Rrjetet kriminale Nga lidhjet me kartelet e Amerikës së Jugut te rekrutimi i shpërndarësve përmes TikTok-ut, zbulohet mënyra se si grupet kriminale shqiptare kanë zgjeruar ndikimin në tregun britanik të kokainës. Vëmendja rikthehet te Franc Çopja, ish-banor i Tottenhamit, të cilin prokurorët shqiptarë e akuzojnë për drejtimin e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës në Europë… Një investigim i mediave britanike ka dokumentuar mënyrën e funksionimit të grupeve të organizuara kriminale shqiptare në Britaninë e Madhe, duke zbuluar rrjetet e shpërndarjes së kokainës, metodat e rekrutimit të bashkëpunëtorëve dhe lidhjet me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
The Sun tregon se si këto organizata përdorin rrjetet sociale për të rekrutuar shpërndarës, tregtojnë telefona me mijëra kontakte klientësh për shuma që arrijnë deri në 300 mijë paund dhe shfrytëzojnë rrugët e emigracionit të paligjshëm për të lëvizur persona të përfshirë në aktivitet kriminal.
Gazetarët investigativë arritën të depërtonin në disa prej këtyre rrjeteve, duke komunikuar drejtpërdrejt me rekrutues dhe persona të lidhur me tregtinë e kokainës. Gjatë investigimit, ata arritën të organizonin edhe blerjen e kokainës brenda gjysmë ore, duke demonstruar mënyrën se si funksionojnë shërbimet e shpërndarjes.
Sipas Agjencisë Kombëtare Britanike kundër Krimit (NCA), grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë një rol mbizotërues në importimin e kokainës në Britani, ndërsa lidhjet e drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën e Jugut u kanë mundësuar të shmangin ndërmjetësit tradicionalë europianë.
Franc Copja, 50 kilogramët e kokainës dhe përplasjet mes bandave
Një nga çështjet që trajton dokumentari është ajo e Franc Çopjës, një ish-banor i Tottenhamit, në veri të Londrës, të cilin prokurorët shqiptarë e akuzojnë se ka drejtuar një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të kokainës në Europë.
Sipas investigimit britanik, rrjeti kriminal që autoritetet ia atribuojnë Çopjës u përfshi në një konflikt të dhunshëm mes bandave pas zhdukjes së 50 kilogramëve kokainë në Londër.
Dokumentari e trajton këtë ngjarje në kontekstin e përplasjeve mes organizatave kriminale që veprojnë në tregun ndërkombëtar të narkotikëve, ku konfliktet për ngarkesat e drogës dhe interesat financiare mund të shkaktojnë dhunë.
Megjithatë, materiali i publikuar nga The Sun nuk jep hollësi të mëtejshme mbi rrethanat e zhdukjes së kokainës, identitetin e personave të përfshirë drejtpërdrejt në konflikt apo përgjegjësitë individuale për episodet e dhunshme.
Përfshirja e rastit të Franc Çopja në dokumentar vjen në kuadër të një hetimi më të gjerë gazetaresk mbi strukturat kriminale shqiptare që, sipas autoriteteve britanike, kanë krijuar rrjete ndërkombëtare furnizimi dhe shpërndarjeje të kokainës.
Lidhjet me Amerikën e Jugut dhe kontrolli i tregut britanik
Investigimi e lidh zgjerimin e grupeve kriminale shqiptare me aftësinë e tyre për të krijuar kontakte të drejtpërdrejta me furnizuesit e kokainës në Amerikën e Jugut.
Kjo mënyrë organizimi, sipas dokumentarit, u ka mundësuar të shmangin ndërmjetësit europianë dhe të ndërtojnë rrjete furnizimi që shtrihen nga vendet prodhuese të kokainës deri në qytetet britanike.
Frank Stewart, përfaqësues i Agjencisë Kombëtare Britanike kundër Krimit, thotë se organizatat kriminale shqiptare kanë një pozicion kryesor në këtë treg.
