Raporti i KLSH-së zbulon përmasat e problemeve me paratë publike: 256 miliardë lekë borxhe tatimore e doganore, 175 miliardë lekë detyrime në energji dhe ujësjellës, miliarda për koncesionet, kontrata mbi fondet e miratuara dhe miliona të paguara për shërbime të pakryera. Buxheti i shtetit vazhdon të rëndohet nga kontratat e kushtueshme, borxhet e pashlyera, investimet problematike dhe administrimi i dobët i fondeve publike. Nga koncesionet në shëndetësi dhe infrastruktura rrugore, te ndërmarrjet energjetike, tatimet, doganat, bashkitë dhe administrata, miliarda lekë mbeten të ekspozuara ndaj keqmenaxhimit dhe detyrimeve që shtohen nga viti në vit.
Raporti 121-faqësh i Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit të vitit 2025 i dorëzur në Kuvend së fundmi, nxjerr në pah një panoramë të gjerë problemesh financiare. Në disa sektorë shteti ka paguar për shërbime të pakryera, në të tjerë ka marrë angazhime përtej fondeve të miratuara, ndërsa institucione të rëndësishme nuk arrijnë të mbledhin detyrimet që u takojnë.
Koncesionet në shëndetësi janë ndër rastet më domethënëse. Për kontrollin mjekësor bazë, gjatë periudhës 2015–2025, shteti ka paguar rreth 8.05 miliardë lekë. Nga 4.36 milionë kontrolle të financuara, 489,132 nuk janë kryer, por pagesat për to kanë arritur në rreth 902 milionë lekë.
Kontrata parashikonte financimin e një volumi minimal prej 475 mijë kontrollesh në vit, pavarësisht numrit të personave që paraqiteshin realisht për shërbimin. Ky nivel është arritur dhe tejkaluar vetëm në vitin 2019, ndërsa pagesat kanë vijuar mbi bazën e volumit të garantuar.
Problemet nuk përfjnë me kontrollet e pakryera. Nga auditimi rezulton se nuk është përmbushur detyrimi për ngritjen dhe funksionimin e 20 laboratorëve në të gjithë vendin, ndërsa kanë munguar verifikimet e plota për investimet dhe riinvestimet që duhej të realizonte koncesionari.
Edhe koncesioni i sterilizimit ka prodhuar një faturë të rëndë. Për periudhën 2016–2025, financimi i tij ka arritur në 15.11 miliardë lekë, duke tejkaluar me 3.52 miliardë lekë, ose 30.4%, vlerën maksimale të planifikuar.
Për më tepër, të dyja kontratat janë faturuar me TVSH, megjithëse sipas KLSH-së shërbimet duhej të përjashtoheshin nga kjo taksë. Kostoja shtesë e evidentuar arrin në 1.34 miliardë lekë për kontrollin mjekësor bazë dhe 2.52 miliardë lekë për sterilizimin, ose rreth 3.86 miliardë lekë në total.
Te sterilizimi, strukturat përgjegjëse nuk kanë kryer monitorime gjatë viteve 2016–2021. Probleme janë evidentuar edhe me asetet që duhet t'i kalojnë shtetit në përfundim të kontratës, duke krijuar rrezikun që buxheti të përballet me shpenzime të tjera për vazhdimësinë e shërbimit.
Një tjetër sektor që rëndon financat publike është energjia, së bashku me ujësjellës-kanalizimet. Në fund të vitit 2025, detyrimet e ndërsjella ndërmjet ndërmarrjeve publike të këtyre sektorëve dhe detyrimet ndaj buxhetit të shtetit arritën në 175.42 miliardë lekë.
Vetëm brenda një viti, ky stok është rritur me 4.18 miliardë lekë. Rritja më e madhe lidhet me detyrimet e KESH-it ndaj Ministrisë së Financave, të cilat janë shtuar me 4.98 miliardë lekë.
Ndërkohë, detyrimet e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve ndaj OSHEE-së dhe Ministrisë së Financave janë rritur me 1.79 miliardë lekë.
