Policia ka shpallur në kërkim ditën e sotme tre vëllezër, të cilët dyshohen si autorët e ngjarjes ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në derën e banesës private të një 72-vjeçari në Tufinë mëngjesin e sotëm. Tiranë
Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 08.08.2026, në lagjen “Tufinë”, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në derën e banesës private të një 72-vjeçari.
Shpallen në kërkim 3 shtetas, vëllezër, të dyshuar si autorë të ngjarjes. Të tre vëllezërit me precedentë të mëparshëm penal.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit se në lagjen “Tufinë”, në derën e banesës së shtetasit J. M., kishte shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar dëme të pakta materiale, kanë organizuar operacionin policor “Motivi”, me qëllim zbardhjen e kësaj ngjarjeje, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, këqyrjes së vendit të ngjarjes, administrimit të provave, në kuadër të operacionit të koduar “Motivi”, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve të dyshuar.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpallën në kërkim shtetasit E. A., 39 vjeç, A. A., 43 vjeç dhe M. A., 41 vjeç, të tre vëllezër, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim.
Nga tërësia e veprimeve hetimore, si dhe nga informacionet e siguruara në rrugë operative, dyshohet se shtetasit E. A., A. A. dhe M. A., më datë 08.08.2026, rreth orës 00:30, për motive të dobëta, kanë vendosur dhe shpërthyer një sasi lënde plasëse në derën e banesës së shtetasit J. M., duke shkaktuar dëme të pakta materiale.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. Top Channel

