnë të mbahen nën monitorim në qarkun e Elbasanit, ndërsa situata më problematike mbetet në Malin e Dardhës, në Bashkinë Librazhd, ku flakët janë aktive prej tetë ditësh.
Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht aktive janë vatrat në fshatin Shqiponjë të Bashkisë Prrenjas dhe në Malin e Dardhës, në Njësinë Administrative Hotolisht. Në këtë të fundit, zjarri është izoluar rreth 90%, ndërsa sipërfaqja e përshkuar nga flakët llogaritet në të paktën 6 hektarë.
Bëhet fjalë për një zjarr sipërfaqësor, ndërsa gjatë kësaj të enjteje autoritetet kanë planifikuar inspektime dhe monitorim të vazhdueshëm për të parandaluar riaktivizimin e flakëve. Në operacionin e zhvilluar një ditë më parë u angazhuan tetë efektivë të shërbimit zjarrfikës, të mbështetur nga tre punonjës të sektorit pyjor, të cilët punuan në një terren të vështirë për neutralizimin e vatrës së fundit.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat e zjarrit në Shqiponjë të Prrenjasit dhe në fshatin Mjekës të Elbasanit janë vënë nën kontroll. Shërbimi zjarrfikës i Elbasanit konfirmoi se zjarri në Mjekës është shuar plotësisht, ndërsa autoritetet vendore bëjnë me dije se nuk pati rrezik për banesat dhe as për nënstacionin elektrik 400 kV. Megjithatë, forcat në terren vijojnë monitorimin për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm.
Operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve në qarkun e Elbasanit po koordinohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me prefekturën, bashkitë dhe Forcat e Armatosura. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *KryesoreAktualitet