“Ne vlerësojmë se grupet e organizuara kriminale shqiptare kanë kontrollin kryesor mbi importimin e kokainës në vend”, deklaron Stewart.
Dokumentari përmend edhe grupin Hellbanianz, me bazë kryesisht në Barking, në lindje të Londrës, si një prej organizatave me lidhje me krimin e organizuar në Shqipëri.
Sipas raportimit, Hellbanianz është një nga disa grupet kriminale që kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut.
Investigimi dokumenton gjithashtu mënyrën se si persona të lidhur me këto rrjete publikojnë në rrjetet sociale fotografi me armë, shuma të mëdha parash dhe automjete luksoze, duke ekspozuar pasurinë që, sipas raportimit, buron nga tregtia e kokainës.
Telefonat me vlerë 300 mijë paund, biznesi i shpërndarjes së kokainës
Një nga zbulimet kryesore të gazetarëve lidhet me përdorimin e telefonave celularë që përmbajnë mijëra kontakte klientësh.
Investigimi zbuloi se pajisje të tilla reklamohen në rrjetet sociale për shuma që arrijnë deri në 300 mijë paund.
Gazetarët kontaktuan në mënyrë të fshehtë edhe një shitës shqiptar që ofronte një telefon të tillë.
Vlera e pajisjes nuk lidhet me karakteristikat teknologjike, por me rrjetin e klientëve që ajo përmban dhe mundësinë për të marrë në kontroll një aktivitet ekzistues të shpërndarjes së drogës.
David McKelvey, ish-oficer i Policisë Metropolitane të Londrës, i cili ka ndihmuar në zhvillimin e operacioneve të infiltrimit kundër grupeve kriminale shqiptare, shpjegon funksionimin e kësaj metode.
“Telefoni është biznesi. Të gjithë klientët janë në telefonin tënd. Në praktikë, po blen një biznes”, deklaron McKelvey.
Sipas investigimit, këto pajisje përbëjnë një element të rëndësishëm të rrjeteve të shpërndarjes, pasi u mundësojnë personave që marrin kontrollin e tyre të komunikojnë menjëherë me një numër të madh klientësh. Rekrutimi në TikTok, 280 paund në ditë për shpërndarësit
Gazetarët zbuluan qindra reklama në TikTok që ofronin vende pune për shpërndarës droge në qytete të ndryshme të Britanisë së Madhe. Duke u paraqitur si persona të interesuar për punë, ata kontaktuan disa prej llogarive dhe morën oferta konkrete për shpërndarjen e kokainës.
Në Wigan, një rekrutues ofroi pagesë prej 280 paundësh në ditë, ndërsa në Exeter një tjetër ofertë përfshinte edhe sigurimin e akomodimit.
Ish-oficeri David McKelvey e krahason këtë mënyrë rekrutimi me praktikat e kompanive të mëdha.
“Është sikur një korporatë e madhe të reklamojë dhe të rekrutojë staf”, shprehet ai.
Gazetari investigativ Chris Matthews tregon se disa prej llogarive publikonin mesazhe që, pa përmendur shprehimisht shitjen e kokainës, përdornin simbole dhe shprehje të kuptueshme për personat e përfshirë në këtë treg.
“Këta persona publikojnë hapur në TikTok. Mund të mos thonë se shesin kokainë, por përdorin disa simbole dhe nënkuptime. Të gjithë e kuptojnë se çfarë po bëjnë”, deklaron Matthews.
Ai shpjegon se kontaktoi personalisht disa llogari që reklamonin vende pune për shoferë në qytete britanike.
Komunikimi fillestar u zhvillua në gjuhën shqipe, pasi personat që administronin llogaritë tregonin më pak besim ndaj atyre që i kontaktonin në anglisht.
“Nuk flisja shqip, ndaj dërgoja mesazhe shumë të shkurtra, si ‘Ndonjë lajm, vëlla?’. Ata përgjigjeshin dhe propozonin të flisnim në telefon”, tregon gazetari.
