Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar shifrat për apartamentet e pabanuara në Tiranë, gjatë intervistës me gazetarin amerikan Andrew Callaghan të platformës Channel 5, pasi i ka cilësuar pretendimet për mbi 55 mijë banesa bosh si “absurditet”. Gjatë bisedës, gazetari e vuri Ramën përballë krizës së strehimit dhe vështirësive ekonomike me të cilat përballen të rinjtë, veçanërisht brezi Gen Z.
Callaghan ngriti shqetësimin për rritjen e qirave, pagat që sipas tij nuk po ecin me të njëjtin ritëm dhe numrin e madh të apartamenteve që qëndrojnë bosh në kryeqytet, ndërkohë që një pjesë e qytetarëve nuk kanë mundësi t'i përballojnë çmimet e banesave.
“Ka mbi 55 mijë apartamente bosh në të gjithë qytetin. Askush nuk ka mundësi t'i përballojë ato dhe njerëzit nuk po hyjnë të jetojnë në to. Shumë njerëz po pyesin veten se si është e mundur kjo”, tha gazetari, duke iu referuar një artikulli të Politiko.al. Rama reagoi menjëherë duke vënë në dyshim burimin e shifrës dhe duke kërkuar të dinte se ku ishte marrë ky informacion.
“Mund të lexosh gjithçka dhe kudo, por kjo nuk do të thotë se është e vërtetë. Nuk ekziston një gjë e tillë si 50 mijë apartamente bosh në Shqipëri. Është absurditet”, u përgjigj kryeministri.
Ai e çoi më tej kundërshtimin, duke i kërkuar gazetarit të diskutonin mbi fakte dhe jo mbi pretendime që,bazoheshin në informacione të lexuara në burime të ndryshme.
“Pra, do të flasim për fakte apo do të bëjmë thjesht një bisedë ku ju hidhni këtu lloj-lloj pretendimesh për gjëra që mendoni se keni parë ose që mendoni se janë të vërteta sepse i keni lexuar? Ju zgjidhni”, iu drejtua Rama gazetarit.
Callaghan e zhvendosi më pas diskutimin te zhvillimi i vrullshëm i Tiranës, ndërtimi i hoteleve dhe kullave, tesksa ngtriti pikëpyetjen nëse ky zhvillim përkthehet realisht në përmirësim të jetesës për qytetarët.
Rama pranoi se vendi po përjeton një zhvillim të madh, por kundërshtoi edhe vlerësimin se kostoja e jetesës po rritet ndërsa pagat mbeten të pandryshuara. Për të mbështetur argumentin e tij, ai iu referua rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke deklaruar se kur mori detyrën si kryeministër, ekonomia shqiptare kishte një PBB më pak se 10 miliardë euro, ndërsa këtë vit parashikohet të arrijë në 30 miliardë euro. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm

