Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot, më 27 korrik, në seancë plenare publike, e cila do të nisë në orën 10:00. Paralelisht me zhvillimin e saj, është paralajmëruar një protestë para godinës së Parlamentit, ndërsa Policia e Shtetit ka marrë të njëjtat masa sigurie si në seancën e së enjtes.
Perimetri i sigurisë do të jetë i pandryshuar, me prani të shtuar të forcave të policisë në zonën përreth Kuvendit, për të garantuar mbarëvajtjen e seancës dhe tubimit të paralajmëruar.
Gazetarja e Top Channel, Elda Menga, raporton se në orën 09:00 Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do të zhvillojë një mbledhje në selinë blu për të vendosur qëndrimin që do të mbajë në seancën plenare.
Zyrtarisht, rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit të seancës së kaluar, njoftimet dhe projektvendimin për ndryshimin e vendimit nr. 87/2026, që lidhet me caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme parlamentare.
Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse gjatë seancës do të futet për miratim edhe marrëveshja mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, çështje që pritet të jetë edhe arsyeja kryesore e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së përpara nisjes së seancës. Top Channel