Kjo krijoi një vështirësi për ekipin investigativ, pasi Matthews nuk mund të zhvillonte vetë biseda telefonike në gjuhën shqipe.
Për këtë arsye, gazetarët kërkuan ndihmën e një bashkëpunëtori që fliste shqip dhe që pranoi të komunikonte me personat e dyshuar.
Matthews thotë se gjetja e një bashkëpunëtori nuk ishte e lehtë, pasi personat që njihnin gjuhën dhe komunitetin shqiptar shqetësoheshin për sigurinë e tyre.
“Shqipëria është një vend i vogël, ku njerëzit njohin njëri-tjetrin. Grupet kriminale shqiptare janë shumë të rrezikshme dhe kanë prirje për dhunë”, shprehet ai, duke iu referuar organizatave që hetonte.
Sipas gazetarit, bashkëpunëtori që zhvilloi telefonatat mori përsipër një rrezik të konsiderueshëm.
Si u infiltruan gazetarët në rrjetet e rekrutimit
Për të fituar besimin e rekrutuesve, bashkëpunëtori shqipfolës u prezantoi një kandidat që ndodhej në Britani dhe kërkonte të rikthehej në aktivitetin e shpërndarjes së drogës.
Ai u shpjegoi se personi kishte mbetur pa punë, por kishte përvojë të mëparshme në këtë aktivitet.
Megjithëse kandidati nuk ishte shqiptar, bashkëpunëtori garantoi se e njihte dhe se mund t'i besohej.
Në këtë mënyrë, ekipi investigativ arriti të zhvillonte komunikime më të drejtpërdrejta me personat që organizonin rekrutimin.
Matthews shpjegon se rrjetet kriminale shqiptare kanë preferuar tradicionalisht të punojnë me bashkatdhetarë, jo vetëm për shkak të besimit, por edhe sepse lidhjet familjare dhe shoqërore mund të përdoren për të ushtruar presion.
“Ata e dinë se kush janë, nga vijnë dhe ku i kanë familjet. Kjo u jep mundësi të ushtrojnë presion ndaj tyre”, thotë gazetari.
Sipas tij, më parë rekrutimi zhvillohej kryesisht përmes njohjeve personale, shpesh në lokale të frekuentuara nga shqiptarët.
Megjithatë, zgjerimi i aktivitetit ka ndryshuar këtë praktikë.
“Grupet shqiptare janë zgjeruar aq shumë, sa nuk kanë më shpërndarës të mjaftueshëm. U duhen gjithnjë e më shumë njerëz, ndaj dalin në TikTok dhe bëjnë thirrje të hapura për shoferë”, shpjegon Matthews.
Ai pretendon se ofertat e punës shtrihen në pothuajse të gjitha qytetet britanike, me përjashtim të zonës së Merseyside, ku, sipas tij, grupet kriminale vendase kanë një prani të fortë dhe përdorin dhunë. Deri në 2 mijë paund në javë, si shfrytëzohen vështirësitë ekonomike
Sipas Chris Matthews, grupet kriminale përfitojnë edhe nga vështirësitë ekonomike që përballojnë disa persona në Britaninë e Madhe.
Ai thekson se rritja e kostos së jetesës dhe mundësitë e kufizuara për të siguruar të ardhura të larta i bëjnë ofertat e shpërndarjes së drogës financiarisht tërheqëse për disa individë.
“Të gjithë e dinë se është e vështirë të fitosh para në Britani. Gjithçka është shtrenjtuar. E vetmja gjë që është bërë më e lirë gjatë dhjetë viteve të fundit është kokaina”, deklaron gazetari.
Sipas përllogaritjeve të tij, një person që pranon të punojë si shofer për shpërndarjen e kokainës mund të përfitojë rreth 2 mijë paund në javë, pa deklaruar të ardhurat dhe pa paguar taksa.
Matthews e krahason këtë shumë me të ardhurat që një profesionist do të duhej të siguronte ligjërisht për të pasur një pagë të ngjashme neto.
