Lajme Zone
‘Kristo Kono tregon se drejtori i liceut, De Kurvil, i dinte njohjet e Enverit me Grupin Komunist të Korçës, por ai…’- Biografia e panjohur e diktatorit Hoxha, e vitit 1969
KulturëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

‘Kristo Kono tregon se drejtori i liceut, De Kurvil, i dinte njohjet e Enverit me Grupin Komunist të Korçës, por ai…’- Biografia e panjohur e diktatorit Hoxha, e vitit 1969

Për luftën e Spanjës edhe Enveri, fliste me simpati të madhe për të. Shpesh herë në shtëpi ose në kafene, në rreth të ngushtë, biseda sillesh rreth kësaj lufte, flitesh për ndihmat që shkonin nga të gjitha anët, flitesh për formimin e brigadës internacionale ku merrnin pjesë me mijra vullnetarë nga të gjitha vendet e botës, si edhe nga vendi ynë.

Memorie.al /Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vite me radhë, duke e qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij nga 1945-sa, deri kur vdiq në 11 prillin e ’85-ës, por edhe pas vdekjes së tij e, deri në shembjen e regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila të jetë e bazuar mbi dokumente arkivore që të hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij, nga dita që lindi e, deri kur vdiq…! Kjo me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij, ka pasur shumë dritë hije, madje shumë njolla të errtë, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë, edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u bë publike në vitin 1946, në kuadrin e “popullarizimit” të figurës së tij, si “udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme”. Siç shihet dhe në faksimilet përkatëse bashkangjitur këtij shkrimi, kjo biografi e cila është një libërth i vogël me 58 faqe, botuar në Shtypshkronjën “Rinia” (ish-shtypshkronja “Gutenberg”) në fletën e parë (pas kopertinës ngjyrë vishnje të errët dhe fotos së Enver Hoxhës me uniformën ushtarake të gjeneralit e medaljet në gjoks), ka të shkruar me gërma kapitale: “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”. Ajo biografi e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u përgatit për botim nga punonjësit sektorit të Agjit-Propit (Agjitacion e Propagandës) pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, por në të vërtetë hartuesi dhe autori i saj, ishte kapiteni i parë, Ndreçi Plasari, emri i të cilit nuk figuron në librin në fjalë, por gjendet i shkruar me shkrimin e tij në fletën e parë të materialit të daktilografuar që u dërgua për shtyp. Libri, apo më saktë broshura “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”, fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafë mbi historinë e familjes Hoxha, (gjë e cila zë vetëm dy faqet e para), ndërsa e gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” me disa nga ngjarjet kryesore të saj, (themelimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Labinotit dhe krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943, Marrëveshja e Mukjes, Kongresi i Përmetit etj.), duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës. As sot nuk dihet me saktësi, se përse ajo broshurë me biografinë e parë zyrtare të Enver Hoxhës (ku mungon pothuajse fare një jetëshkrim i tij për periudhën e Monarkisë së Zogut), e cila e gloriofikon figurën dhe rolin e tij, (apo familjes Hoxha), që nga periudha e fëmijërisë, e deri në atë kohë që u botua, u hoq menjëherë nga qarkullimi, (thuhet pas dy-tre muajsh) dhe nuk u përdor kurrë më as për referenca, në libra, albume, apo dhe vepra të tjera kushtuar figurës së tij. LEXO EDHE:'Në Korçë, në fillim, Enveri banoi në shtëpinë e familjes Belba dhe të pak kohë në shtëpinë e profesorit francez, Andrea Brezho' Biografia e panjohur e Enver Hoxhës, e vitit 1969 Sepse që nga ajo kohë e më pas, Enver Hoxha filloi eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, (anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, etj.), duke i burgosur, internuar apo ekzekutuar dhe libri në fjalë më biografinë e tij, nuk mund të qarkullonte më me emrat e “armiqve të popullit”. Biografia e dytë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1950 (15.VI.1950) dhe ajo ka për autor Misto Treskën, njeri i afërt dhe shumë i besuar i Enver Hoxhës, që nga periudha e Liceut francez të Korçës dhe Grupit Komunist të atij qyteti ku ai ishte anëtar, i cili gjatë periudhës së Luftës ishte komisar politik i Batalionit partizan “Reshit Çollaku” dhe pas vitit 1944, u gradua major, duke u caktuar si prokuror dhe anëtar i trupit gjykues në Gjyqin Special të vitit 1945, i cili dënoi me vdekje ish-kryeministrin Maliq Bushati dhe anëtarët e Regjencës, Lef Nosi e Patër Anton Harapi.. Ashtu si dhe biografia e shkruar nga Ndreçi Plasari në vitin 1946, edhe ajo e Misto Treskës, e cila ka 238 faqe me shkrim dore dhe të njëjtin titull (“Enver Hoxha, një biografi e shkurtër”), e glorifikon jashtë mase figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, në të gjitha periudhat kohore që trajtohen aty. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ajo biografi e shkruar prej Misto Treskës për Enver Hoxhën, jo vetëm që nuk u botua kurrë, por as nuk u daktilografua me makinë shkrimi, si biografia e vitit 1946 e Ndreç Plasarit, apo dhe tjetra që u shkrua më pas. Po kështu, nuk dihet me saktësi nëse ky “shërbim” që i bëri Misto Treska udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës (me të cilin kishte njohje edhe nga periudha e studimeve në Francë), ndikoi në karrierën e tij të mëvonshme, ku ai shërbeu si jurist, përkthyes, autor librash, diplomat, ambasador i Shqipërisë në Francë, Belgjikë etj., si dhe kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, ku dhe doli në pension në vitin 1981. Po kështu e njëjta gjë edhe për profesor Ndreçi Plasarin, historian dhe studiues i cili gjatë regjimit komunist mbajti poste të rëndësishme akademike e politike, duke qenë për një kohë të gjatë edhe nëndrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, i drejtuar nga Nexhmije Hoxha. Në ato detyra, profesor Plasari shërbeu deri në vitin 1982, kur u godit nga Partia, i akuzuar si “njeri i Mehmet Shehut, që ishte dërguar prej tij deri në arkivat britanike për të fryrë kultin e tij (Mehmetit) dhe kishte fshehur dokumentet që vërtetonin se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i Inteligjent Servisit”! Biografia e tretë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijërisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu. Në faqen e parë të asaj biografie, shkruhet; “Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj dhe një jetëshkrim i shokut Enver Hoxha, për periudhën 1908-1930 dhe 1931-1939, 6.1.1969, nga Aqif Selfo”. Ajo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj, (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund, e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrembërime dhe falsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike. (Si p.sh., në fq. 46 të kujtimeve të tij, Aqif Selfo midis të tjerash shkruan se: “Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të Konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërisht në vitin 1936. Krahas detyrës së sekretarit të Konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin juridik dhe dha provimet e vitit të dytë”. Ndërsa në një dokument tjetër arkivor që ndodhet po në fondin e personal të Enver Hoxhës, diplomati shqiptar Nos Qosja që shërbente në ambasadën tonë në Paris, midis të tjerash shkruan: “Gjatë vizitës time në Belgjikë me shokun Harrilla Kola, ne shkuam në Universitetin e Brukselit (Fakulteti i Drejtësisë) dhe pyetëm e konstatuam: