Deputetja socialiste Etleva Budini shmangu komentet për vjedhjen e 700 mijë eurove të pensionistëve në Durrës, çështje për të cilën ajo mund të verifikohet nga SPAK për periudhën kur drejtonte Postën Shqiptare në këtë qytet. Gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2027 në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, i kërkoi Budinit të jepte shpjegime për ngjarjen dhe të sqaronte nëse kishte dijeni apo përgjegjësi për zhdukjen e parave.
Megjithatë, deputetja socialiste nuk iu përgjigj kësaj kërkese dhe vijoi prezantimin e buxhetit, përfshirë parashikimet për të ardhurat e pensionistëve.
Tabaku e konsideroi veçanërisht të rëndë faktin që në shënjestër të vjedhjes kishin përfunduar paratë e pensionistëve.
“Janë vjedhur fonde kudo. Po të vjedhësh dhe lekët e pensionistëve, ky është një minimum i ulët, i ri, që nuk e kishte arritur askush. Ne duhet që të flasim. Kemi nevojë që të marrim vesh çfarë ka ndodhur me fondet e pensionistëve në Durrës”, deklaroi Tabaku.
Mungesa e një përgjigjeje nga Budini e zhvendosi diskutimin për disa minuta në një përplasje mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, ku nuk munguan as ironitë dhe metaforat.
Deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj akuzoi Partinë Socialiste se korrupsionin e ka kthyer në bosht të veprimtarisë së saj politike, duke përdorur edhe një metaforë me alfabetin shqip.
“Lokomotiva sot që udhëheq mendimin politik të Partisë Socialiste është vjedhja, hajdutëria, korrupsioni. Alfabeti i gjuhës shqipe që ka 36 shkronja, po të jetë puna për të vjedhur, ja hiqni 10 shkronja, e bëni me 26”, u shpreh Gjekmarkaj. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

