Lajme Zone
Kthimi në Tiranë pas fundjavës në juglindje “paralizon” Elbasanin, fluks i automjeteve krijon trafik tejet të rënduar
Të tjeraTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 4 burime — Krahaso mbulimin →

Kthimi në Tiranë pas fundjavës në juglindje “paralizon” Elbasanin, fluks i automjeteve krijon trafik tejet të rënduar

Fluksi i jashtëzakonshëm i automjeteve ka rënduar ndjeshëm qarkullimin në të gjitha akset rrugore që lidhin qytetin e Elbasanit me Tiranën, duke krijuar kolona të gjata automjetesh dhe vështirësi të mëdha në lëvizje.

Fluksi i jashtëzakonshëm i automjeteve ka rënduar ndjeshëm qarkullimin në të gjitha akset rrugore që lidhin qytetin e Elbasanit me Tiranën, duke krijuar kolona të gjata automjetesh dhe vështirësi të mëdha në lëvizje. Autokolona e automjeteve prej disa orësh ka shkuar në disa kilometra dhe situata më kritike paraqitet pranë Rrethrrotullimit të Bradasheshit Policia Rrugore ndodhet në terren për menaxhimin e trafikut.

Kthimi masiv i qytetarëve drejt kryeqytetit, pas fundjavës së kaluar në zonat turistike të Juglindjes së vendit dhe në bregdetin e Adriatikut, ka sjellë një rritje të ndjeshme të trafikut në akset kryesore rrugore, raporton korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku.

Situata është rënduar veçanërisht në segmentet që përshkojnë Elbasanin dhe në hyrje-daljet që lidhen me aksin Elbasan–Tiranë, ku automjetet lëvizin me shpejtësi shumë të ulët, ndërsa në disa pika krijohen ndalesa të gjata.

Një prej pikave më problematike është zona pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit, ku nis edhe lidhja me aksin rrugor drejt Tiranës. Fluksi i madh i automjeteve ka bërë që qarkullimi në këtë zonë të jetë thuajse i paralizuar, me radhë të gjata automjetesh në të dyja drejtimet.

Për menaxhimin e situatës, në të gjitha segmentet problematike janë dislokuar forca të shumta të Policisë Rrugore, të cilat po punojnë për disiplinimin e trafikut dhe lehtësimin e lëvizjes së automjeteve.

Megjithatë, përmasat e fluksit kanë tejkaluar kapacitetin normal të këtyre akseve rrugore, duke bërë që qarkullimi të mbetet i ngadalësuar.

Eksperienca e fundjavave të ngarkuara tregon se kjo situatë pritet të vijojë edhe gjatë orëve të mbrëmjes, deri në shpërndarjen graduale të fluksit të automjeteve.

Problematika e trafikut në këtë korridor rrugor mbetet një shqetësim i përsëritur, veçanërisht gjatë fundjavave dhe periudhave të kthimit masiv të pushuesve. Zgjidhja afatgjatë lidhet me përmirësimin e infrastrukturës, zgjerimin e kapaciteteve rrugore dhe përfundimin e projekteve të Bypass-it të Elbasanit, të cilat synojnë të lehtësojnë ndjeshëm qarkullimin dhe të reduktojnë ngarkesën mbi aksin ekzistues.

Deri në realizimin e këtyre ndërhyrjeve infrastrukturore, fundjavat me fluks të lartë pritet të vijojnë të shoqërohen me kolona të gjata dhe vonesa për drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë mes Elbasanit dhe Tiranës. Top Channel