Këngëtari dhe moderatori Kristi Lamaj, një nga personazhet më të komentuar të “Big Brother VIP 5”, ka qenë në qendër të vëmendjes jo vetëm për eksperiencën e tij televizive, por edhe për projektet muzikore që kanë shkaktuar reagime në rrjetet sociale. Në episodin e parë të “Urban Gen”, ku temë diskutimi ishte “Gjuha e urrejtjes online. Nga komentet tek linçimi publik” ai ka rrëfyer se publikimi i këngës “Endërr” u shoqërua me diskutime dhe komente të shumta, duke e vendosur përballë një prej sfidave më të mëdha të gjykimit dhe kritikave të vazhdueshme në hapësirën digjitale.
Përtej komenteve negative, kjo përvojë ngre edhe një diskutim më të gjerë mbi mënyrën se si publiku i vlerëson artistët dhe sa ndikojnë reagimet në rrjetet sociale në rrugëtimin e tyre profesional. Por një nga përvojat më të rëndësishme për Kristin mbetet pjesëmarrja në “Big Brother VIP 5”, të cilën ai e ka përshkruar si një rrugëtim drejt njohjes së vetes.
“Aty njoha veten…”, është shprehur Kristi, duke theksuar se izolimi dhe dinamika e formatit e ndihmuan të zbulonte dimensione të karakterit të tij që nuk i kishte njohur më parë.
Pas kësaj eksperience, Kristi Lamaj ka vijuar rrugëtimin e tij artistik dhe televiziv, duke marrë një tjetër sfidë si moderator i “Urban Gen”, projekt i Fondacionit Dritan Hoxha, me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, që nisi transmetimin më 7 nëntor, ora 16:45, në Top Channel.
Nga muzika te televizioni, Kristi Lamaj vijon të ndërtojë profilin e tij publik, ndërsa përvoja në “Big Brother VIP” duket se ka shënuar një moment të rëndësishëm reflektimi dhe zhvillimi personal. Top Channel