Shoku Enver është regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 1934-1935. Në arkivin e atij fakulteti, ekziston kartela me këto të dhëna; HOXHA Enver Viti akademik 1934-1935 Datëlindja; 3 tetor 1908 (Gjirokastër) Numri i regjistrit; 2821 Adresa e tij; “Legation d’Albania 155 Rue de la Loi, Bruksel”. Kartela është e bardhë, nuk figuron që të ketë dhënë ndonjë provim”. Paris, 22 shkurt 1969 Nos Qosja Nga sa thuhet edhe tek dokumenti arkivor në fjalë, (i cili kondicion me periudhën kur është shkruar dhe biografia e Enverit nga Aqif Selfo), rezulton se Enver Hoxha nuk ka dhënë asnjë provim në Fakultetin e Drejtësisë së Brukselit, gjë e cila hedh poshtë atë që shkruan Aqif Selfo, se “Enveri dha provimet e vitit të dytë”! Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që ato “Kujtime” nuk u botuan kurrë si libër, pasi në periudhën që u shkruan, jetonin ende shumë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e Enverit dhe Selfos, (në burgjet politike apo të lire), si nga periudha e fëmijërisë së tyre në qytetin e Gjirokastrës, ajo e Liceut të Korçës, apo dhe studimeve në Francë. Por edhe pse ato “Kujtime” nuk e panë kurrë dritën e botimit, me shumë gjasa i shërbyen autorit të tyre Aqif Selfo, si një mburojë për një jetë të qetë (ai punoi si mësues në Tiranë në gjimnazin “Qemal Stafa”, deri sa doli në pension), ndryshe nga dy kushërinjtë e tij, Riza dhe Syrja Selfo, të cilët Enveri i arrestoi dhe i pushkatoi, edhe pse ata e gjithë familja Selfo, e kishin ndihmuar me të holla, gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944. Mbi bazën e këtyre tre biografive, në vitin 1978, u botua një libër apo më saktë një tip broshurë me titull: “Enver Hoxha, udhëheqës i dashur i popullit shqiptar”- (Material për biseda, me rastin e 70 vjetorit të lindjes), ku në faqen e parë pas kopertinës, shkruhet: “Përgatitur nga sektori i edukimit marksist-leninist, pranë K.Q. të PPSH. – Në ndihmë të agjitatorëve dhe të propagandistëve”. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “8-Nëntori” në Shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Fakti që këto tre biografitë e Enver Hoxhës ndodhen në fondin e tij personal, madje dhe me ndërhyrje e korrigjime nga persona të tjerë, në mos janë bërë me porosinë e tij, me shumë gjasa janë shkruar me miratimin e Enverit. Gjithsesi këto mbeten në kuadrin e hipotezave ku ka vend për të investiguar më gjatë, por në këtë shkrim po publikojmë fillimisht biografinë e Enver Hoxhës, e cila është shkruar nga Aqif Selfo, e cila publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse në disa numra, nga Memorie.al. DOKUMENTI ARKIVOR I NXJERRË NGA FONDI PERSONAL I ENVER HOXHËS QË NDODHET NË ARKIVIN QENDROR TË SHTETIT, ME KUJTIMET E SHKRUARA NGA AQIF SELFO, MBI ORIGJINËN E FAMILJES HOXHA DHE NJË JETËSHKRIM TË ENVER HOXHËS Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj, dhe jetëshkrimi i shokut Enver Hoxha për periudhën 1908–1930 dhe 1931 – 1939 Nga Aqif Selfo 6.1.1969 Lufta e Spanjës, e udhëhequr nga fronti popullor, ndiqej me shumë interes nga të gjithë njerëzit përparimtarë të botës. Ajo ndiqej me simpati të madhe edhe nga opinioni publik shqiptar dhe veçanërisht nga të rinjtë përparimtarë. Në këtë luftë ata shikonin një luftë të drejtë, luftë për përparim dhe kundër errësirës. Fitoret e popullit spanjoll kundër diktaturës së Frankos priteshin me gëzim të madh nga të rinjtë përparimtarë. Çdo fitore e forcave përparimtare mësohej shpejt dhe komentohej në mes tyre. Për luftën e Spanjës edhe Enveri, një nga të rinjtë më përparimtarë, fliste me simpati të madhe për të. Shpesh herë në shtëpi ose në kafene, në rreth të ngushtë, biseda sillesh rreth kësaj lufte, flitesh për ndihmat që shkonin nga të gjitha anët, flitesh për formimin e brigadës