Lajme Zone
Lejet mjedisore me dokumente të paplota, pak kontrolle në terren
PolitikëPolitiko

Lejet mjedisore me dokumente të paplota, pak kontrolle në terren

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shqyrtuar kërkesa për leje mjedisore pa garantuar verifikimin e plotë të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet, sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH tha se mangësitë në dokumentacion dhe në kontrollin e tij nga strukturat përgjegjëse krijojnë rrezikun që vendimet për aktivitetet me ndikim në mjedis të mbështeten në të dhëna të paplota ose

Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka shqyrtuar kërkesa për leje mjedisore pa garantuar verifikimin e plotë të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet, sipas një auditimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH tha se mangësitë në dokumentacion dhe në kontrollin e tij nga strukturat përgjegjëse krijojnë rrezikun që vendimet për aktivitetet me ndikim në mjedis të mbështeten në të dhëna të paplota ose të pasakta.

“Procesi i shqyrtimit dhe miratimit të lejeve mjedisore nuk ka garantuar verifikim të plotë dhe të mjaftueshëm të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet,” thuhet në raport. Sipas audituesve, kjo ka sjellë “vendimmarrje të bazuar në informacion të paplotë ose jo të verifikuar”.

Auditimi mbuloi veprimtarinë e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për periudhën 2023-2025 dhe të katër Agjencive Rajonale të Mjedisit në Tiranë, Berat, Lezhë dhe Fier për periudhën 2021-2025.

KLSH konstatoi se databazat e lejeve mjedisore nuk ishin të unifikuara dhe përmbanin të dhëna të papërditësuara, të mbivendosura ose të pasakta. Kjo e vështirëson identifikimin e lejeve aktive dhe kontrollin e subjekteve që zhvillojnë veprimtari me ndikim në mjedis. “Databazat e lejeve mjedisore nuk janë të unifikuara dhe përmbajnë të dhëna të papërditësuara dhe të mbivendosura,” thuhet në raport. KLSH vlerëson se kjo “dobëson administrimin dhe kontrollin e aktiviteteve me ndikim në mjedis”.

Mangësi u evidentuan edhe në administrimin e raporteve të vetëmonitorimit, dokumente që subjektet me leje duhet të dorëzojnë për të treguar respektimin e kushteve mjedisore. Sipas auditimit, këto raporte nuk regjistroheshin dhe nuk ndiqeshin në mënyrë të standardizuar, duke kufizuar mundësinë për të identifikuar subjektet me risk dhe për të planifikuar kontrollet.

“Administrimi i raporteve të vetëmonitorimit nuk është i standardizuar dhe kryhet në mënyrë të fragmentuar,” thuhet në raport. Kjo, sipas KLSH-së, dobëson gjurmueshmërinë dhe planifikimin e inspektimeve.

Probleme u konstatuan edhe në procedurat e vlerësimit të ndikimit në mjedis, të cilat paraprijnë miratimin e projekteve që mund të shkaktojnë ndotje ose dëmtime të tjera.

KLSH tha se institucionet e përfshira nuk jepnin gjithmonë mendimet e kërkuara, ndërsa verifikimet në terren ishin të pakta dhe pjesëmarrja në konsultimet publike ishte e ulët.

“Procesi i VNM dhe Deklaratave Mjedisore karakterizohet nga mungesë mendimesh nga institucionet, verifikime të pakta në terren dhe pjesëmarrje e ulët në konsultime publike,” thuhet në raport. “Si pasojë, vendimmarrja mbetet shpesh formale dhe jo e bazuar në vlerësim të plotë.”

Auditimi evidentoi gjithashtu dobësi në regjistrat e licencave për veprimtaritë e menaxhimit dhe transferimit të mbetjeve. Regjistrat rezultuan të pasaktë dhe të pastrukturuar, me kode të përsëritura dhe mospërputhje në identifikimin e subjekteve.

Sipas KLSH-së, raportimi i transfertave të mbetjeve ishte i ulët dhe rastet e mungesës së raportimit nuk ndiqeshin rregullisht me inspektime. Kjo kufizon gjurmimin e destinacionit të mbetjeve dhe kontrollin mbi respektimin e kushteve të licencave.

“Raportimi i transfertave të mbetjeve nga subjektet është i ulët dhe nuk shoqërohet me inspektime apo ndjekje nga AKM,” thuhet në raport. Kjo “dobëson ndjeshëm monitorimin, gjurmueshmërinë dhe zbatimin e detyrimeve ligjore”.

KLSH rekomandoi që AKM të krijojë një databazë të vetme për lejet mjedisore të tipit A dhe B dhe të verifikojë plotësisht dokumentacionin para se aplikimet të kalojnë për vendimmarrje.

Audituesit kërkuan gjithashtu më shumë verifikime në terren, ndjekje të subjekteve që nuk dorëzojnë raportet e vetëmonitorimit dhe rishikim të regjistrave të licencave të mbetjeve për të eliminuar dublikimet dhe pasaktësitë.

Sipas raportit, AKM duhet të sigurojë që vendimet për lejet dhe vlerësimet mjedisore të mbështeten “në fakte praktike dhe jo vetëm në referenca ligjore”/Monitor Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm