Kuvendi ka nisur seancën plenare, ku në rend dite janë 5 interpelanca të kërkuara nga PD dhe votimi i formulës së re për pagat e magjistratëve. Në nisje të seancës, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi tërheqjen e draftit të PS për pagat e magjistratëve, me argumentin se duhet të vijojnë konsultimet me institucionet e drejtësisë, për të shmangur një tjetër shkelje të Kushtetutës. LEXO edhe...Zhupa: Kuvendi nuk është refektim i kërkesave të qytetarëve, por një institucion që reflekton vetëm dëshirat e Ramës Kërkesa u rrëzua me 79 vota kundër. Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi hipokrite, duke ironizuar qëndrimin e opozitës. “Më thanë që jemi vonuar dhe tani që e kemi sjellë, na thoni ta shtyjmë”, tha Balla. Drafti i PS parashikon rritje me rreth 8 500 lekë të pagës referuese, ndërsa magjistratët kërkojnë një rritje rreth 9 herë më të lartë, të miratuar edhe nga KLGJ e KLP. Ndërkohë, në 5 interpelancat e kërkuara nga PD, ministrat do të pyeten për 102 kontejnerët me mbetje toksike në Durrës, përdorimin e pretenduar të forcës policore në protesta, si dhe çështje të arsimit, energjisë dhe shëndetësisë. Mazhoranca ka rrëzuar gjithashtu në Konferencën e Kryetarëve kërkesën e PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për kompaninë “KAYO”, e cila u depozitua pas audiopërgjimeve të Arben Ahmetajt dhe akuzave për tarfik armësh. Lajmi në përditësim.... Ora 16:49 Zhupa: Kuvendi nuk është refektim i kërkesave të qytetarëve, por një institucion që reflekton vetëm dëshirat e Ramës Deputetja e PD Ina Zhupa tha gjatë fjalës së saj se Kuvendi është kthyer në një institucion që vepron në bazë të dëshirave të kryeministrit Edi Rama."Problemet reale të shqiptarëve janë vjedhja, korrupsioni, shpopullimi dhe injorimi. Rama nuk duhet të shqetësohet për algoritmin, problemi i tij duhet të jetë urrejtja e shqiptarëve dhe të japë dorëheqjen. Ju vazhuat me ‘Shqipërinë që duam’ dhe e bëtë 'Shqipërinë që duan oligarkët'. Tani keni shpikur pasqyrën, ne pasqyra na kujton shtrigën ku shikonte veten nëse ishte më mirë se Borëbardha. Pasqyra reflekton vetëm realitetin. Jemi katandisur keq e ju thoni hajdeni reklamojmë propagandën. Shqiptarët kanë bërë një protestë historike që Shqipëria të jetë një vend i jetueshëm. E keni shndërruar Shqipërinë si një plaçkë, ku thoni hajdeni ta ndajmë me këtë. Te Albanian Files gjeni projekte të Edi Ramës që nuk i dinë qytetarët dhe në Kuvend janë ndryshuar të paktën 6 ligje. Ligjet këtu bëhen sipas Ramës. Kuvendi nuk është refektim i kërkesave të qytetarëve, por një institucion që reflekton vetëm dëshirat e Edi Ramës. Të jeni të sigurt se fundi do të jetë i dhimbshëm”, tha Zhupa. Share Ora 16:44 Tabaku: Për të bërë biznes në Shqipëri ka rëndësi vetëm të njohësh Edi Ramën, asetet publike ndodhen sot nën sulm nga modeli ‘KAYO’ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, është shprehur se kompania ‘KAYO’ tregoi se në Shqipëri mënyra e vetme për të bërë biznes është të njohësh kryeministrin Edi Rama.Teksa tha se shumë familje sot janë në krizë ekonomike, Tabaku shtoi se asetet publike ‘ndodhen nën sulm nga modeli KAYO dhe modele të tjera të ngjashme.’“Dje ishte një ditë e trishtë për shqiptarët në të dy anët e kufirit. Sot ndodhemi në një moment që qytetarët shqiptarë kanë mbi 100 ditë që janë në protestë. Ata nuk janë dakord me mënyrën sesi po qeveriset vendi. Kur shqiptarët kaën ngritur zërin ndaj këtij sistemi, ndaj mënyrës sesi ndahen asetet publike, bëhet publik një skandal i radhës, ose një sekret publik i radhës, siç është ai i KAYO-s.KAYO tregoi se në Shqipëri nuk ka rëndësi sesa eksperiencë ke, sesi bën biznes, sesa ke investuar, por duhet të njohësh vetëm një njeri, Edi Ramën, për të bërë biznes, për të marrë një kontratë publike dhe për të ecur përpara. Asetet publike ndodhen sot nën sulm nga modeli KAYO dhe modele të tjera të ngjashme.Ndërkohë që një familje mezi numëron lekët për qiranë, për naftën, paratë e taksave përdoren sot plotë 34 milionë në mënyrë jo-transparente, duke shkuar vetëm në 4 kompani që sot pretendohet që po zhvillojnë industrinë tonë të mbrojtjes”, tha mes të tjerash Tabaku. Share Ora 16:32 65 mijë kërkesa për dëmet në Ukrainë, Gogu: Dëmet që njihen dhe dëmshperblehen sjellin drejtësi Ministri i Drejtësisë, Gogu, u kërkoi sot deputetëve në seancë plenare të ratifikojnë Konventën për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën. Me ratifikimin, Shqipëria bëhet shteti i dhjetë që e miraton këtë mekanizëm. Që ai të hyjë në fuqi duhen 25 shtete.Sipas ministrit, në Regjistrin e Dëmeve janë depozituar rreth 65.000 kërkesa, të cilat Komisioni do t'i shqyrtojë dhe do të caktojë kompensimin. "Një dëm që vetëm regjistrohet mbetet kujtesë. Një dëm që vlerësohet dhe dëmshpërblehet bëhet drejtësi", tha Gogu. Ai shtoi se Shqipëria do të ketë një kontribut financiar vjetor, i cili mund të kërkohet më pas nga Federata Ruse.Ministri komentoi edhe aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të shpallur dje në Hagë. Ai tha se vendimi u prit "me zhgënjim të thellë". Gogu theksoi se apeli është rruga e duhur për çdo kundërshtim dhe se lufta e UÇK-së "ishte luftë çlirimtare, e drejtë, e domosdoshme"."Ne nuk e mbështesim drejtësinë ndërkombëtare vetëm kur vendimet na pëlqejnë. Por as nuk heshtim kur na zhgënjejnë", u shpreh ai. Share Ora 12:28 Sulmuan me vezë policët, Berisha: Kërkoj lirimin e protestuesve! Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në seancën planare e nisi fjalën e tij për protestën që po mbahet para Kuvendit. Edhe pse nuk vuri në dukje që protestuesët sulmuan me vezë policët, kërkoi që t’i lirojnë të ndaluarit."Denonocoj dhunën policieske ndaj të rinjve, kërkoj lirimin e protestuesve dhe ndëshkimin e atyre që sollën dhunën. Hiqni dorë nga mbrojtja e tij (Ramës) se do ju marrë me vete në anijen e tij që po mbytet.E paimagjinueshme skandali në të cilin dalin Rama, Lubia, Nufi...A e kuptoni ç’u bëni shqiptarëve ju apo jo? I jepni paratë kompanisë së Edi Ramës. Blen automjetet, ku i blen dhe ku nuk i blen dhe shteti ia blen ato automjete me paratë tona.A ka akt më të shëmtuar se ky? A ka vjedhje më flagrante se kjo? A keni ju interesin më të vogël njerëzor apo jeni ushtarë të Yeffet-it dhe Padrinos? Si mund të heshtni ju para këtij fakti?Kontrabandën e legjitimuat dhe bëjnë punët e pista të kryepisit. Në qoftë se qeveria porosit punë të pista, kryepis është ai që porosit punët, dhe është kryeministri”, tha Berisha.Për dënimin e ish krerëve të UÇK, sipas Berishës janë Rama dhe Vuçiç.“Përgjegjës për atë që ndodhi janë Vuciç dhe argati i tij në Tiranë (Rama)”, tha ai Share Ora 12:06 Kumbaro: Shqipëria mirëpret Bordin e PISA-s për herë të parë në Tiranë Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se pas rezultateve të PISA 2025 ekipi i Ministrisë së Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Shërbimeve Arsimore po vijojnë punën për analizimin e plotë të raportit të PISA-s, me qëllim kuptimin e rezultateve dhe nxjerrjen e përfundimeve të nevojshme, duke krahasuar rezultatet e Shqipërisë me ecurinë e saj ndër vite, me vendet e rajonit dhe me vende me realitete të ngjashme socio-kulturore e ekonomike, ndërsa do të merren në konsideratë edhe trendet globale.Ministrja Kumbaro bëri të ditur se në tetor mbledhja e bordit të PISA-s është vendosur të mbahet për herë të parë në Shqipëri.