Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka dhënë dorëheqjen pas përfundimit të numërimit të votave në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat i kanë dhënë shumicën e ngushtë bllokut të partive të qendrës së majtë. Dorëheqja e Kristersson hap rrugën për lideren e Social Demokratëve, Magdalena Andersson, që të nisë përpjekjet për formimin e qeverisë së re.
Sipas rezultateve paraprake përfundimtare, partitë e opozitës së majtë kanë siguruar 176 mandate, duke pasur një shumicë prej tre mandatesh ndaj koalicionit qeverisës të krahut të djathtë, të njohur si koalicioni Tidö dhe të mbështetur nga Demokratët e Suedisë (SD).
Në fjalimin e saj pas rezultatit, Andersson tha se suedezët “kanë votuar për një drejtim të ri për vendin, për unitet dhe kundër ndarjeve”.
Ajo renditi ndër prioritetet e saj klimën, arsimin, shëndetësinë, kujdesin për të moshuarit dhe politikën e emigracionit. Kristersson, lider i Partisë së Moderuar, njoftoi dorëheqjen të enjten, pas katër vitesh në postin e kryeministrit. Në letrën e dorëheqjes, ai deklaroi se tashmë kryetari i Parlamentit do të drejtojë procesin për formimin e qeverisë së re.
Ai e përshkroi situatën politike pas zgjedhjeve si “të komplikuar” dhe u bëri thirrje partive për “hapje konstruktive” në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për krijimin e një qeverie të qëndrueshme.
Kryetari i Parlamentit, Andreas Norlén, pritet të zhvillojë konsultime me përfaqësuesit e të gjitha partive përpara se të propozojë kandidatin për kryeministër.
Rezultati i zgjedhjeve ka sjellë gjithashtu një zhvillim të rëndësishëm për Demokratët e Suedisë, parti e krahut të djathtë që ka mbështetur qeverinë e Kristersson.
SD ka humbur mbështetje për herë të parë në një zgjedhje të përgjithshme që nga themelimi i saj, duke kaluar nga partia e dytë më e madhe në vend në të tretën.
Social Demokratët mbeten partia më e madhe në vend, por rezultati i tyre ishte gjithashtu më i dobëti në historinë e tyre elektorale.
Formimi i qeverisë së re pritet të jetë një proces i ndërlikuar. Andersson ka ftuar për bisedime fillestare Partinë e Majtë, Partinë e Qendrës dhe të Gjelbrit.
Një nga çështjet më të vështira pritet të jetë marrëdhënia mes Partisë së Qendrës dhe Partisë së Majtë. Qendra ka përjashtuar mundësinë e qeverisjes së bashku me të Majtën, ndërsa kjo e fundit kërkon një rol në qeveri në këmbim të mbështetjes së saj.
Ka gjithashtu dallime për taksat, energjinë bërthamore dhe politikat ekonomike. Të Gjelbrit, Social Demokratët dhe e Majta mbështesin rritjen e taksave në disa fusha, ndërsa Partia e Qendrës kërkon uljen e tyre.
Andersson, e cila ka qenë kryeministre nga nëntori 2021 deri në tetor 2022, pritet të kërkojë bashkëpunim të gjerë me një ose disa parti opozitare. Formimi i një qeverie të pakicës është gjithashtu një skenar i njohur në politikën suedeze.
Social Demokratët pritet të synojnë ndryshime në politikat e emigracionit, integrimit dhe klimës, megjithëse disa prej politikave të tyre kanë lëvizur djathtas vitet e fundit, veçanërisht për emigracionin dhe kriminalitetin. Top Channel

