Foto Ilustrim Ngërçi institucional po zgjatet dhe po dëmton jo vetëm funksionimin e shtetit të Kosovës, por edhe imazhin e saj ndërkombëtar. Nëse opozita nuk ndihmon në zgjidhjen e krizës dhe në zgjedhjen e presidentit, vendi mund të përballet me zgjedhjet e katërta të parakohshme brenda vetëm dy vitesh. Sistemi parlamentar e ka futur Kosovën në një ngërç të vështirë institucional. Republika e vogël ka zhvilluar tri palë zgjedhje në dy vitet e fundit dhe në të tria rastet ka fituar e njëjta forcë politike, “Vetëvendosje” (VV).
Megjithatë, pavarësisht fitoreve elektorale, ajo nuk ka arritur të kapërcejë kërkesat kushtetuese për zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit dhe tashmë as për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Për zgjedhjen e presidentit nevojitet një shumicë prej dy të tretash në Kuvend, mbështetje që VV-ja nuk ka mundur ta sigurojë. Ndërkohë, qeveria e drejtuar prej saj vazhdon të funksionojë me status kujdestar, një situatë që po zgjatet përtej asaj që mund të konsiderohet një zgjidhje e përkohshme.
Kjo nuk krijon një imazh të mirë për Kosovën në planin ndërkombëtar. Vendi supozohet të jetë duke u përgatitur për anëtarësimin në NATO dhe, në një fazë të mëvonshme, në Bashkimin Evropian.
Por është e vështirë të pritet që Kosova të përparojë në këto drejtime, nëse institucionet e saj shtetërore nuk janë në gjendje të kryejnë as funksionet më themelore. Tek e fundit, zgjedhja e presidentit është një prej detyrave bazë që duhet të jetë në gjendje ta përmbushë një parlament funksional.
Problemi bëhet edhe më i rëndësishëm për shkak të pozitës ende të brishtë ndërkombëtare të Kosovës. Katër vende anëtare të NATO-s dhe pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e saj, ndërsa Serbia dhe Rusia kanë penguar anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në këto kushte, asnjë prej vendeve skeptike nuk ka shumë arsye për të ndryshuar qëndrim, nëse Kosova nuk demonstron se është në gjendje të bëjë të funksionojë demokracinë dhe institucionet e veta.
Situata nuk duket më e mirë as në planin e brendshëm. Kryeministri Albin Kurti nuk duket se shqetësohet nga fakti që qeveris në statusin e ‘kujdestarit’ dhe në disa raste, ka shtrirë kufijtë e asaj që zakonisht pritet nga një qeveri me kompetenca të tilla.
Por rezultatet e zgjedhjeve të fundit, të mbajtura në qershor, mund t’i kenë dhënë atij arsye për të reflektuar. Mbështetja për Vetëvendosjen ra në 43 për qind, nga 53 për qind që kishte marrë në dhjetor të vitit 2025. Megjithatë, Kurti ka bërë së fundmi një lëvizje që meriton të merret në konsideratë.
Ai ka propozuar për postin e presidentit një kandidat me kualifikime të larta nga një prej partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës. Juristi Bekim Sejdiu ka një përvojë të gjerë, pasi ka shërbyer si profesor universiteti, diplomat dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.
Por edhe kjo përpjekje është përplasur me një tjetër pengesë politike. Gjashtë deputetë të LDK-së kundërshtojnë kandidaturën e Sejdiut. Si rezultat, procesi është kthyer sërish në pikën e ngërçit.
Koha po mbaron. Mandati gjashtëmujor i presidentes aktuale në detyrë përfn më 4 tetor. Çfarë do të ndodhë pas kësaj date nuk është e qartë, pasi Kosova po hyn në një situatë për të cilën nuk ka një precedent të qartë.
Pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm mbi qeverinë. Ngërçi e ka vendosur tashmë edhe opozitën përballë barrës së përgjegjësisë. Nëse asnjë prej partive të tjera opozitare nuk bën hapin e nevojshëm për të siguruar kuorumin dhe për të mundësuar zgjedhjen e presidentit, elektorati mund ta fajësojë opozitën, dhe jo kryeministrin, nëse vendi përfn në zgjedhjet e katërta parlamentare brenda vetëm dy vitesh.
Ky skenar mund të mos jetë domosdoshmërisht në dëm të Vetëvendosjes. Përkundrazi, VV-ja mund të shpresojë që një tjetër palë zgjedhjesh t’i japë mundësinë të rikuperojë përqindjen e votave që humbi në qershor dhe të forcojë sërish pozitën e saj.
Natyrisht, një rezultat i tillë nuk është i garantuar, por është një rrezik që opozita duhet ta marrë seriozisht në konsideratë. Atëherë, çfarë duhet bërë? Një tjetër palë zgjedhjesh mund të mos jetë rezultati më i keq.
Skenari më i keq do të ishte vazhdimi i pafund i statusit kujdestar të qeverisjes, me institucione që nuk arrijnë të funksionojnë normalisht dhe me një vend që mbetet i bllokuar politikisht.
Do të ishte shumë më mirë nëse dikush në opozitë do të gjente një mënyrë për të mundësuar zhvillimin e votimit për presidentin. Kurti ka bërë atë që partitë opozitare i kanë kërkuar: ka propozuar një kandidat nga opozita.
Tani është koha që politika kosovare t’i rikthehet detyrës serioze të qeverisjes, ku edhe opozita ka një rol të rëndësishëm. Kosova nuk mund të mbetet peng i një ngërçi institucional dhe as të shkojë pafund nga një palë zgjedhjesh te tjetra.
Është koha që palët të marrin përgjegjësinë, të gjejnë një zgjidhje dhe të lejojnë institucionet të funksionojnë./ Përshtati "Pamfleti" Nga“Dtt-net.com”
Shënim: Daniel Serwer, është profesor i praktikës së menaxhimit të konflikteve dhe drejtor i Programeve për Menaxhimin e Konflikteve dhe Politikën e Jashtme Amerikane në Johns Hopkins School of Advanced International Studies.ngerci politik ne kosove Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova A mund të fajësohen gjashtë deputetë për dështimin e zgjedhjes së presidentit në Kosovë? 4 Shtator 2026, 12:1712:17Kosova Sherr brenda LDK-së, Osmani akuza 6 deputetëve që dolën kundër: Synojnë të bllokojnë zgjedhjen e Presidentit 3 Shtator 2026, 22:5522:55Kosova Ish-sekretari i NATO-së: Kriza politike u shërben vetëm armiqve të Kosovës 3 Shtator 2026, 19:2619:26Kosova “Marrëveshja me LDK-në mori goditje të rëndë”, Kurti: Kush do t’i shmangë zgjedhjet e ka shansin 3 Shtator 2026, 18:2518:25Kosova Kuvendi i Kosovës jashtë funksionit, deputetët vijojnë të marrin pagat; 180 mijë euro që nga 6 gushti 3 Shtator 2026, 16:2016:20Kosova Kosova pa President! Gjashtë “jo” që testojnë të ardhmen e LDK-së 3 Shtator 2026, 08:0808:08Kosova