“Dhe një lajm për PISA-n, bordi i PISA ka vendosur që mbledhjen e tyre të ardhshme ta zhvillojnë te vendi me yll, në Shqipëri. Pra, në tetor, mirëpresim bordin e PISA-s të mblidhet në Tiranë”, deklaroi Kumbaro.Kumbaro gjithashtu sqaroi shënimin teknik për rezultatet e Shqipërisë në PISA, se është një shënim teknik, që kërkon kujdes në interpretimin e të dhënave dhe nuk është një deklarim pavlefshmërie i rezultateve.“OECD thotë se në skenarin e analizuar, 428 pikë përfaqëson kufirin e poshtëm të besueshëm të mesatares së rezultatit më të keq të mundshëm; Dhe po ashtu, 7.5% e devijimit standard është vlerësim i paragjykimit të mundshëm, jo një ulje prej 7.5% e rezultatit të Shqipërisë. Dhe kjo matematikë na thotë diçka troç: ylli pranë emrit të Shqipërisë nuk është një vulë pavlefshmërie; është një shënim kujdesi për interpretim, i vendosur me të njëjtën logjikë shkencore me të cilën OECD-ja shënon çdo kufizim teknik në çdo vend. OECD nuk i ka anuluar rezultatet e Shqipërisë, nuk e ka përjashtuar Shqipërinë nga PISA, dhe i ka publikuar këto rezultate bashkë me shënimin teknik që i shoqëron, njësoj siç bën për çdo vend tjetër që përballet me kufizime të ngjashme, siç ka bërë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të njëjtën arsye, apo siç ka bërë me Holandën, Zelandën e Re, Norvegjinë, Kanadanë etj., për arsye të tjera metodologjike”, tha Kumbaro.Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, gjatë fjalës së saj në Kuvend, tha se PISA është një ndër instrumentet që ndihmon në vlerësimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor, ndërsa theksoi se në qendër të këtij procesi është nxënësi. Share Ora 11:57 Rezultatet e PISA/ Boçi interpelancë me ministren e Arsimit: Pse s’morën pjesë shkollat rurale? Kumbaro: Është vlerësim ndërkombëtar, me rregulla të përcaktuara Gjatë interpelancës me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro për rezultatet e testimit PISA, deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, tha se OECD ka evidentuar një fakt konkret, shkollat me më pas 21 nxënës nuk u kontaktuan për testimin“Zonja Ministre në çdo filim të vitit shkollor çdo prind ka shpresën që fëmija e tij do të mësoj shumë. Pas çdo rezultati të rëndësishëm siç është PISA, ka fëmijë, ëndrra dhe prindër dhe mësues që përkushtohen. Detyra jonë është që të kuptojmë gjendjen e tyre dhe të kërkojmë përgjegjësitë për ëndrrat e tyre. Vlerësimi ka vlerë kur ai përputhet me të vërtetën. Unë kam për detyrë që të vërtetën ta mbroj. OECD ka evidentuar një fakt konkret, shkollat me më pas 21 nxënës nuk u kontaktuan për testimin PISA dhe nuk morën pjesë, nuk u kontaktuan nga Ministria e Arsimit. Është një boshllëk strukturor. Shqipërisë i raportohet raportim i kufizuar. Kjo do të thotë diçka shumë konkrete që fëmijët në shkolla rurale, apo me vështirësi ekonomike nuk janë matur fare. Një pamje ata nxënës që kanë më shumë vëmendje. Duam të dimë sa shkolla dhe nxënës ngelën jashtë për çdo qark. Duam qartësi të plotë për rezultatet e Shqipërisë. Duam pasqyrën e plotë financiare sa u investua për PISA. Duam garanci konkrete se në vijim që kjo situatë të mos përsëritet”, tha Boçi.Ndërkohë Minsitrja e Arsmit Mirela Kumbaro nënvizoi se vlerësimi ndërkombëtar PISA zhvillohet sipas rregullave të përcaktuara nga OECD.