internacionale ku merrnin pjesë me mijra vullnetarë nga të gjitha vendet e botës, si edhe nga vendi ynë. Këta luftonin me vetëmohim kundër ushtrisë së Frankos. Simpatia e Enverit për luftën e Spanjës ishte aq e madhe sa që Qemal H. Karagjozi, rreth kësaj çështje, tregon se Enveri jo vetëm që e simpatizonte këtë luftë, por i kishte mbetur peng që nuk kishte marrë pjesë aktive në të. Kjo tregon se lufta e Spanjës, për njerëz si Enveri, ishte lufta e tyre. Enveri ka dhënë një kontribut të madh edhe jashtë Liceut sidomos në Grupin Komunist të Korçës dhe të rinisë korçare. Ardhja e Enverit në lice, si intelektual përparimtar, hoqi vërejtjen e anëtarëve të Grupit Komunist të Korçës. Për këtë arsye, pas disa javë të ardhjes së tij në Korçë, që nga anëtarët e grupit, Stefo Grabocka, që ishte ngarkuar për t’u marrë dhe njohur me intelektualët, iu afrua dhe u njoh me të. Në takimet e para që pati Stefo Grabocka me Enverin, sipas thënies së Stefos, thelbi i bisedimeve u suall rreth çështjeve të kohës dhe veçanërisht gjendjes së keqe të vendit dhe luftës së Spanjës. Këto biseda dhe mendimet e Enverit mbi këto çështje i dhanë të kuptonte Grupit të Korçës, që Enveri ishte një intelektual me idera të avancuara të së majtës. Pas këtyre takimeve me Stefo Grabockën, Enveri u njoh, nëpërmjet tij, edhe me shokë të tjerë të grupit, si me Miha Lakon, Pilo Peristerin, Sotir Gurën, Sotir Vullkanin etj. Në fillim kontaktet, ndërmjet anëtarëve të grupit, me Enverin ishin të rralla dhe personale. Kjo mënyrë kishte arsyet e veta: se Enveri ishte shumë i matur dhe nuk donte që të binte në sy, po ashtu edhe shokët e grupit nuk donin që Enveri të komprometohej shumë. Po megjithëkëtë Enveri kishte mënyrën e vet për t’u takuar me ta dhe sidomos me Miha Lakon. Enveri shkonte tek Miha shpesh herë në dyqanin e tij, me pretekst për të rregulluar këpucët, por qëllimi i tij ishte për të biseduar dhe për të shkëmbyer mendime. Një mënyrë tjetër e takimeve ishin edhe vizitat që bëheshin në shtëpitë e njeri tjetrit, si në shtëpinë e Vasil Ballit, Kristo Konos, Stefo Grabockës, Skënder Topullit etj. Këto vizita, sipas rastit, ktheheshin në debate politike, ku Enveri jepte edhe ai mendimin e tij. Përveç vizitave nëpër shtëpitë e shumë vetave ishin edhe shëtitjet jashtë qytetit. Një nga këto shëtitje është në një nga fshatrat e Korçës, në Dardhë. Në këtë shëtitje ishin disa veta, ndërmjet tyre; Enveri, Kristo Kono dhe Ymer Dëshnica. Në këtë shëtitje, thotë Kristo Kono, kemi kaluar një ditë shumë të këndshme. Tërë dita shkoi duke biseduar, duke dëfryer në natyrë dhe duke kënduar këngë revolucionare. Bile shton ai, edhe kur u kthyem, gjatë gjithë rrugës deri sa erdhëm brenda në qytet, ishim duke kënduar, vetëm kur shoferi e ndali makinën kuptuam se ishim në qytet, por edhe në kohën që ishim duke zbritur nga makina, kishin në gojë gjithnjë melodinë e Internacionales. Rëndësi të madhe patën, në vitin 1938, zgjedhjet bashkiake në Korçë. Në këto zgjedhje këshilli bashkiak, që doli nga zgjedhjet që u bënë në fund të qershorit 1938, përbëhej nga elementë përparimtarë me në krye komunistin Pilo Peristeri. Suksesi i madh i arritur në këto zgjedhje ishte si rrjedhim i punës së madhe propagandistike që kishte bërë Grupi i Korçës në masat popullore të qytetit, propaganda që ndikoi shumë në to. Masat popullore të qytetit arritën të kuptonin se Grupi Komunist i Korçës, ishte për mbrojtjen e interesave të tyre dhe jo sipërmarrësit, tregtarët dhe pasanikët e vendit. Për këto arsye këto masa ia dhanë votat e tyre kandidatëve që figuronin në listën e organizatave demokratike. Këshilli i ri bashkiak, si këshill i zgjedhur nga masat popullore, mori një sërë masash me karakter demokratik. Një nga këto masa ishte: këshilli bashkiak i mbante mbledhjet e tij të hapura. Kjo