Deputeti i PD-së Gent Strazimiri, duke folur për emisionin Minuta e parë tha se me buxhetin e vitit 2027, dëmtohet shtresa e mesme dhe bizneset. Strazimiri u shpreh se buxheti i shtetit rritet, sepse qytetarët vetëm paguajnë taksa. “Sesa është rritur ekonomia, ne e dimë të gjithë, teksa shohim xhepat tona. Mua nuk më rezulton se qytetarët sot janë më mirë . Protesta mbarëpopullore për dorëheqjen e tij është përgjigja më e mirë për të gjitha monologjet që bën kryeministri në televizion. Rama ia rrit barrën shtresës së mesme dhe bizneseve. Kryeministri dhe qeveria e tij kanë rritur taksat. Qytetarët paguajnë dhe qeveria rrit buxhetin”, tha Strazimiri. Për protestën e studentëve, Strazimiri deklaroi se Rama flet me gjuhën e Ramiz Alisë, duke gjetur “forca të huaja” kudo. Shtoi se madje kryeministri duhet tërhequr zvarrë njësoj siç ndodhi me bustin e Enver Hoxhës. “Qytetarët në rrjetet sociale e kanë copëtuar Ramën dhe Ballën. Kryeministri ynë është një rrugaç. Janë kthyer tek gjuha e Ramiz Alisë, duke thënë se socializmi është më i miri në botë, që të huajt duan që të na ‘destabilizojnë’. Kur Ramiz Alia fliste kështu, atdheu kishte larguar shqiptarët jashtë kufijve. Është e njëjta situatë sot, teksa rinia sa vjen e largohet. Rinia është në rrugë dhe nuk do që të ikë. Në Shqipëri ende nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme, rinia ka braktisur atdheun nga keqqeverisja. Kryeministri Rama duhet tërhequr zvarrë kështu siç është prej mishi, siç u tërhoq zvarrë busti i Enver Hoxhës”, u shpreh Strazimiri. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: protesta rama Strazimiri