“PISA nuk është një provim që Ministria e Arsimit e organizon sipas dëshirës së vet, ashtu siç nuk është as një listë shkollash që një zyrtar shqiptar mund ta shkurtojë apo ta zgjerojë sipas interesit politik të momentit. Është një vlerësim ndërkombëtar, me rregulla kampionimi të përcaktuara nga OECD-ja dhe nga konsorciumi ndërkombëtar që e drejton këtë proces në më shumë se 90 vende të botës, dhe këto rregulla zbatohen njësoj, pavarësisht se cila qeveri qëndron në pushtet kur zhvillohet testimi. Prandaj, kur dëgjoj të thuhet se dikush ka vendosur të përjashtojë shkolla nga ky proces, në mos qoftë dezinformim me dashakeqësi që s’dua ta besoj, e kuptoj menjëherë se po ngatërrohen dy gjëra thelbësisht të ndryshme: një procedurë statistikore ndërkombëtare, e vendosur shumë kohë para se testimi të fillojë, dhe një supozim politik për ndërhyrje të qëllimshme. Dhe më vjen shumë keq për banalizimin e këtij diskutimi, ku respektin për një testim të OECD – për të cilin tanimë po flet e gjithë bota, sepse të gjitha sistemet arsimore marrin mësimet e tyre nga këto rezultate – e nëpërkëmbni me dritshkurtësinë e allishverishteve tuaja politike a thua se bëhet fjalë për rezultatet e zgjedhjeve në godinën e SHQUP-it ku i plotësoni shifrat me rrumbullakosje sipas direktivave nga lart-poshtë”, theksoi Kumbaro.Kumbaro tha se për testimin e PISA, pjesëmarrja e nxënësve në shkollat e përzgjedhura ishte 97.37%, mbi standardin prej 80% që kërkohet nga OECD.“Standardi teknik i OECD-së kërkon që pjesëmarrja e shkollave në kampion të jetë të paktën 85%; Shqipëria arriti rreth 80%, dhe ky është fakt që nuk e kemi fshehur asnjë ditë është pjesë e vetë materialit teknik që shoqëron testimin. Por standardi tjetër, po aq i rëndësishëm, kërkon që brenda shkollave të përzgjedhura nga organizata dhe jo nga ne – pjesëmarrja e vetë nxënësve të jetë të paktën 80%; Shqipëria arriti 97,37%. Dhe kjo shifër e dytë, kolegë deputetë, është ajo që rrëzon vetë themelin e akuzës për manipulim: sepse nëse dikush do të kishte dashur të “përzgjidhte” cilët nxënës të dalin mirë në test, do ta kishte bërë pikërisht këtu, duke lënë jashtë testimit nxënës të caktuar brenda shkollave që tashmë ishin pjesë e kampionit. Kjo nuk ka ndodhur. Gati çdo nxënës i thirrur u paraqit, u testua, dhe rezultati i tij u regjistrua ashtu siç ishte. Sa i përket vetë shkollave që nuk hynë në kampion, edhe këtu kemi shifra dhe jo hamendësime: Është krijuar me dashakeqësi përshtypja se kjo qenka një histori “fshati rri jashtë, qyteti futet brenda”, nënvizoi Kumbaro."Nxënësit shqiptarë në testin ndërkombëtar PISA, u renditën me: 433 pikë në matematikë, 435 pikë në shkencë, së bashku me Malin e Zi, duke lënë pas nxënësit e Greqisë. E nëse krahasohemi me veten, me vitin 2022, Shqipëria arriti: +65 pikë në matematikë; +59 pikë në shkencë; +50 pikë në lexim”, u shpreh Kumbaro në interpelancën në Kuvend", tha Kumbaro. Share Ora 11:05 Tabaku: Shqipëria, vendi i vetëm ku gjyqtarët prej 2 muajsh s’paguhen Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkoi tërheqjen e ligjit për pagat e magjistrave, ndërsa shtoi se është shkelur procedura parlamentare. “Ligji për statusin e prokurorëve dhe magjistrave vjen këtu për herë të disatën në Kuvend. Kisha një kërkesë, një nga kërkesat e GJK kishte në momentin që ky ligj u kundërshtua, ishin një proces konsultimi. Ndaj në Komisionin e të Drejtave të Njeriut, ne kërkuam një dëgjesë me të gjithë krerët e institucioneve të drejtësisë. Të majtë dhe të djathtë e morëm me seriozitet. Ndërkohë Ligjet i mbyllën diskutimet, duke miratuar një vendim pa marrë kërkesën tonë. Shqipëria është vendi i vetëm ku ka ngelur 2 muaj pa paguar Kushtetuesen apo