Situata bëhet edhe më problematike po të merret parasysh se sektori energjetik ka përfituar 5.28 miliardë lekë mbështetje nga buxheti gjatë vitit 2025. Pavarësisht këtij financimi, detyrimet kanë vijuar të rriten.
Kjo do të thotë se ndërmarrjet publike vazhdojnë të mbartin probleme të mëdha financiare, ndërsa shteti përballet njëkohësisht me nevojën për t'i mbështetur dhe me vështirësinë për të rikuperuar detyrimet e tyre.
Investimet publike dhe prokurimet janë një tjetër vatër e madhe problematikash. Në 44 raste, me vlerë të kontraktuar 16.83 miliardë lekë, janë nisur procedura prokurimi për shuma më të larta se fondet në dispozicion.
Në 39 projekte të tjera janë marrë angazhime financiare mbi fondet e miratuara, me një diferencë prej 4.28 miliardë lekësh.
Kjo praktikë krijon rrezikun që institucionet të lidhin kontrata pa pasur të siguruar financimin e nevojshëm, duke shtyrë pagesat në vitet pasardhëse dhe duke krijuar detyrime të reja për buxhetin.
Në disa projekte janë kryer edhe parapagime problematike. Për tre investime, me vlerë totale parapagimesh prej 1.15 miliardë lekësh, nuk është evidentuar dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e tyre si raste me rëndësi të veçantë.
Për dy prej këtyre projekteve, me parapagime prej 841.7 milionë lekësh, nuk është dokumentuar miratimi paraprak i ministrit të Financave, ndërsa pagesat paraprake kanë arritur në 20% të vlerës së kontratës, kundrejt kufirit të lejuar prej 10%.
Auditimet kanë zbuluar gjithashtu mangësi në hartimin e preventivave, përcaktimin e kritereve të tenderëve, përzgjedhjen e operatorëve dhe mbikëqyrjen e punimeve. Janë evidentuar raste kur janë shpallur fituese kompani që nuk plotësonin kriteret, si dhe pagesa për punime të pakryera ose pa dokumentacionin e nevojshëm.
Problemi shtrihet edhe te realizimi i investimeve. Në vitin 2025, shpenzimet kapitale rezultuan 25.45 miliardë lekë më pak se plani përfundimtar. Ndërkohë, 188 projekte kishin 3.58 miliardë lekë fonde të planifikuara, por nuk realizuan shpenzime dhe fondet nuk u rishpërndanë për projekte të tjera.
Pra, ndërsa një pjesë e institucioneve merrnin angazhime mbi fondet e miratuara, projekte të tjera mbeteshin pa u realizuar, edhe pse kishin para të parashikuara në buxhet.
Tatimet dhe doganat përbëjnë një tjetër problem madhor, këtë herë jo për paratë që shpenzohen, por për ato që shteti nuk arrin të mbledhë.
Në fund të vitit 2025, borxhi tatimor arriti në 194.43 miliardë lekë, me një rritje prej 31.89 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2024. Rreth 60% e këtij borxhi përbëhet nga detyrime më të vjetra se pesë vjet.
Situata është e ngjashme edhe në dogana. Borxhi doganor arriti në 61.83 miliardë lekë, duke u rritur me 12.71 miliardë lekë brenda një viti. Plot 77% e detyrimeve doganore janë më të vjetra se pesë vjet.
Në total, borxhi tatimor dhe doganor ka arritur në 256.26 miliardë lekë.
Kjo shumë tregon përmasat e detyrimeve të papaguara, ndërsa rritja e vazhdueshme e tyre ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e administratës fiskale në ndjekjen e debitorëve dhe mbledhjen e të ardhurave.
Problemet shoqërohen edhe me kontrolle të papërfunduara, vonesa në hetimet tatimore dhe mangësi në verifikimin e deklarimeve fiskale. Në fund të vitit 2025 rezultonin 793 kontrolle tatimore të papërfunduara.
Edhe rimbursimi i TVSH-së është shoqëruar me parregullsi. Në 280 raste është tejkaluar afati ligjor 60-ditor, ndërsa në 160 raste nuk është respektuar radha kronologjike e trajtimit të kërkesave.
