Lajme Zone
Ku shkuan 160 mijë eurot që shqiptarët dhuruan për Nënë Filen në GoFundMe?
Të tjeraJOQ Albania

Ku shkuan 160 mijë eurot që shqiptarët dhuruan për Nënë Filen në GoFundMe?

Rreth 160 mijë euro të mbledhura nga shqiptarët përmes GoFundMe për të ndihmuar Nënë Filen dhe djalin e saj, Andy, po ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si janë administruar dhe ku kanë përfunduar fondet.

Rreth 160 mijë euro të mbledhura nga shqiptarët përmes GoFundMe për të ndihmuar Nënë Filen dhe djalin e saj, Andy, po ngrenë pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si janë administruar dhe ku kanë përfunduar fondet.

Fushata u hap nga Manjola Kuçi, e cila jeton në SHBA dhe drejton organizatën “Brandon Forever 22 Legacy”, me qëllimin për të ndihmuar familjen e Nënë Files dhe veçanërisht djalin e saj Andy, i cili ka nevoja të veçanta të lidhura me autizmin.

Pas shqetësimeve të mbërritura në redaksinë e JOQ Albania, ne iu drejtuam organizatës duke kërkuar transparencë dhe dokumentacion konkret mbi destinacionin e parave: transferta drejt familjes, pagesa për rikonstruksionin e shtëpisë, shpenzime për trajtimin e Andyt apo dokumente të tjera që provojnë përdorimin e fondeve.

Në përgjigjen e saj, organizata deklaroi se kishte marrë përsipër kujdesin në vazhdimësi për Nënë Filen dhe Andyn, duke identifikuar dy nevoja prioritare: “rikonstruksionin e shtëpisë” dhe “kujdesin shëndetësor afatgjatë ndaj Andyt”. Madje organizata shkruan se ka nënshkruar marrëveshje për rikonstruksionin e banesës, e cila sipas saj është “në përfundim e sipër”, si edhe për terapinë e përditshme të Andyt.

Por informacionet e siguruara nga JOQ Albania paraqesin një version tjetër për rikonstruksionin.

Sipas kompanisë që po kryen punimet dhe që ka kërkuar të mbetet anonime, rikonstruksioni po realizohet në mënyrë të pavarur dhe kompania nuk ka marrë asnjë lek nga fondet e GoFundMe-së. Kompania distancohet nga organizata dhe, sipas saj, nuk ekziston asnjë marrëveshje mes kompanisë ndërtuese dhe organizatës për financimin apo realizimin e punimeve.

Kjo bie ndesh me përshtypjen që krijon përgjigjja e organizatës, e cila e paraqet rikonstruksionin e shtëpisë si një nga dy qëllimet prioritare për të cilat thotë se ka nënshkruar marrëveshje.

Organizata pretendon gjithashtu se marrëveshjet përmbajnë klauzola konfidencialiteti dhe se kjo kufizon mundësinë për të ndarë detaje. Megjithatë, të paktën për kompaninë që po kryen fizikisht rikonstruksionin, JOQ Albania është informuar se nuk ekziston një marrëveshje e tillë mes saj dhe organizatës.

Dhe këtu lind pyetja kryesore: nëse rikonstruksioni i shtëpisë nuk po paguhet me paratë e GoFundMe-së, ku po shkojnë rreth 160 mijë eurot e dhuruara nga shqiptarët?

Nëse një pjesë e fondeve po përdoret për terapinë dhe kujdesin afatgjatë të Andyt, sa është shpenzuar deri tani, kujt i është paguar dhe çfarë pjese e shumës mbetet? Cili është buxheti i parashikuar për këtë kujdes dhe mbi çfarë dokumentacioni mbështetet?

Po pjesa tjetër e parave ku ndodhet? Përse fondet e mbetura nuk i janë transferuar Nënë Files apo një familjari të autorizuar prej saj për t’i administruar për nevojat e familjes?

Kur bëhet fjalë për rreth 160 mijë euro të dhuruara nga qytetarët për një familje në nevojë, transparenca nuk duhet të mbështetet vetëm te deklaratat. Ajo duhet të shoqërohet me dokumente, transferta, fatura dhe një pasqyrë të qartë se sa është shpenzuar, për çfarë është shpenzuar dhe sa para kanë mbetur.

Derisa këto prova të bëhen të disponueshme, pyetja e shqiptarëve që kontribuuan mbetet e hapur:

KU SHKUAN 160 MIJË EUROT QË SHQIPTARËT DHURUAN PËR NËNË FILEN NË GOFUNDME?