praktikë e vënë në jetë për herë të parë në bashkinë e Korçës, kishte për qëllim që zgjedhësit të kontrollonin drejtpërdrejt veprimtarinë e tyre. Në mbledhjet e këshillit bashkiak ose asamblesë, merrnin pjesë shumë nga populli. Në këto mbledhje, shpesh herë, merrte pjesë, si popull, edhe Enveri, thotë Stefo Grabocka dhe ai vazhdon: “Në të tilla mbledhje Enveri ka asistuar në muajt e fundit të vitit 1938 dhe në muajt e parë të vitit 1939. Anëtarët e këshillit diskutonin në këto mbledhje, çështje të ndryshme. Në pushimet e asamblesë, ndërmjet seancave, çështjet që analizoheshin, diskutoheshin edhe nga pjesëtarët e tjerë d.m.th. nga pjesëmarrësit e popullit. Edhe Enveri merrte pjesë aktive në diskutime dhe në vlerësimin e diskutimeve ai jepte mendime të vlefshme se si duhej vepruar dhe zgjidhur problemet e ndryshme që shtron asambleja”. Grupi Komunist i Korçës ka bërë një punë të madhe edhe me të rinjtë korçarë. Propaganda e tij synonte në demaskimin e ideologjisë fashiste. Lëvizja fashiste, për përhapjen e ideologjisë ndërmjet shqiptarëve, mori një hov të madh aty nga viti 1937. Në Korçë kjo lëvizje zhvillohej nga elementë aventurierë dhe të degjeneruar, si Vasil Alarupi. Në luftë kundër përhapjes së ideologjisë fashiste Grupi i Korçës ka bërë një punë shumë të madhe. Ai arriti jo vetëm të pengojë së tepërmi përhapjen e ideve fashiste tek të rinjtë, por mundi të forcojë ndikimin e vet edhe tek të rinjtë dhe sidomos në organizatën e tyre, në shoqërinë “Rinia Korçare”. Në sajë të këtij ndikimi, shoqëria “Rinia Korçare” kishte në drejtimin e saj, një udhëheqje që përbëhej nga elementë komunistë. Udhëheqja e shoqërisë nuk u pëlqente as reaksionarëve dhe as fashistëve të deklaruar, si të Korçës, ashtu dhe qendrës. Për këtë arsye në vitin 1938 u muarrën edhe masa për të shtënë në dorë shoqërinë dhe për ta kanalizuar për qëllimet e tyre. Një nga këto masa ishin zgjedhjet e reja që kishin për qëllim zëvendësimin e me organeve drejtuese të shoqërisë me elementë të njohur reaksionarë dhe profashistë. Përgatitja e mbledhjes për zgjedhjet e me organeve drejtuese të rinisë ishte bërë, që më parë nga autoritet e vendit, të cilët me një qarkore të posaçme, kishin urdhëruar nëpunësit e prefekturës dhe arsimtarët që të propagandonin dhe të mbështetnin kandidatët që do t’i paraqiteshin nga i deleguari i posaçëm që do të vinte, me këtë rast, nga Tirana. Nga ana tjetër edhe shoqëria “Rinia korçare”, udhëheqja e saj dhe shumë elementë përparimtarë, nëpunës, arsimtarë etj. Ishin pregatitur mirë për të kundërshtuar këto masa, gjer në fund. Një kontribut të madh në këtë drejtim, ka dhënë Enveri. Ky, në pregatitjen e zgjedhjeve të rinisë, ishte vazhdimisht në kontakt me udhëheqjen e shoqërisë, ai, me këshillat e tij të vlefshme u tregonte qëndrimin që duhej të mbahej me këtë rast. Rreth pregatitjeve të zgjedhjeve të rinisë, Skënder Topulli tregon: “Aty nga fundi i vitit 1938, do të bëheshin zgjedhjet e organeve drejtuese të rinisë, sh. Enver, ato dit, ish në aktivitet, ish përpiluar raporti i aktivitetit nga udhëheqja për të kaluarën dhe mbas analizës dhe diskutimeve do të zgjidhej udhëheqja e re. Një mbas dite më vjen sh. Enver në klinikë dhe më njofton se në ora 8 të mbrëmjes, të ndodhem në palastrë se do të zhvilloheshin zgjedhjet e kryesisë së rinisë”. Në orën e caktuar, ne palastrën e Mitropolisë, u mblodhën një shumicë e madhe të rinjsh dhe shumë nëpunës, arsimtarë etj. