Vetëm dy ditë pasi Albin Kurti u zgjodh për herë të katërt kryeministër i Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së re, duke pretenduar se votimi është bërë nga një Kuvend që nuk ishte konstituuar sipas Kushtetutës. Deputetët e PDK-së, Përparim Gruda dhe Arian Tahiri, dorëzuan kërkesën në Gjykatën Kushtetuese, pasi një ditë më parë kishin kërkuar edhe vendosjen e një mase të përkohshme lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit. “Sot e kemi kontestuar vendimin e Kuvendit për ta zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, sepse ne konsiderojmë se Kuvendi është konstituuar duke e shkelur Kushtetutën. Argumentet tona janë profesionale dhe deri në fund kushtetuese dhe jemi të bindur se do të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese”, deklaroi Gruda. LEXO EDHE:'Mungoi mbështetja parlamentare' Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për President të Kosovës: Vendi ka nevojë për institucione stabile Sipas tij, një Kuvend i konstituuar në mënyrë jokushtetuese nuk mund të zgjedhë një qeveri legjitime. Debati lidhet me mënyrën se si u mbyll procesi i konstituimit të legjislaturës së re. Të dielën u zgjodhën nënkryetarët nga LDK-ja dhe komunitetet pakicë, ndërsa PDK nuk mori pjesë në seancë, pasi më herët kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli Kuvendin të konstituuar dhe, pak orë më vonë, u zhvillua seanca ku u votua Qeveria Kurti. PDK pretendon se janë shkelur afatet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, si edhe procedurat që lidhen me zhvillimin e seancave deri në përfundimin e këtij procesi. Sipas opozitës, këto shkelje e bëjnë të kontestueshme edhe zgjedhjen e kabinetit të ri qeveritar. Ndërkohë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vlerëson se mënyra si u konstituua Kuvendi nuk ishte në përputhje me Kushtetutën. Sipas tij, nëse Gjykata Kushtetuese arrin në të njëjtin përfundim, mund të vihet në pikëpyetje edhe vlefshmëria e zgjedhjes së Qeverisë Kurti. Hasani tha për Radion Evropa e Lirë se procesi nuk ka ndjekur procedurat kushtetuese dhe se Gjykata tashmë ka mundësinë të japë një vlerësim përfundimtar mbi ligjshmërinë e tij. “Nuk do të ishte profesionale që gjykata, tani kur çështja është e qartë, të lejonte funksionimin e Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas këtyre parametrave kushtetues, është konstituuar në shkelje të Kushtetutës”, tha Hasani. Në të njëjtën linjë u shprehën edhe ekspertë të së drejtës kushtetuese në Kosovë. Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës deklaroi për RTV21 se, nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se Kuvendi nuk është konstituuar ligjërisht, atëherë edhe vendimmarrja e tij, përfshirë zgjedhjen e Qeverisë, do të konsiderohej e pavlefshme. “Është një përcaktim i qartë nga ana e Gjykatës Kushtetuese se Kuvendi konsiderohet i konstituuar në momentin kur i ka të zgjedhur kryetarin dhe të gjithë nënkryetarët, pa përjashtim. Ne kemi pasur raste vitin e kaluar që, përmes procedurave të manovruara, janë zgjedhur nënkryetarët në kundërshtim me Kushtetutën. Nëse konstatohet që Kuvendi është i pakonstituuar, atëherë i bie që komplet vendimmarrja e Kuvendit është e pavlefshme”, tha Bugaqku Edhe Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka vlerësuar për RTV21 se është shkelur afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit dhe se Gjykata Kushtetuese do të duhet të përcaktojë nëse kjo shkelje sjell pasoja juridike edhe për Qeverinë e re. “Subjekti më i madh, LVV-ja, e ka shkelur afatin 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Është e paarsyeshme se përse shkelet ky afat, përderisa i ka pasur votat e mjaftueshme. Gjykata Kushtetuese tani ka mundësi që të përcaktojë nëse ka pasoja për shkeljen e këtij afati. Mënyra se si u soll LVV-ja nuk ishte në frymën e bashkëpunimit.”, tha Shala. Tashmë pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse do ta pranojë kërkesën e PDK-së dhe si do të interpretojë vlefshmërinë e procesit që çoi në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. U.D/SI.E./Shqiptarja.com TAG: PDK Albin Kurti kriza politike ne kosove Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 0.0 / 5 (0 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
7 Shtator, 07:56
Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.8% Magjistratëve 15.3% Nuk e di 5.9% Vota total: 8621 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 7 Shtator, 07:56 Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

