Lajme Zone
Lëvizja e madhe e KE/ Shqipëria dhe Mali i Zi me Komisionerë në Bruksel, ndodh për herë të parë në historinë e unionit
PolitikëTop Channel

Lëvizja e madhe e KE/ Shqipëria dhe Mali i Zi me Komisionerë në Bruksel, ndodh për herë të parë në historinë e unionit

Ashtu siç është raportuar ditët e fundit dhe siç u deklarua nga Tirana edhe nga vetë Ursula von der Leyen, Komisioni Evropian po shqyrton planet e reja për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Bashkimin Evropian.

Ashtu siç është raportuar ditët e fundit dhe siç u deklarua nga Tirana edhe nga vetë Ursula von der Leyen, Komisioni Evropian po shqyrton planet e reja për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera në Bashkimin Evropian. Në bazë të planit të ri, media belge “Rapporteur” ka zbuluar se Shqipëria dhe Mali i Zi do të mund të dërgojnë komisionerët e tyre në Bruksel, në përbërje të Komisionit Evropian, edhe përpara se këto shtete të anëtarësohen zyrtarisht në union.

Kjo do të mundësonte një përfshirje më të madhe të shteteve kandidate në politikat evropiane përpara se të 27 shtetet anëtare të BE-së të përfjnë procedurat e tyre kombëtare të ratifikimit, një proces që mund të zgjasë në kohë.

Komisioneri i ri shqiptar dhe ai malazez mund të marrin pjesë në punën e Kolegjit të Komisionerëve dhe të ndihmojnë në formësimin e legjislacionit të BE-së, një e drejtë që deri më tani është rezervuar për zyrtarët e shteteve anëtare. Në dokumentin e zbardhur nga media belge thuhet se “Komisioni Evropian e konsideron të justifikuar mundësinë që një vend që po anëtarësohet në union duhet të emërojë një Komisioner gjatë kësaj periudhe”.

“Një komisioner i tillë mund të marrë pjesë në punën e Kolegjiumit për çështje relevante, duke ruajtur plotësisht autonominë, kolegjialitetin dhe përgjegjësinë kolektive të këtij organi drejtues të BE-së”, thuhet më tej në dokument.

Nëse një Komisioner do të merrte detyrën në Bruksel përpara se vendi i tij të bëhej zyrtarisht anëtar i BE-së, kjo do të ishte një lëvizje që bëhet për herë të parë në historinë e Unionit.

Po ashtu, Komisioni Evropian njoftoi se do t’u ofrojë vendeve kandidate një integrim gjithnjë e më të thellë në tregun e vetëm, ndërkohë që ato zbatojnë reformat e brendshme të kërkuara për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Planin e ri të detajuar mbi strategjinë e re të zgjerimit do të paraqesë të martën në Bruksel komisionerja Marta Kos. Top Channel