dy muaj pa paga gjyqtarët. Vendi i vetëm ku kryeministri dhe ministra sulmojnë prokurorë dhe gjyqtarë. Është vendi i vetëm që sistemin gjyqësor e përdor sa herë i duhet për politikën e ditës dhe nga ana tjetër i shkel me këmbë. Procesi parlamentar për miratimin e këtij ligji është shkelur. Rregullorja po ashtu. Nuk negociohet mbi kushtetutën dhe të drejtat e tyre.”, tha ajo. Share Ora 10:54 Pagat e magjistratëve/ Rrëzohet kërkesa e PD për tërheqjen e draftit të PS! Bardhi: Rrezikojmë të shkelim Kushtetutën! Balla: Hipokrizi Partia Demokratike i kërkoi Partisë Socialiste të tërheqë nga rendi i ditës draftin për formulën e re të pagave të magjistratëve. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, tha se duhet të vijojnë konsultimet me institucionet e drejtësisë, pasi, në të kundërt, sipas tij, ligji rrezikon të miratohet sërish në shkelje të Kushtetutës.“Sot në Kuvend është një çështje shumë e rëndësishme për magjistratët, e mbartur prej 7 vitesh. Ka 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese që mazhoranca juaj ka refuzuar t’i zbatojë, ose më saktë, i ka shkelur. Gjatë kohës kur ne diskutonim në komisione, na kanë ardhur opinionet e institucioneve të drejtësisë. Versioni juaj nuk është konsultuar. Jeni para përgjegjësisë për ta tërhequr sot, sepse rrezikojmë të shkelim Kushtetutën. Duhet të marrim kohën e mjaftueshme që ky Kuvend të marrë një vendim për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare. Nuk mund t’i mbajmë të pasigurt në trajtimin financiar, sepse nuk do t’i shërbenin si duhet vendit. Ndaj tërhiqeni, të bëhet vlerësimi i projektligjit e më tej të veprojmë”, tha Bardhi.Në përgjigje, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e cilësoi hipokrite kërkesën e PD-së, e cila u rrëzua me 79 vota kundër. Balla tha se është lajm pozitiv që opozita del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke iu referuar kritikave dhe akuzave të saj të mëparshme ndaj drejtësisë.“Kuvendi, që nga viti 1998, ka një praktikë të konsoliduar sa i përket procedurës që ndjek në transpozimin e vendimeve të Kushtetueses. Këshilli i Legjislacionit e ka përfunduar detyrën e vet. Madje, Kushtetuesja duhet të marrë shembull nga Këshilli ynë i Legjislacionit. Më vjen mirë të dëgjoj që PD del në mbrojtje të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është lajm pozitiv, sepse tregon reflektim nga ato sharje dhe kërcënime që jemi mësuar t’i dëgjojmë shpesh. Sot jemi këtu për të votuar një projektligj. Vota jonë ndaj kërkesës së PD-së është kundër. Është kërkesë hipokrite. Më thanë që jemi vonuar dhe tani që e kemi sjellë, na thoni ta shtyjmë”, tha Balla. Share Ora 10:35 Sot Kuvend, protestuesit mblidhen para institucionit! Ulen në rrugë Protestuesit janë mbledhur para Parlamentit, teksa ka nisur seanca plenare.Disa prej tyre janë ulur në rrugë. Share Ora 09:34 Rrëzohet kërkesa e PD për komision hetimor për 'KAYO', Bardhi: Ka shpenzuar 34 mln € euro! Balla: Nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore Foto: Gazment Bardhi dhe Taulant BallaMazhoranca socialiste ka rrëzuar kërkesën e PD për ngritjen e një Komisioni Hetimor për veprimtarinë e kompanisë “KAYO”. Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla gjatë Konferencës së Kryetarëve ka deklaruar se kërkesa e demokratëve nuk plotëson kriteret kushtetuese dhe ligjore.Sipas Ballës, nga pikëpamja përmbajtësore, kërkesa nuk individualizon një “çështje të veçantë”, siç kërkohet nga Kushtetuta, pasi objekti i hetimit është konceptuar në mënyrë tepër të gjerë dhe përfshin një sërë çështjesh të ndryshme, pa përcaktuar qartë faktet konkrete që duhet t’i nënshtrohen hetimit parlamentar.Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi deklaroi në Konferencën e Kryetarëve se kompania KAYO ka shpenzuar rreth 34 milionë euro nga buxheti i shtetit dhe kërkoi transparencë mbi mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve, kontratat dhe aktivitetin e kompanisë."Çdo komision hetimor ka për qëllim mbledhjen e informacionit. Ndryshe, për çfarë do të duhej komisioni? Në kërkesë kemi dhënë të gjitha informacionet dhe indiciet. Është fakt që KAYO deri tani ka shpenzuar 34 milionë euro nga buxheti i shtetit pa prodhuar asgjë. Ne nuk dimë çfarë ka përfituar shteti? Çfarë aktiviteti ka? Na rezulton që i vetmi fitues i këtyre parave është Ron Yefet, mik i Kryeministrit. Kjo del hapur në audio-përgjim dhe këtë audio-përgjim e konfirmoi kompania ku është bërë regjistrimi.E vërteta është që individi Ron Yefet sillet si ministër i Mbrojtjes dhe e thotë hapur që ka trafik të armëve. Del hapur që u janë shitur armë vendeve në konflikt. Ne kemi thirrur ministrin në interpelancë dhe tha që kompania ka prodhuar armë dhe i ka shitur. Më pas del zv.ministrja dhe thotë nuk është prodhuar. Pra, duhet mësuar e vërteta?! Janë shpenzuar 34 milionë euro. Kështu na thatë edhe për inceneratorët, por doli që paratë digjeshin në shesh. Kemi kaq kohë që kërkojmë informacion në Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Bardhi.Sipas Bardhit ajo që kërkon PD-ja është të kenë informacion rreth kontratave të lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private“Nuk jepet informacion. Refuzon ministri dhe për këtë i jam drejtuar Kryetarit të Kuvendit. Çfarë duhet të bëjmë ne, të futemi në ministri dhe të marrim dokumentatat? Për këtë arsye duhet komisioni hetimor, sepse ai i nënshtrohet Kodit Penal nëse nuk jepet informacion. Ne nuk kërkojmë asgjë tjetër, veç të mësojmë dhe të njohim kontratat e lidhura mes një kompanie shtetërore me kompaninë private. Si e gjeti KAYO individin Ron Yefet? Cila është CV-ja që ka ky njeri, veç faktit që është mik i Edi Ramës? Si përfiton ky njeri në vetëm 6 muaj 34 milionë euro?Ne jemi të hapur për objektin e hetimit. Na thoni çfarë doni të rregullojmë. Ngritja e komisionit hetimor nuk ka nevojë për lejen tuaj, këtë na e jep Kushtetuta. Ne mund vetëm të diskutojmë objektin e hetimit”, përfi ai.Kërkesa e opozitës u diskutua në Konferencën e Kryetareve, pas pretendimeve të ngritur nga PD lidhur me aktivitetin e kompanisë, kjo edhe pas publikimit të audiopërgjimeve nga ish zv. kryeministri Arben Ahmetaj, ku pretendohet për trafik armësh. Share Ora 09:11 Sot kalon për votim drafti i PS për pagat e magjistratëve, PD kërkesë: Të hiqet nga rendi i ditës, të konsultimet me sistemin e drejtësisë PD ka kërkuar të hiqet nga rendi i ditës propozimi i PS për pagat e magjistratëve. PD thotë se duhet të vijojë konsultimi me sistemin e drejtësisë, në një kohë kur magjistratët e kanë kundërshtuar propozimin e PS. Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë Share SI.E./Xh.K/ReportTv.al pagat e drejtesise Kuvend 17 shtator 2026 Komento Komente Shqipëtari: 17/09/2026 15:24 Për S.Berishën nëqoftëse Beqir Balluku ishte atentator në vitet e largëta nuk vrau popullin si ty por TRADHËTARË,.Të diferencuar dhe këta të fundit ndërsa ti o kriminel vrave pa dallim.Shko në Tropojë i pa shoqëruar. Përgjigju Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni? Të drejtë 5.8% Të gabuar 89.1% Nuk e di 5% Vota total: 2279 Sondazhi i ditës: Haga dënon me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, si e vlerësoni?
