Lajme Zone
“Kujdes me Territorialen”, Këshilli i Europës: Duhet konsultim me banorët, mos u hiqni kompetenca bashkive
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

“Kujdes me Territorialen”, Këshilli i Europës: Duhet konsultim me banorët, mos u hiqni kompetenca bashkive

Ndërsa mazhoranca dhe opozita vijojnë të ndahen për reformën e re territoriale, Këshilli i Evropës kërkon që çdo vendim të mos merret me nxitim dhe pa dëgjuar qytetarët.

Ndërsa mazhoranca dhe opozita vijojnë të ndahen për reformën e re territoriale, Këshilli i Evropës kërkon që çdo vendim të mos merret me nxitim dhe pa dëgjuar qytetarët. Në një draft-raport prej 9 faqesh për Shqipërinë të siguruar nga Top Channel, institucioni europian vlerëson se çdo ndryshim i hartës administrative duhet të mbështetet fillimisht në një analizë të plotë të reformës së vitit 2015 dhe në konsultime reale me komunitetet që preken.

“Ekziston rreziku që gjatë përgatitjes së reformës territoriale të planifikuar për vitin 2026 të zhvillohen vetëm konsultime formale dhe jo thelbësore, nëse qeveria synon të respektojë afatin e njoftuar për zbatimin e saj”, thuhet në raport. Sipas dokumentit, pushteti vendor deri tani ka pasur vetëm një rol të kufizuar në këtë proces, ndërsa ekziston rreziku që konsultimet të mbeten vetëm formale nëse reforma synohet të përfjë brenda afateve të shpallura nga qeveria.

“Duke pasur parasysh afatin e caktuar për zbatimin e reformës, mund të ketë arsye për shqetësim nëse njësitë e qeverisjes vendore konsultohen vetëm në fazën përfundimtare të procesit të vendimmarrjes. Në një rast të tillë, ekziston rreziku që ato të kenë kohë të kufizuar për t’u përgatitur për zbatimin e reformës dhe të mos kenë mundësi të kontribuojnë në mënyrë domethënëse me propozimet dhe nismat e tyre.”

Raporti ngre shqetësimin se, pavarësisht diskutimeve për krijimin e bashkive më të mëdha, një pjesë e rëndësishme e shërbimeve publike vijon të kontrollohet nga pushteti qendror. Menaxhimi i mbetjeve, furnizimi me ujë dhe arsimi përmenden si fusha ku bashkitë nuk ushtrojnë kompetenca të plota, duke kufizuar rolin e tyre në zbatimin e vendimeve të marra në qendër.

Për këtë arsye, raportuesit e Këshillit të Evropës theksojnë se dobësitë e disa bashkive nuk duhet të përdoren si argument për t’u hequr më shumë kompetenca.

Dokumenti shkon edhe më tej, duke kërkuar që reforma të mos fokusohet vetëm te numri i bashkive apo kufijtë administrativë. Sipas raportit, duhet të rishikohet edhe roli i qarqeve, pasi në formën aktuale ato nuk i plotësojnë kriteret për t’u konsideruar njësi të mirëfillta të vetëqeverisjes vendore. Top Channel