- Katër inspektorë të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) janë shkarkuar nga detyra pas shkeljeve në procedurën e kontrollit të një ngarkese prej 27 tonësh me mish derri të importuar nga Brazili nga kompania KING-MIT. Masa disiplinore e largimit nga detyra është dhënë për inspektorin L.B., në Pikën e Kalimit Kufitar pranë AKU-së në Durrës, si dhe për tre inspektorët E.T., K.K. dhe M.G., pranë Drejtorisë Rajonale të AKU-së në Fier.Lexo edhe:Bora e parë për këtë vit në Kukës, disa fshatra pa energji elektrike Komisioni Disiplinor i Inspektoratit të Përgjithshëm ka marrë vendimin pas shqyrtimit të dokumentacionit, vlerësimit të përgjegjësive individuale dhe zhvillimit të seancave dëgjimore.. Sipas Inspektoratit të Përgjithshëm, inspektori në Durrës nuk kishte verifikuar plotësisht dokumentacionin e ngarkesës, stabilimentin e autorizuar për eksport dhe vërtetësinë e certifikatës, duke lejuar kalimin e saj në kundërshtim me kërkesat ligjore. Nga ana tjetër tre inspektorët në Fier nuk kishin identifikuar të gjitha shkeljet e konstatuara dhe kishin vendosur një masë administrative jo proporcionale me natyrën dhe rëndësinë e tyre. Përveç masave disiplinore ndaj katër punonjësve, Inspektori i Përgjithshëm ka urdhëruar edhe verifikimin e ligjshmërisë së procedurave administrative të ndjekura nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së për importimin dhe inspektimin e kësaj ngarkese. Verifikimi synon shqyrtimin e dokumentacionit, veprimet e kryera dhe përgjegjësitë e strukturave të përfshira në këtë proces. Inspektorati i Përgjithshëm ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë neglizhencën apo shkeljen e procedurave nga inspektorët e AKU-së.

