Kreu i Policisë së Shtetit, deklaroi se “pas revoltës së të rinjve qëndrojnë duar të zeza, brenda dhe jashtë vendit”. Që të ketë “duar të zeza” brenda vendit, kjo nuk është lajm, pasi politika jonë të zeza i ka patur duart gjithmonë. Por “interesante” janë këto duart e huaja.
Kur shpërtheu protesta e “Flamingove” në qershor, qeveria tha se po e organizojnë grekët për të sabotuar turizmin.
Pastaj tha se janë iranianët, për shkak se janë kundërshtarë gjeopolitikë.
Pastaj serbet e pastaj rusët.
Madje, atë kohë tha se brenda datës 14 qershor do të bëheshin të ditur se kush janë sponsorët dhe organizatorët.
Por të vetmit “spiunë” rezultuan një grua nga Kosova, që u shpall non grata dhe vetë drejtoresha e SHISH që spiunonte tek Gysi.
Sot jemi kthyer sërish tek “dora e huaj”.
Nuk është asnjë çudi. Pas rrebelimeve që përmbysin qeveri e regjime ka gjithmonë e kudo “dorë të huaj”.
Por, nëse po, nga cili vend vjen kjo “dorë”, në rastin tonë?
A është e njëjta “dorë“ që organizoi “Famingot” qytetare dhe paqësore, por tashmë i vuri kthetra, pasi paqja nuk qullosi gjë?
A kishte lidhje vizita e Ministrit të Jashtëm Izraelit në Tiranë, që bëri deklarata të forta mbështetëse për Ramën, vetëm një ditë para demonstratës së lajmëruar? Nëse ka informacione që vende jo miqësore organizuan rrebelimin për ta dëmtuar Shqipërinë, atëherë, a mundet qeveria ta njoftojë popullin që të distancohet si nga “Flamingot” paqësore ashtu dhe nga “Shqiponjat” grabitqare?
Që ata që djegin, e veçanërisht sulmojnë bankat, nuk janë studentë, unë këtu bashkohem me qeverinë. Por çfarë janë? Protestuesit kanë vënë maska, por edhe shteti ka vënë maska. Dhe kur vishen maskat, bisedimet e predikuara janë aq të vështira sa edhe identifikimi i atyre që mbajnë maska. Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