Bashkitë janë një tjetër hallkë ku fondet publike përballen me probleme të vazhdueshme. Në fund të vitit 2025, detyrimet e prapambetura të pushtetit vendor arritën në rreth 2.93 miliardë lekë.
Vetëm 14 bashki përqendrojnë rreth 77% të këtij stoku, ndërsa pesë bashki vazhdojnë të klasifikohen me probleme ose në vështirësi financiare.
Përveç detyrimeve të papaguara, në pushtetin vendor janë evidentuar mangësi në mbledhjen e taksave dhe tarifave, përllogaritjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, administrimin e taksës së pasurisë dhe arkëtimin e detyrimeve nga subjektet private.
Probleme janë konstatuar edhe në administrimin e tarifave të pastrimit, ndriçimit dhe taksës së fjetjes në hotel.
Kjo krijon një situatë ku bashkitë jo vetëm mbartin borxhe, por në disa raste nuk arrijnë të arkëtojnë plotësisht të ardhurat që duhet të financojnë shërbimet për qytetarët.
Edhe sektori i barnave të rimbursueshme paraqet probleme serioze me administrimin dhe kontrollin e fondeve. Në Listën e Barnave të Rimbursueshme janë evidentuar 373 barna pa konsum, përfshirë 77 alternativa të para, për të cilat nuk janë kryer verifikime mbi disponueshmërinë në treg.
Gjithashtu, 200 barna rezultojnë pa kontratë, ndërsa 64 prej tyre kanë pasur konsum të realizuar.
Një tjetër problem lidhet me qarkullimin e barnave në depot farmaceutike. Sipas raportit, 19 importues dhe distributorë kanë regjistruar dalje të 9.3 milionë njësive të barnave me vlerë zero, nga të cilat 283 mijë njësi në prag skadence, pa verifikime të mjaftueshme mbi destinacionin e tyre.
Ndërkohë, 366 milionë lekë fonde për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve kanë mbetur të pashfrytëzuara, ndërsa investimet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor janë realizuar në vetëm 2.3% të planit vjetor.
Një tjetër faturë e rëndë për shtetin vjen nga arbitrazhet ndërkombëtare dhe vendimet gjyqësore. Në fund të vitit 2025, detyrimet faktike dhe të mundshme të raportuara për çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar arritën në rreth 179.95 milionë euro.
Vetëm gjatë vitit 2025, buxheti ka përballuar 147.5 milionë lekë shpenzime ligjore, mbrojtjeje dhe kosto të tjera të procedurave të arbitrazhit.
Probleme janë evidentuar edhe me vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për nëntë vendime, detyrimet faktike dhe të mundshme arrijnë në 19.95 milionë euro, ndërsa afati tremujor i ekzekutimit është tejkaluar.
Vonesat kanë sjellë akumulimin e interesave prej rreth 4.59 milionë eurosh. Kështu, krahas detyrimeve fillestare, buxheti rëndohet edhe nga kostot që krijohen për shkak të mosshlyerjes në kohë.
Administrata shtetërore prodhon gjithashtu kosto të konsiderueshme nga vendimet gjyqësore për largimet nga puna. Gjatë vitit 2025 janë raportuar 1.05 miliardë lekë pagesa për ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Përveç shumave që paguhen për punonjësit gjyqfitues, janë konstatuar mangësi në planifikimin e fondeve dhe respektimin e radhës së pagesave, si dhe shpenzime shtesë përmbarimore.
Kjo është një faturë që rëndon drejtpërdrejt mbi financat publike, ndërsa paratë e përdorura për shlyerjen e vendimeve gjyqësore mund të kishin financuar nevoja të tjera të institucioneve.
Edhe menaxhimi i vetë buxhetit ka shfaqur probleme që prekin pothuajse të gjithë sektorët. Gjatë vitit 2025, 748 njësi shpenzuese kanë dorëzuar jashtë afatit ligjor 25,793 fatura, me vlerë 64.24 miliardë lekë.
Po ashtu, 5,868 kontrata, me vlerë 119.55 miliardë lekë, janë regjistruar përtej afatit ligjor pesëditor.
Pas datës 15 tetor 2025 janë lidhur kontrata me vlerë 25.24 miliardë lekë, në tejkalim të afatit të përcaktuar për marrjen e angazhimeve buxhetore.
