Gjykata Kushtetuese nuk e kaloi në seancë ankimin e ish-zëvendësministres Rovena Voda, e cila pretendoi, mes të tjerash, se një deklaratë e ish-kryeprokurorit të SPAK kishte shkelur prezumimin e pafajësisë. E ekspozuar në hetimet e Prokurorisë së Posaçme gjatë bisedave të dy të pandehurave, Majlinda Hasani dhe Florinda Beu, e cila synonte të punësohej me ndërhyrjen e ish-zv.ministres, SPAK i ngarkoi asaj korruptimin me një arkë peshk, një telefon dhe një mijë euro.
Nga 2021, kur u prangos për këto dyshime dhe, pasi e shleu me masën e arrestit shtëpiak dënimin me një vit burg, Voda insiston se u paragjykua.
Ish-zv.ministrja e Brendshme arsyeton në ankimin kushtetues se, teksa gjendej ende nën gjykim pranë Apelit të Posaçëm, Altin Dumani, në atë kohë kreu i SPAK, e konsideroi sukses dënimin e saj përfundimtar.
Por për ish-zyrtaren, që me vendim gjyqësor e ka të ndaluar të marrë funksione për pesë vite, kjo deklaratë për mediat u dha në një kohë kur ajo ende nuk ishte dënuar, duke ndikuar në gjyqësor.
Voda u gjykua këtu në GJKKO dhe nuk e pranoi akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Voda i përmend Kushtetueses në ankimin individual se u dënua pa asnjë provë, bazuar në thashetheme që përmenden në përgjimet e dy të pandehurave të tjera.
Gjykata Kushtetuese thekson se çështja e provave është kompetencë e gjykatave më të ulëta. Kushtetuesja nuk e pranon pretendimin se Vodës iu shkel prezumimi i pafajësisë.
Argumenti i gjyqtarëve kushtetues është ai i dënimit të saj mbi bazën e provave dhe jo duke u bazuar në deklaratat e ish-drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme.
Fajësia e saj u përcaktua tej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe arsyetuar mjaftueshëm në këtë drejtim, thuhet më tej në vendim.
Ndaj, duke e çmuar të ezauruar këtë çështje, Kushtetuesja vendosi të mos e trajtojë ankimin individual në seancë plenare. Pas këtij momenti, proteston që ish-funksionarja t’i drejtohet Strasburgut. Top Channel

