Laçi dhe Elbasani e kanë mbyllur në barazim 1-1 duelin e javës së parë të Kategorisë Superiore, në një sfidë që u vendos në minutat e fundit. Elbasani kaloi në avantazh në minutën e 56-të, kur fitoi një penallti pas ndërhyrjes së Kurtit ndaj Boriçit. Rubin Hebaj mori përsipër ekzekutimin dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhin skuadrës së Ivan Gvozdenoviç.
Pas golit, Laçi reagoi dhe nisi të kërkonte me ngulm barazimin. Kurbinasit patën një mundësi të artë në minutën e 77-të me Traoren, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri në shtyllën e parë.
Presioni i Laçit u shpërblye në minutën e 84-t. Cena realizoi një gol spektakolar nga distanca, duke e dërguar topin në cepin e portës dhe duke vendosur rezultatin 1-1. Goli iu dedikua Olsi Myrtës, i cili pësoi një dëmtim të rëndë para disa ditësh.
Në minutat e mbetura, të dyja skuadrat patën mundësi për të marrë tri pikët. Elbasani iu afrua sërish golit në minutën e 89-të me Deliun, por portieri Guri reagoi mirë dhe ndali gjuajtjen. Në fund, pas pesë minutave shtesë, arbitri sinjalizoi përfundimin e takimit me rezultatin Laçi 1-1 Elbasani.
Kështu, të dyja skuadrat e nisin sezonin e ri të Superiores me nga një pikë, ndërsa Elbasani mund të ketë keqardhjen që nuk arriti ta ruante avantazhin deri në fund. Për Laçin, barazimi në shtëpi vjen pas një reagimi të fortë në pjesën e dytë dhe rikthimit në elitë me një rezultat pozitiv.
Kategoria Superiore, Java 1
Laçi-Elbasani 1-1
Cena 85’/ Hebaj (pen.) 57′ Top Channel