Probleme janë konstatuar edhe me radhën e pagesave. Në 40 raste, me vlerë faturash prej 3.26 miliardë lekësh, nuk është respektuar parimi që faturat të shlyhen sipas radhës kronologjike.
Ndërkohë, me fondet e vitit 2025 janë paguar 9.46 miliardë lekë detyrime të mbartura nga periudha 2008–2024.
Një tjetër problem lidhet me përdorimin e fondeve rezervë. Nga Fondi Rezervë i Këshillit të Ministrave janë identifikuar financime prej rreth 782 milionë lekësh për veprimtari dhe detyrime që mund të parashikoheshin në buxhetin fillestar.
Për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, megjithëse ishte planifikuar një fond i posaçëm prej 2.5 miliardë lekësh, janë miratuar edhe 927.2 milionë lekë financim shtesë nga Fondi Rezervë.
Edhe Fondi i Rindërtimit është shoqëruar me probleme. Nga 5 miliardë lekë të parashikuara për vitin 2025, janë shpërndarë vetëm 1.73 miliardë lekë, të gjitha përmes vendimeve të miratuara në dhjetor. Shtatë prej këtyre vendimeve, me vlerë 763.4 milionë lekë, janë marrë më 30 dhjetor, vetëm një ditë përpara përfundimit të vitit.
Raporti evidenton gjithashtu klasifikimin e pasaktë të 1.28 miliardë lekëve shpenzime operative dhe transferta, të cilat janë raportuar si investime kapitale.
Problemet shtrihen deri te mënyra se si paraqiten treguesit e përgjithshëm të buxhetit. Sipas KLSH-së, në shpenzimet e raportuara për vitin 2025 është përfshirë një transfertë prej 16.58 miliardë lekësh për Fondin e Pensioneve, e cila nuk përbën shpenzim buxhetor.
Po kështu, përfshirja e parapagimeve në të ardhurat tatimore ka sjellë mbivlerësimin e tyre me 3.75 miliardë lekë.
Këto probleme ndikojnë në saktësinë e treguesve fiskalë dhe e bëjnë më të vështirë vlerësimin e gjendjes reale të financave publike.
Në fund, panorama që del nga raporti është ajo e një buxheti që përballet me probleme në disa drejtime njëkohësisht: koncesione me pagesa për shërbime të pakryera, investime me angazhime mbi fondet e miratuara, ndërmarrje publike që grumbullojnë borxhe, administratë fiskale që nuk mbledh detyrimet dhe institucione që krijojnë kosto të reja për shkak të vendimeve apo vonesave të tyre.
Nga shëndetësia te energjia, infrastruktura, doganat dhe bashkitë, paratë publike vazhdojnë të rëndohen jo vetëm nga nevojat për financim, por edhe nga mënyra se si administrohen. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi kryesor: sa më shumë shtohen detyrimet, kontratat problematike dhe shpenzimet e pajustifikuara, aq më e madhe bëhet fatura që në fund mbulohet nga buxheti i shtetit. /Pamfletipara buxhet Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Ekonomi Bordi i Transparencës ul çmimet e karburanteve, ja sa do të shiten nafta dhe benzina 17 Nëntor 2026, 15:5215:52Ekonomi Projektligji, rritet kufiri i përgjegjësisë për dëmet nga aksidentet 17 Nëntor 2026, 15:2015:20Ekonomi Shqipëria përmbytet në importe: Deficiti tregtar rritet, eksportet në tatëpjetë! 17 Nëntor 2026, 13:3113:31Ekonomi Mbi 100 vjet për t’u barazuar, pensionet në Shqipëri sa 19% e nivelit të BE-së sipas fuqisë blerëse 17 Nëntor 2026, 07:1907:19Ekonomi Euro 'pa shpresë', mësoni si këmbehen sot monedhat e huaja 17 Nëntor 2026, 07:1907:19Ekonomi Nga pastrimi i parave te rreziku i humbjes së kursimeve, sa të sigurta janë bankat dixhitale? 16 Nëntor 2026, 18:4218:42Ekonomi