Ai përmend si shembuj mjekët dhe kontabilistët, duke theksuar se profesionet e tyre kërkojnë vite arsimimi dhe kualifikimi.
Sipas gazetarit, kjo diferencë financiare është një nga elementet që rrjetet kriminale shfrytëzojnë gjatë rekrutimit.
Emigracioni i paligjshëm dhe përfshirja në trafikun e drogës
Një pjesë tjetër e investigimit trajton lidhjet mes grupeve të organizuara kriminale shqiptare dhe rrjeteve që organizojnë kalimin e paligjshëm të Kanalit të La Manshit.
Sky News intervistoi një shtetas shqiptar, të identifikuar me pseudonimin Granit, i cili pranoi se kishte hyrë ilegalisht në Britani me qëllimin për të punuar në tregtinë e drogës.
Ai tregoi se familjarët kishin paguar për udhëtimin e tij, me kusht që pas mbërritjes të punonte për shpërndarës shqiptarë.
“Përdorëm një motoskaf për të shkuar në Britani”, deklaroi Graniti.
I pyetur nëse edhe persona të tjerë që ndodheshin në të njëjtin mjet kishin synuar të përfshiheshin në tregtinë e drogës, ai u përgjigj:
“Po. Shumica e tyre ishin nisur me këtë ide”.
Pas mbërritjes në Britani, autoritetet e strehuan në një hotel për azilkërkues, por ai u largua brenda një kohe të shkurtër dhe nisi të punonte në një ambient të kultivimit të kanabisit pranë Mançesterit.
Më vonë, Graniti u kthye në Shqipëri, ku punon në sektorin e ndërtimit.
Ai pranoi të fliste në kushte anonimiteti, pasi kishte frikë nga hakmarrja e grupeve kriminale.
Sipas dëshmisë së tij, persona të tjerë vazhdojnë të ndërmarrin kalimin e rrezikshëm të Kanalit të La Manshit me synimin për t'u përfshirë në rrjetet kriminale që veprojnë në Britani.
Në vitin 2022, shqiptarët përbënin pothuajse një të tretën e personave që mbërritën në Britani me varka të vogla, duke qenë grupi më i madh sipas shtetësisë për atë vit.
Kjo statistikë përshkruan flukset migratore dhe nuk përbën tregues të përfshirjes së emigrantëve shqiptarë në kriminalitet. NCA: Trafiku i drogës dhe emigracioni i paligjshëm kanë lidhje të ngushta
Frank Stewart, përfaqësues i Agjencisë Kombëtare Britanike kundër Krimit, paralajmëron se disa rrjete të trafikut të drogës dhe organizata të përfshira në emigracionin e paligjshëm kanë lidhje të drejtpërdrejta.
Sipas tij, numri i personave që ndodhen ilegalisht në Britani nuk dihet me saktësi.
Stewart shpjegon se grupet kriminale shqiptare preferojnë të punojnë me bashkatdhetarë që i njohin dhe të cilëve u besojnë.
“Nuk mund t'i ndash nga personat e përfshirë në krimin e organizuar të emigracionit. Ka grupe kriminale shqiptare që organizojnë vetë trafikimin dhe futjen e paligjshme të njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar”, deklaron ai.
Sipas NCA-së, këto lidhje krijojnë mundësi që rrjetet kriminale të organizojnë jo vetëm hyrjen e personave në Britani, por edhe lëvizjen e tyre jashtë vendit.
2 500 paund për t'u larguar nga Britania kur kërkohesh nga policia
Investigimi zbuloi se disa rrjete të kontrabandimit të njerëzve ofrojnë shërbime edhe në drejtimin e kundërt, nga Britania drejt Europës.
Gazetarët identifikuan një llogari në TikTok që reklamonte në gjuhën shqipe transportimin e personave që kishin probleme me autoritetet britanike.
“Transportojmë djem me probleme nga Britania drejt Europës. Udhëtim i sigurt çdo javë”, thuhej në reklamë.
