Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sonte në Zyrën e Kryeministrit përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në ditën e dytë të punës pas rizgjedhjes në krye të Qeverisë.Në takim morën pjesë përfaqësues të partive politike shqiptare nga Lugina e Preshevës, ndër ta Shaip Kamberi, Visar Memeti, Shqiprim Musliu, Sami Salihu, Armend Aliu, Sali Salihu, Agim Sabedini, si dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, dhe përfaqësuesi nga Medvegja, Arben Ferati. Sipas Kurtit, takimi u zhvillua me qëllim të dëgjimit të qëndrimeve të përfaqësuesve shqiptarë dhe diskutimit për sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkërendimi politik për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe forcimin e përfaqësimit të tyre, veçanërisht atij parlamentar.“Shqiptarët e Luginës kanë nevojë për bashkëpunim e përgjegjësi të përbashkët. Dallimet partiake janë pjesë e demokracisë, por interesi i qytetarëve duhet të jetë pikëtakimi i angazhimit të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.Kryeministri ka theksuar se mbështetja e Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës do të vazhdojë.“Do të jemi pranë tyre në mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme”, ka deklaruar ai.

