Një prind ka ngritur shqetësimin pranë JOQ Albania për një listë me 18 lloje materialesh që u është kërkuar të sigurojnë familjet e fëmijëve 4-vjeçarë në kopshtin nr. 5 “Xixëllonjat”, në Valias.
Sipas denoncimit, lista përfshin lapsa, bojëra, plastelinë, fletore, letra A4, kartona me ngjyra, ngjitësa, ngjyra me alkool, prerëse, si dhe lugë, gota e pjata plastike.
Prindi shprehet se nuk është kundër materialeve që u nevojiten fëmijëve për të mësuar dhe për të zhvilluar kreativitetin, por ngre pikëpyetje nëse është e nevojshme që të gjitha këto materiale të sigurohen nga secila familje.
Sipas tij, një kërkesë e tillë mund të përbëjë një barrë ekonomike për prindërit, të cilët përballen edhe me shpenzime të tjera.
Përmes këtij denoncimi, prindi kërkon më shumë transparencë lidhur me materialet që janë të domosdoshme dhe mënyrën se si duhet të sigurohen ato.
A duhet të mbulohet e gjithë kjo listë nga prindërit, apo një pjesë e materialeve duhet të sigurohet nga vetë institucioni?
Denoncimi i plotë:
Përshëndetje JOQ Albania! Dua të ndaj një shqetësim në lidhje me një listë materialesh që u është kërkuar prindërve për fëmijët 4-vjeçarë në kopsht.
Lista përmban plot 18 lloje materialesh, duke përfshirë lapsa, bojëra, plastelinë, fletore, letra A4, kartona me ngjyra, ngjitësa, ngjyra me alkool, prerëse, si dhe lugë, gota dhe pjata plastike. Pyetja ime është: A është normale t’u kërkohen prindërve kaq shumë materiale për fëmijët e kopshtit? A duhet të sigurohen të gjitha këto nga secila familje? Shumë prindër kanë shpenzime të shumta dhe një kërkesë e tillë mund të bëhet barrë ekonomike për familjet. Nuk jam kundër materialeve që u nevojiten fëmijëve për të mësuar dhe për të zhvilluar kreativitetin, por mendoj se duhet të ketë një kufi dhe më shumë transparencë se çfarë është e domosdoshme. Ju lutem, anonim nëse vendosni ta publikoni. Faleminderit!

