Dy kongresmenët amerikanë Joe Wilson dhe Keith Self i kanë kërkuar sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, të shqyrtojë vendosjen e kufizimeve të vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm, pasi kanë ngritur alarmin për gjendjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirisë së medias në Shqipëri. Në letrën drejtuar Rubios, dy përfaqësuesit e Kongresit argumentojnë se përparimi i reformës në drejtësi është i brishtë dhe rrezikon të zhbëhet, ndërsa akuzojnë udhëheqësit politikë se po mbrojnë zyrtarë të hetuar nga institucionet kundër korrupsionit.
Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet çështjeve që po heton SPAK-u dhe, në veçanti, rastit të ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas kongresmenëve, SPAK-u e ka akuzuar Ballukun për ndërhyrje në prokurimet publike për ndërtimin e rrugëve dhe në dhjetor 2025 i ka kërkuar Parlamentit heqjen e imunitetit të saj, me qëllim mundësimin e arrestimit. Në letër thuhet se kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën antikushtetuese, ndërsa Parlamenti nuk e lejoi arrestimin.
Wilson dhe Self theksojnë se institucionet kundër korrupsionit nuk mund të funksionojnë me sukses nëse drejtuesit politikë mbrojnë zyrtarët që ato hetojnë. Letra përmend edhe hetimin ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, për dyshimet se ka keqpërdorur aksesin në informacion për të ndihmuar një person të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Kongresmenët ndalen edhe te protestat kundër qeverisë teksa i lidhin ato me pakënaqësinë publike për korrupsionin dhe kërkesat për dorëheqjen e Ramës e zgjedhje të parakohshme.
Një tjetër shqetësim lidhet me lirinë e medias. Wilson dhe Self përmendin paralajmërimin e 10 organizatave për lirinë e shtypit, më 30 korrik 2026, për pengesa, kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve që mbulonin protestat. Sipas letrës, organizatat raportuan 15 kërcënime dhe sulme gjatë muajve qershor dhe korrik, si dhe ngritën pikëpyetje për përdorimin e autobotëve me ujë dhe gazit lotsjellës kundër demonstruesve.
Katër pyetje për Departamentin e Shtetit
Wilson dhe Self i kërkojnë Rubios të përgjigjet deri më 5 nëntor për katër çështje kryesore: nëse Departamenti i Shtetit do të shqyrtojë kufizimet e vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë dhe mundësinë e sanksioneve sipas programit Global Magnitsky; çfarë mbështetjeje po u jep SPAK-ut dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë; nëse është diskutuar me qeverinë shqiptare mosveprimi i Parlamentit për kërkesën lidhur me Ballukun; dhe si po bashkëpunon Ambasada amerikane në Tiranë me autoritetet për menaxhimin e protestave dhe sigurinë e gazetarëve.
Letra e plotë
I nderuar sekretar Rubio,
Ne ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë për gjendjen e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë, një aleate e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në reformat e drejtësisë në Shqipëri dhe kanë një interes të fortë që ato të kenë sukses. Zhvillimet e fundit tregojnë se përparimi është i brishtë dhe, në fusha kyçe, rrezikon të zhbëhet. Ju bëjmë thirrje të përdorni kompetencat e Departamentit për kufizimin e vizave, në bazë të nenit 7031(c), kundër zyrtarëve shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm.
Vlerësimet e pavarura japin sinjale të përziera. Freedom House e vlerëson Shqipërinë si ‘Pjesërisht të Lirë’, me 69 pikë nga 100 në vitin 2026. Vëzhguesit i cilësuan zgjedhjet parlamentare të majit 2025 si ‘konkurruese dhe të zhvilluara në mënyrë profesionale’. Megjithatë, Shqipëria mori vetëm 39 pikë nga 100 në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025 të Transparency International. Instituti V-Dem, në Raportin e Demokracisë 2026, tashmë e klasifikon Shqipërinë si një autokraci elektorale.
Korrupsioni mbetet pengesa kryesore. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e krijuar me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Europës, ka treguar pavarësi reale. Komisioni Europian e ka vlerësuar punën e saj, duke vënë në dukje se institucionet e tjera kanë mbetur prapa. Zyrtarët kanë ushtruar gjithashtu presion ndaj SPAK-ut dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, organi që mbikëqyr gjyqtarët dhe prokurorët.
Çështjet e SPAK-ut tashmë kanë mbërritur në nivelet më të larta të qeverisë. SPAK ka akuzuar Belinda Ballukun, e cila ka shërbyer si zëvendëskryeministre, për ndërhyrje në prokurimet publike për ndërtimin e rrugëve. Në dhjetor 2025, prokurorët i kërkuan Parlamentit t’i hiqte imunitetin, në mënyrë që ajo të mund të arrestohej. Kryeministri Edi Rama e cilësoi kërkesën antikushtetuese dhe Parlamenti nuk e ka lejuar arrestimin. Rama i mohon të gjitha akuzat për korrupsion ndaj tij. SPAK po heton gjithashtu ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit të Shqipërisë, Vlora Hyseni, për dyshimin se ka keqpërdorur aksesin e saj në informacion për të ndihmuar një person të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Pakënaqësia publike është derdhur në rrugë. Akuzat ndaj Ballukut ndihmuan në nxitjen e protestave masive në Tiranë në janar 2026, ku kërkohej dorëheqja e Ramës dhe zgjedhje të parakohshme. Deri në verë, protestat kundër një resorti luksoz pranë një zone të mbrojtur natyrore ishin shndërruar në një lëvizje më të gjerë, të njohur si ‘Revolucioni Flamingo’.
Kriza ka ushtruar presion edhe mbi median. Skena mediatike shqiptare karakterizohet nga përqendrimi i pronësisë, financimi jotransparent dhe pronarë me lidhje politike. Më 30 korrik 2026, dhjetë organizata për lirinë e shtypit paralajmëruan për pengesa, kërcënime dhe sulme ndaj gazetarëve që mbulonin protestat. Ato përmendën 15 kërcënime dhe sulme vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik, si dhe vunë në pikëpyetje përdorimin e autobotëve me ujë dhe gazit lotsjellës kundër demonstruesve.
Institucionet shqiptare kundër korrupsionit nuk mund të kenë sukses kur udhëheqësit politikë mbrojnë zyrtarët që ato hetojnë. Për këtë arsye, ju bëjmë thirrje të përdorni kompetencat e Departamentit sipas nenit 7031(c) të ligjit vjetor për përvetësimet buxhetore të Departamentit të Shtetit, operacionet e jashtme dhe programet përkatëse. Konkretisht, kërkojmë që Departamenti të shpallë publikisht të papërshtatshëm për viza zyrtarët shqiptarë dhe, kur është e përshtatshme, familjarët e tyre të afërt, për të cilët disponon informacione të besueshme mbi përfshirjen në korrupsion të rëndësishëm.
Ky shqyrtim duhet të përfshijë zyrtarët e akuzuar nga SPAK-u dhe ata që kanë përdorur pozitat e tyre për të penguar hetimet e tij. Zbatimi i qëndrueshëm i këtij instrumenti, pavarësisht përkatësisë partiake, do të avanconte përpjekjet e Departamentit kundër kleptokracisë. Gjithashtu, do të tregonte se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të shqiptarëve që kërkojnë llogaridhënie.
Gjithashtu, ju kërkojmë të përgjigjeni për pyetjet e mëposhtme deri më 5 nëntor:
1. A do të angazhohet Departamenti për të shqyrtuar zyrtarët shqiptarë për shpallje të papërshtatshëm për viza në bazë të nenit 7031(c), dhe brenda çfarë afati kohor? A do të shqyrtojë gjithashtu sanksionet sipas programit Global Magnitsky, kur provat e mbështesin një masë të tillë?
2. Çfarë ndihme po i ofron Departamenti SPAK-ut, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe reformës më të gjerë të drejtësisë në Shqipëri? Si do t’i mbrojë këto institucione nga presioni politik?
3. A e ka ngritur Departamenti me qeverinë shqiptare çështjen e mosveprimit të Parlamentit lidhur me kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e zonjës Balluku? Cila ishte përgjigjja?
4. Si po bashkëpunon Ambasada në Tiranë me autoritetet shqiptare lidhur me mënyrën e menaxhimit policor të protestave dhe sigurinë e gazetarëve? A i mbështet Departamenti hetimet e pavarura për incidentet e dokumentuara gjatë kësaj vere?
Kërkojmë gjithashtu një informim të posaçëm për stafin tonë mbi këto çështje. Ju falënderojmë për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje. Presim me interes të punojmë së bashku për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë.
Me respekt,
Kongresmeni Joe Wilson
Bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së
Kongresmeni Keith Self
Kryetar i Nënkomitetit për Europën Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