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe Enveri. Në këtë rast kish ardhur apostafat nga Tirana edhe gjenerali Aqif Përmeti, i cili merrej drejtpërsëdrejti me edukimin e rinisë shqiptare në frymën filoitaliane dhe fashiste. I deleguari kishte të dhëna që rinia korçare, nëpërmjet të aktiviteteve të ndryshme sportive, kulturale e të tjera edukohesh jo në frymën filoitaliane dhe fashiste, por në frymën e iderave përparimtare dhe revolucionare. Për këtë qëllim gjenerali synonte të vinte në krye të shoqërisë një udhëheqje që të ishte besnike ndaj regjimit dhe në gjendje të edukonte rininë në frymën e regjimit në fuqi, të vartësisë së plotë ndaj me Italisë fashiste. Në këtë sallë, të mbushur plot e përplot, erdhën edhe autoritetet e vendit, prefekti dhe komandanti i xhandarmërisë, të shoqëruar nga disa xhandarë si dhe Stavri Skendi, Sami Bitincka dhe shumë të tjerë, që ishin përkrahës të zellshëm të këtyre masave ndaj shoqërisë dhe armiq të çdo ideje përparimtare. Stefo Grabocka, kryetar i shoqërisë “Rinia korçare” dhe Aqif Përmeti, i deleguari i posaçme dhe i ardhur apostafat nga Tirana për zgjedhjet, zunë vend në presidium. Kryetari i shoqërisë çeli mbledhjen dhe pasi i paraqiti mbledhjes të deleguarin e qeverisë, mbajti raportin. Në mbledhje e mori fjalën edhe i deleguari i qeverisë. Ai në fillim përshëndeti të rinjtë në emër të tij dhe posaçërisht në emër të Mbretit, pastaj shtoi se sipas me porosisë së Mbretit që punët e rinisë patriote korçare të shkojnë edhe më mirë, duhet që rinia të udhëhiqet nga njerëz të denjë si Stavri Skendi, Sami Bitincka e të tjerë. Në këtë rast Skënder Topulli tregon: “Atëhere e gjithë turma, njëzëri, u përgjigj me një ton proteste se udhëheqjen e zgjedhim vetë. Aqifi, me gjakftohtësi, u mundua të imponohej por më kot se e gjithë salla filloj të cilësojë emrat e kryesisë. Gjenerali, pasi e pa se nuk mund të imponohej, përplasi grushtin në tavolinë me nervozitet dhe tha: këtu ka komplot. Në këtë çast xhandarët filluan të lëvizin por Aqifi dha urdhër të mos preknin me dorë; zgjedhjet u pezulluan, autoritetet ikën me bisht ndër shalë, ndërsa turma, me sh. Enver në krye, shpërthen një manifestim në rrugët e qytetit, deri në orët e vona”. Rreth zhvillimit të zgjedhjeve për udhëheqjen e shoqërisë, Stefo Grabocka thotë: “Mbledhja që u zhvillua për zgjedhjet na siguroi sukses të plotë, për këto rezultate sh. Enver ka thënë: – sot është bërë një punë e madhe, shumë e madhe. Ata jo vetëm që nuk e shtinë në dorë shoqërinë por të gjitha planet u përmbysën, kurse ne u vendosëm më fort në udhëheqjen e shoqërisë. Po megjithatë, vazhdon Stefo Grabocka, autoritetet e vendit, pas disa dite, na e prishën shoqërinë: ata duke u mbështetur në me me statutin e shoqërisë, në një nga nenet e tij, vendosën, në krye të shoqërisë, një njeri të tyre, një njeri të emëruar në rrugë administrative, por jo të zgjedhur”. Në këtë periudhë Enveri ishte i njohur mirë për idetë e tij përparimtare dhe të së majtës. Për idetë e tij Enveri njihej edhe drejtori francez i liceut, De Kurvil. Kristo Kono thotë se drejtori i liceut kishte marrë vesh për qëndrimin përparimtar të Enverit, por megjithatë ai hiqej sikur nuk dinte gjë. Por Enveri njihej mirë nga Grupi Komunist i Korçës. Me disa nga anëtarët e Grupit, Enveri njihesh personalisht dhe kishte takime të herë pas hershme, kurse shumë të tjerë e dinin që Enveri ishte i lidhur me Grupin, por, për kushtet e konspiracionit, ai qëndronte për ta si i panjohur. Llambi Dëshnica thotë se ne tek Enveri shikonim një njeri përparimtar dhe të guximshëm, për këtë arsye ne mheshim që ai të binte sa më pak në sy, kjo kishte arsyet e veta: të mos komprometimit të tij, se pasojat që mund të rridhnin, do të na dëmtonin shumë./ Memorie.al R.Xh R.Xh Shqiptarja.com TAG: komunizmi Grupi Komunist i Korçes De Kurvil Kristo Kono enver hoxha Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

29 Tetor, 18:29

A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 50.5% Jo 41.1% Nuk e di 8.5% Vota total: 555 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 29 Tetor, 18:29 A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?