Lajme Zone
Kush është Navi Pillay dhe pse shpërtheu polemika për Çmimin Nobel për Paqen?
BotëReport TV

Kush është Navi Pillay dhe pse shpërtheu polemika për Çmimin Nobel për Paqen?

Mbrojti Nelson Mandelën, më pas u angazhua për drejtësinë në Ruandë dhe mori poste të rëndësishme ndërkombëtare. Në krye të Komisionit Hetimor për Gazën, akuzoi Izraelin për gjenocid.

Nga lagjet më të varfra të Durbanit, nën qiellin e zymtë të regjimit të aparteidit, deri në postet më të larta të gjykatave ndërkombëtare. Çmimi Nobel për Paqen, që iu dha mëngjesin e djeshëm juristes Navanethem Pillay, e njohur si Navi, vjen pas më shumë se 50 vitesh përpjekjesh kundër pandëshkueshmërisë, diskriminimit gjinor dhe krimeve të luftës. Një gjysmë shekulli punë e zhvilluar me “guxim dhe integritet të jashtëzakonshëm”, siç thuhet në motivacionin e çmimit. LEXO edhe...Trump kritikon ashpër Nobelin e Paqes për juristen Navi Pillay: Njollë e pashlyeshme për Norvegjinë! S’e njoh fituesen, askush s’ka dëgjuar për të “Përse duhet guxim për të thënë të vërtetën? Ti interpreton ligjin. Shqyrton të gjitha faktet dhe më pas merr një vendim të paanshëm”, reagoi ajo dje, pasi mësoi lajmin, sikur të donte të zbehte retorikën e heroizmit personal. E megjithatë, duhet guxim të lindësh grua, me origjinë indiane dhe e varfër, në Afrikën e Jugut të vitit 1941, duke e ditur se shoqëria e ka përcaktuar tashmë fatin tënd: përjashtimin. Për Navi Pillay, fëmijën e pestë nga tetë fëmijët e një familjeje emigrantësh tamilë në Durban, jeta nis në një shtëpi ku babai punon si shofer autobusi dhe shkon për peshkim për të siguruar ushqimin e darkës. Duhet guxim që, si fëmijë, të ëndërrosh të luash në një kolovajze që është e rezervuar vetëm për të bardhët. Por duhet guxim edhe nga një komunitet i tërë që vendos të mobilizohet dhe të besojë tek ajo, duke mbledhur monedha për t'i paguar tarifat e studimit në Universitetin e Natalit. Duhet guxim të martohesh me zgjedhjen tënde dhe jo me imponim, në janar të vitit 1965, duke thyer traditën e martesave të rregulluara nga familjet, për t'u martuar me Gaby-n e saj, jurist ashtu si ajo. Duhet guxim edhe të birësosh dy vajza, duke e ditur se një ditë do të të duhet t'u shpjegosh përse kolovajzat ishin të ndaluara për to. Duhet guxim të hapësh në vitin 1967 zyrën e parë ligjore të drejtuar nga një grua jo e bardhë në rajonin e Durbanit. Regjimi e mban nën një klimë të vazhdueshme frikësimi. Zyrat e saj kontrollohen, kolegët e bardhë refuzojnë t'i japin dorën, ndërsa gjyqtarët përpiqen ta poshtërojnë duke e detyruar të qëndrojë në hapësira të veçuara. Por duhet guxim të mos dorëzohesh dhe t'i kthesh hollësitë burokratike në mjete për të bllokuar seancat gjyqësore dhe për të kërkuar respektimin e të drejtave të tua. Duhet guxim të sfidosh shtetin e Afrikës së Jugut në vitin 1973, duke udhëhequr një betejë ligjore që e detyron sistemin penitenciar të njohë të drejtat themelore të të burgosurve politikë në ishullin Robben Island, ku mbahej i burgosur Nelson Mandela. Duhet guxim edhe të vazhdosh të mbledhësh dëshmitë e njerëzve të torturuar, ndërkohë që regjimi godet njerëzit e tu më të dashur, duke burgosur bashkëshortin. Duhet guxim të mos thyhesh dhe të udhëtosh drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 1988, për t'u bërë gruaja e parë nga Afrika e Jugut që merr një doktoraturë në Fakultetin e Drejtësisë të Harvardit. Kur regjimi i aparteidit më në fund rrëzohet, duhet guxim të kthehesh në atdhe për të marrë pjesë në shkrimin e historisë së re të vendit. Pillay bëhet pjesë e Koalicionit Kombëtar të Grave (Women's National Coalition), duke kontribuar që në Kushtetutën e re të përfshihet dispozita që ndalon çdo formë diskriminimi. Integriteti i saj e shtyn Nelson Mandelën, tashmë president i Afrikës së Jugut, ta emërojë në vitin 1995 gruan e parë jo të bardhë në Gjykatën e Lartë të vendit. Duhet guxim të largohesh nga vendi yt për t'u përballur me sfidat e drejtësisë ndërkombëtare. E zgjedhur gjyqtare në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, Navi Pillay është e vetmja grua në trupën gjyqësore gjatë katër viteve të para të mandatit të saj. Në vitin 1998, gjatë procesit historik kundër Jean-Paul Akayesu, ajo pati guximin të ndërhynte dhe të kërkonte ndryshimin e rrjedhës së gjykimit. Aktakuza nuk përfshinte krimet seksuale dhe Pillay këmbënguli që dëshmitaret të dëgjoheshin. Ajo dëgjoi rrëfimet më tronditëse të dhunës së ushtruar ndaj grave, duke kërkuar që ato të regjistroheshin zyrtarisht në procesverbalet e gjykimit. Kjo ndërhyrje kontribuoi në një vendim historik, që përcaktoi për herë të parë në jurisprudencën ndërkombëtare se përdhunimi masiv mund të përbëjë një akt gjenocidi. Duhet guxim të drejtosh Zyrën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nga viti 2008 deri në vitin 2014, duke u bërë e vetmja që siguroi dy mandate, falë një pavarësie të rrallë në mendim dhe qëndrim. Navi Pillay kritikoi Shtetet e Bashkuara për burgun e Guantanamos dhe denoncoi shkeljet e të drejtave të njeriut nga Rusia dhe Kina. Së fundmi, ajo drejtoi Komisionin e Pavarur Hetimor për Gazën, të ngritur nga Kombet e Bashkuara, i cili në një raport akuzoi Izraelin për gjenocid dhe Hamasin për krime lufte. Pillay u largua nga kjo detyrë vitin e kaluar, në një klimë presioni të fortë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara. Sot, Navi Pillay jeton në Durban, e vetme në shtëpinë e saj, por e rrethuar nga dashuria e vajzave dhe e një komuniteti që nuk e ka braktisur kurrë. Megjithatë, ajo vazhdon të udhëtojë dhe shpesh ndodhet jashtë vendit. Dje, lajmin se kishte fituar Çmimin Nobel për Paqen e mori ndërsa merrte pjesë në një konferencë në Gjykatën e Nurembergut. “Ndoshta ishte e shkruar që, në momentin kur më njoftuan për çmimin, të ndodhesha pikërisht në këtë sallë historike, në sallën numër 600, ku u zhvilluan gjyqet kundër drejtuesve nazistë”, u shpreh Pillay gjatë një fjale të improvizuar. Dhe në fund, ajo përcolli një mesazh të drejtpërdrejtë për udhëheqësit politikë: “U them udhëheqësve politikë: ju keni detyrimin ligjor të mbroni të drejtat e njeriut dhe të shmangni luftën”./Corriere Della Sera SI.E./ReportTv.al Navi Pillay cmimi nobel Nobel për Paqe Komento Komente Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki? Po 60.5% Jo 33% Nuk e di 6.4% Vota total: 3772 Sondazhi i ditës: PS miraton me 85 vota Territorialen, a jeni dakord me ndarjen e vendit në 46 bashki?