Lajme Zone
Kryhen tri operacione zemre live/ Mbahet Kongresi Europian i Anestezistëve dhe Reanimatorëve
Të tjeraCNA

Kryhen tri operacione zemre live/ Mbahet Kongresi Europian i Anestezistëve dhe Reanimatorëve

Tre ekipe kirurgësh vaskularë të Shqipërisë kryen sot live...

Tre ekipe kirurgësh vaskularë të Shqipërisë kryen sot live për afro dy orë pasdite në të njëjtën kohë tri operacione të stenozave kritike dhe arterieve karotide me tri metoda të ndryshme anestezie për të njëjtën ndërhyrje.

Të tri operacionet e njëkohshme u panë live nga dhjetëra kolegë europianë, që po zhvillojnë për tri ditë në Tiranë kongresin Connect, i Shoqatës Europiane të Anestezisë dhe Reanimacionit, i organizuar nga Shoqata Shqiptare si mikpritëse.

Operacionet u kryen live në tri salla të ndërtesës së re të kirurgjisë kardiovaskulare, e cila u inaugura një muaj më parë, ndërsa ecuria e të tre pacientëve edhe intro edhe post operatorë është shumë pozitive. Njërin nga interventet e realizuan kirurgët prof. Sokol Xhepa dhe dr. Frenki Vila, interventin e dytë e kryen prof. Edmond Nuellari me kolegen dr. Marsela Sopiqoti dhe të tretin e kryen doktori i shkencave Petrika Gjergo me kolegun dr. Denis Kosovrasti.

Mjekët pohuan se stenozat midis 70-90 për qind janë aq të rrezikshme saqë, nëse nuk trajtohen, shkaktojnë ishemi në tru, shoqëruar me invaliditet permanent ose edhe fatalitet.

Këto operacione ishin tepër delikat, pasi bëhet fjalë për punë milimetrike, në një fushë operatore shumë të vogël, ku ka shumë elementë të dëmtueshëm, që mund të sjellin ndërlikime lokale të parikthyeshme ose gjenerale. Ishin 3 pacientë realë në salla kirurgjikale, ndërsa një sallë kongresi me dhjetëra e ndoshta 200 kolegë po e ndiqnin live nga ekranet.

Risia e bashkëpunimit mes kirurgëve, anestezistëve dhe reanimatorëve ishte praktikimi i tri lloje anestezi të ndryshme, sipas veçantive të pacientëve; anestezi e përgjithshme, intravenoze dhe anestezi lokale.

Ky demostrim profesional live dhe me pacientë të vërtetë ishte një nga segmentet e suksesit të Kongresit Europian, të organizuar nga profesor Saimir Kuçi, si President i Shoqatës së Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë, si organizator i këtij kongresi.

Kongresi i Shoqatës Europiane të Anestezisë dhe Reanimacionit vlerësohet si një ngjarje shumë e rëndësishme për mjekët shqiptarë dhe për Shqipërinë, sepse ky është kongresi i dytë për nga madhësia i shoqatës europiane të këtyre specialiteteve, por është hera e parë që bëhet në një vend të vogël si ne. /CNA Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.