Kur gazetarët kontaktuan administratorin e llogarisë, ai u shpjegoi se mund të organizonte transportimin drejt Shqipërisë me kamion, kundrejt një pagese prej 2 500 paundësh për person.
Oferta u drejtohej edhe personave që kishin probleme me policinë britanike.
Sipas investigimit, kjo mënyrë veprimi u krijon mundësi personave të përfshirë në aktivitet kriminal të përpiqen të largohen nga territori britanik kur përballen me hetime. Dhuna, shfrytëzimi dhe pasojat e tregut të kokainës
Dokumentari i Sky News trajton edhe pasojat e tregtisë së kokainës përtej aktivitetit të drejtpërdrejtë të shpërndarjes.
Kathryn Westmore, drejtuese për krimin financiar në organizatën UK Finance, paralajmëron se pas një transaksioni droge qëndron shpesh një zinxhir i gjatë veprimtarish kriminale.
Sipas saj, ky zinxhir mund të përfshijë shfrytëzimin e personave të cenueshëm, dhunën dhe forma të tjera të krimit të organizuar.
“Ky nuk është një krim pa viktima, ku dikush thjesht blen kokainë për një mbrëmje argëtimi”, deklaron Westmore.
Ajo thekson se pas një blerjeje të tillë ekziston një histori që lidhet me njerëz të shfrytëzuar, persona në situata të vështira dhe episode dhune.
“E gjithë kjo është pjesë e të njëjtit sistem dhe prek jetën e të gjithëve ne”, shton ajo.
Investigimi The Drug Lords Next Door paraqet kështu një panoramë të funksionimit të rrjeteve të trafikut të kokainës në Britaninë e Madhe, nga furnizimi ndërkombëtar dhe konfliktet mes grupeve kriminale te rekrutimi i shpërndarësve dhe administrimi i klientëve përmes teknologjisë.
Në këtë kontekst, dokumentari rikthen në vëmendje edhe çështjen e Franc Copjës dhe konfliktin që, sipas raportimit, pasoi zhdukjen e 50 kilogramëve kokainë në Londër.
Megjithatë, investigimi nuk dokumenton se Franc Copja ka qenë i përfshirë personalisht në rekrutimet përmes TikTok-ut, shitjen e telefonave me kontakte klientësh apo organizimin e kalimeve të paligjshme të kufirit. Këto janë elemente të tjera të veprimtarisë së rrjeteve kriminale që trajton dokumentari.
Akuzat ndaj Copjës për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës i atribuohen prokurorëve shqiptarë dhe nuk duhen trajtuar si përgjegjësi penale të provuara pa një vendim gjyqësor përkatës. /Përshtatur nga The Sun/ mafia britania e madhe copja 7c582816 3773 4736 a877 a11b7813c423 drug lords next door available 1123948778 www instagram com hellbanian z 448560966 www instagram com hellbanian z 448561160 Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kronike I kërkuar në Itali për vjedhje me armë dhe kanosje, arrestohet në Tiranë Miklovan Arapi 20 Nëntor 2026, 14:3814:38Kronike Po kërkonin rrugë të re për kokainën, dështon plani i mafies shqiptare në Spanjë; arrestohet 'koka' rrjetit 20 Nëntor 2026, 12:1512:15Kronike "Jam Edi Rama"/ Supermashtrimi në Tiranë, arrestohet Albi Muça që i kërkoi 1 milion euro biznesmenit 20 Nëntor 2026, 11:5211:52Kronike 520 milionë euro fitime në 2 vite/ Si funksiononte klani Çopja, paratë e kokainës përfnin në Dubai dhe Stamboll 20 Nëntor 2026, 10:3910:39Kronike Droga “Haribo” me postë nga Anglia, detaje nga operacioni; si i shpëtoi policisë Flavio Islamaj 20 Nëntor 2026, 10:3710:37Kronike Grabitje në Durrës, 34-vjeçari i merr taksistit paratë, celularin dhe çelësat e makinës nën kërcënimin e thikës 20 Nëntor 2026, 10:2810:28Kronike

