Qarkullimi në Tunelin e Krrabës do të kufizohet gjatë orëve të natës, për një periudhë që mund të zgjasë deri në 20 ditë, për shkak të punimeve të planifikuara për pastrimin e mureve dhe pajisjeve të tunelit.
Sipas njoftimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, punimet do të nisin të mërkurën, më 7 tetor, dhe do të zhvillohen çdo natë nga ora 21:00 deri në 06:00.
Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi do të bëhet vetëm përmes njërit prej tubave të tunelit. Fillimisht do të ndërhyhet në tubin e drejtimit Elbasan–Tiranë, ndërsa tubi Tiranë–Elbasan do të përdoret për lëvizjen e automjeteve në të dyja drejtimet.
Ndërkohë, gjatë ditës, nga ora 06:00 deri në 21:00, të dy tubat do të jenë në funksion dhe qarkullimi do të vijojë normalisht.
Në zonë do të jetë e pranishme edhe Policia Rrugore për menaxhimin e trafikut dhe garantimin e sigurisë së drejtuesve të mjeteve gjatë orëve të punimeve.
ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes gjatë kalimit në tunel, të respektojnë sinjalistikën dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore deri në përfundimin e ndërhyrjeve.

