Një vullnetar i radios britanike Radio Caroline transmetoi aksidentalisht një material të regjistruar paraprakisht, ku njoftohej vdekja e Mbretit Charles III. Ai po kryente mirëmbajtjen e pajisjeve dhe e vendosi regjistrimin “nga kureshtja”, pa kuptuar se materiali do të dilte drejtpërdrejt në transmetim. Kur kuptoi çfarë kishte bërë, vullnetari u largua në panik, ndërsa radioja heshti për 16 minuta.
Prezantuesit, i cili mendonte se vazhdonte të ishte në transmetim, iu desh edhe një çerek ore për t’u rikthyer dhe për të kërkuar falje.
Në Francë, një grup trafikantësh realizoi më shumë se 1 800 dërgesa droge me dron në një burg pranë Lionit. Operacioni zhvillohej gjatë natës, ndërsa droni fluturonte me dritat e fikura, duke ua bërë të vështirë gardianëve të zbulonin vendndodhjen e tij. Policisë iu deshën dy muaj për të zbardhur skemën. Të dyshuarit u kapën në flagrancë jashtë burgut.
Po në Francë, tufa të mëdha kandilash deti bllokuan pompat e ujit që përdoren për ftohjen e centralit bërthamor Gravelines, pranë Dunkirkut. Për pasojë, tre reaktorë dolën jashtë funksionit.
Në Korenë e Veriut, autoritetet po këshillojnë qytetarët të konsumojnë supë të nxehtë me mish qeni për të përballuar temperaturat rekord. Një mjek i cituar nga media shtetërore rekomandoi konsumimin e ushqimeve të nxehta gjatë periudhës më të nxehtë të verës.
Në Brazil, kapiteni i skuadrës Coritiba, Jacy Maranhão, u rrëzua në tunelin që të çonte drejt dhomave të zhveshjes, pasi kapërceu barrierën për të festuar një gol. Futbollisti u zhduk për disa çaste nga sytë e shokëve të skuadrës, ndërsa pamjet e rënies u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale. Për ta bërë situatën edhe më të keqe, goli u anulua nga VAR-i. Maranhão u rikthye në fushë, por u zëvendësua në pjesën e dytë për shkak të dhimbjeve.
Ministri i ri gjerman i Transportit, Steffen Bilger, provoi personalisht problemet e rrjetit hekurudhor që i është ngarkuar të rregullojë. Gjatë udhëtimit të tij të parë zyrtar me tren, kondicioneri pushoi së funksionuari në vapën përvëluese dhe ministri u detyrua të ndërronte vagon.
Në arkipelagun Svalbard të Norvegjisë, një person u gjobit me 5 255 dollarë pasi përdori sirenën e anijes për të zgjuar një ari polar që po flinte.
Ndërsa në Australi, një kukull seksi tepër realiste shkaktoi alarm për një vrasje. Dy burra gjetën në një zonë rurale të Uellsit të Ri Jugor një valixhe që dukej se përmbante mbetje njerëzore. Në vendngjarje u dërguan hetuesit e vrasjeve, por analizat treguan se “viktima”, e cila kishte piercing në hundë dhe shenja të ngjashme me mavijosje, ishte vetëm një kukull. Policia nuk pret që pronari të paraqitet për ta marrë. Top Channel

