Lajme Zone
Largimet e shpikura nuk e rrëzojnë News24!
Të tjeraBalkanWeb

Largimet e shpikura nuk e rrëzojnë News24!

Anila Jole, Drejtore Informacioni News24

Anila Jole, Drejtore Informacioni News24 Sot nëpër disa portale është publikuar një shkrim që pretendon se News24 po përjeton një krizë të thellë financiare dhe njerëzore dhe se një numër drejtuesish, gazetarësh dhe moderatorësh po largohen nga televizioni. Ky shkrim është i mbushur me të pavërteta.

Kështu, përfshirja e emrit tim Anila Jole, e Ola Brukos dhe Klodiana Lalës, njerëz që prej vitesh janë pjesë e pandarë e historisë së News24, krijon një realitet që nuk ekziston. Dua ta them qartë, publikisht dhe pa asnjë ekuivok: Unë nuk jam larguar nga News24, as nuk kam dhënë dorëheqjen!

Jam në News24 që nga lindja e këtij televizioni. News24 nuk ka qenë për mua një vend pune ku kam ardhur për të kaluar disa vite. Ka qenë shtëpia ime profesionale. Kam punuar këtu në ditët më të mira dhe në ditët më të vështira. Kam drejtuar, kam ndërtuar, kam investuar kohën, energjinë, pasionin dhe një pjesë të madhe të jetës sime.

Dhe gjatë gjithë këtyre viteve, edhe kur ka qenë e vështirë, nuk më ka shkuar kurrë ndër mend të largohem. Kjo ka ndodhur me shumë njerëz të tjerë, sepse janë gazetarët, redaktorët, operatorët, teknikët, drejtuesit, moderatorët dhe të gjithë ata që kanë punuar këtu ndër vite, ata që kanë mbajtur lart logon e News24.

Pas forcës së këtij televizioni qëndron prej vitesh sipërmarrësi z. Irfan Hysenbelliu, i cili ka investuar dhe ka mbajtur në këmbë këtë media edhe në periudha jashtëzakonisht të vështira. Mund të ketë debate dhe opinione të ndryshme për një televizion, por një gjë nuk mund të mohohet: News24 ka vazhduar të ekzistojë dhe të jetë një zë i rëndësishëm në ekran, falë mbështetjes dhe investimit të pronarit të tij.

Prandaj është e pavërtetë dhe e padrejtë të ndërtohet një histori sikur News24 po shembet dhe njerëzit po largohen masivisht prej tij.

Sa i përket emisioneve që prej rreth dy muajsh e gjysmë nuk janë transmetuar, kjo është e dukshme për çdo shikues të News24 dhe nuk ka nevojë të zbulohet nga “burime”.

Arsyeja është po aq e qartë: është një vendimmarrje editoriale dhe drejtuese për t’i dhënë hapësirë dhe zë protestës dhe zhvillimeve të saj.

Kjo nuk është një provë krize. Është një zgjedhje editoriale.

News24 ka kaluar ndër vite shumë beteja. Ka përballuar presione, sulme, kërcënime dhe tentativa për ta dobësuar. Edhe sot, në një periudhë të vështirë, ndaj tij vazhdojnë sulmet nga drejtime të ndryshme.

Dhe nuk është rastësi që, në këtë valë të vazhdueshme sulmesh ndaj News24, në shënjestër po vendosen pikërisht disa prej njerëzve më të vjetër të këtij televizioni.

Është një mënyrë tjetër për të goditur News24, të krijosh përshtypjen se po largohen njerëzit që e kanë ndërtuar dhe se televizioni po humbet forcën e tij.

Por kjo nuk është e vërteta dhe nuk funksionon.

Sepse News24 nuk mbahet nga një emër i vetëm.

Mbahet nga njerëzit e tij, nga historia e tij dhe nga puna e përditshme e atyre që vazhdojnë të jenë këtu.

News24 po përgatitet për sezonin e ri me hyrje të reja dhe energji të reja.

Një sezon i ri do të thotë programe të reja, rikthime, përmbajtje të reja dhe, sigurisht, edhe gjak të ri në redaksi dhe në ekran.

Njerëzit nuk largohen thjesht sepse dikush vendos t’i largojë në një artikull.

Para se të shpallni largimin tim dhe të kolegëve të mi, verifikojeni njëherë.

Dhe para se të shkruani historinë e News24, mos harroni ata që e kanë shkruar atë histori për dekada.

Unë jam këtu!

Klodiana është këtu!

Ola është këtu!

News24 është këtu!

Dhe News24 po përgatitet për sezonin e ri.

Të tjerat janë thjesht zhurmë.

Dhe zhurma nuk e ndryshon të vërtetën. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb